Mjeku Erion Dasho thotë se kanë ndodhur dy vdekje të qytetarëve që janë vaksinuar me vaksinën kineze Sinovac.
Dasho shkruan se njërin prej rasteve e ka hetuar vetë dhe personi ka humbur jetën vetëm 1 ditë pasi ka bërë vaksinën kineze.
Mjeku kërkon të pezullohet përkohësisht fushata e imunizimit deri në hetimin e plotë e vdekjet të provoheshin si të palidhura me vaksinën kineze.
Dasho theksoi se thirrja nuk synon të ngjallë panik e as të dëmtojë procesin e dobishëm të vaksinimit por se kërkohet kujdes i jashtëzakonshëm.
“Për shkak të të paktën dy vdekjeve të papritura midis personave që kanë kryer vaksinën CoronaVac (një prej të cilave rast i investiguar personalisht që humbi jetën një ditë pas vaksinimit), i rekomandoj Ministrisë së Shëndetësisë, Komitetit të COVID dhe Komitetit të Imunizimit të pezullojnë përkohësisht fushatën e imunizimit me CoronaVac deri sa këto vdekje të investigohen dhe të provohen si të palidhura me vaksinën në fjalë.
Kjo thirrje nuk ka aspak qëllim të ngjallë panik dhe të dëmtojë një proces të dobishëm siç është imunizimi ndaj COVID. Thjesht është në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare të farmakovigjilencës.
Dy humbje jete midis rreth 50 mijë të vaksinuarve është një tregues që kërkon kujdes të jashtëzakonshëm! Mbetem i hapur për të komunikuar me përfaqësues të ministrisë dhe komitetit lidhur me rastin që kam investiguar personalisht”- shkruan mjeku Erion Dasho në Facebook.
Eshtë fjala për një 88-vjeçar nga Tirana që pati probleme me mushkërinë e pamjaftueshmëri në frymëmarrje, si dhe një 74-vjeçare nga Berati me hipertension.
Autoritetet japin garanci për “Sinovac”-in
Silva Bino dhe Albana Fico theksojnë se “nuk ka lidhje me humbjet e jetëve e jo çdo vdekje pas vaksinimit, ka lidhje me të”. Ekspertët nënvizojnë se nuk mund të ndërpritet vaksinimi pasi çdo person i vaksinuar është jetë e shpëtuar.
Apeli për qytetarët është të vaksinohen e të mbajnë kontakt me mjekun e familjes. Një ditë më parë u kryen 16.617 vaksinime kundër koronavirusit ndërsa në total, numri i tyre ka kaluar 155.400 në vendin tonë.