Kryesore

Erion Veliaj i krahason protestuesit e Unazës me pushtuesit fashistë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:13 - 17/11/18 |
mapo.al

Tirana përkujtoi sot 74-vjetorin e Çlirimit të qytetit nga pushtuesit nazifashistë.


Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetë, përfaqësues të qeverisë, anëtarë të Këshillit Bashkiak dhe dhjetëra veteranë të Luftës Nacional-Çlirimtare, morën pjesë në ceremoninë e përkujtimit të sakrificës që mijëra të rinj dhe të reja bënë për çlirimin e kryeqytetit. Në shenjë mirënjohje dhe nderimi, për të gjithë ata që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës, si dhe për ata qindra të tjerë që u bënë pjesë e luftës antifashiste, të pranishmit vendosën kurora me lule në monumentin e “Ushtarit të Panjohur”.



Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi sakrificat e të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave që iu bashkuan luftës dhe popullit të Tiranës, i cili doli në përkrahje të tyre.


Ai nënvizoi se përkujtimi i ditëve të tilla si çlirimi i Tiranës tregon se kur shqiptarët bashkohen, qyteti ecën përpara. Veliaj tha se edhe 74 vjet më parë kishte një minorancë të zhurmshme e cila thoshte se është më mirë të bashkëpunonin me fashizmin, por shumica morale e Tiranës vendosi të vetëçlirohej nga pushtuesi falë inkurajimit dhe mbështetjes popullore nga qytetarët e Tiranës.

“Hera e parafundit që u dogjën goma në derën e Bashkisë së Tiranës ishte 17 nëntor 1944, kur trupat që po largoheshin dogjën qytetin dhe shkaktuan dëmet e fundit që mund t’i bënin Tiranës. Hera e fundit që u dogjën goma para Bashkisë së Tiranës ishte pardje, pas 74 vitesh, jo nga armiku, jo nga pushtuesi, jo nga zaptuesi, por nga ne vetë. Ndaj them se ky është një moment reflektimi. Jemi pjesë e NATO-s, gjasat që dikush të na pushtojë, të na pengojë, të na sabotojë janë shumë të vogla nga të huajt, por vetë mund ta bëjmë. Ne sot e kemi në dorë edhe të mirën edhe të keqen, e kemi në dorë edhe ta shkatërrojmë edhe ta ndërtojmë Tiranën; edhe t’i vëmë zjarrin Tiranës, edhe ta bëjmë lule Tiranën; edhe të modernizohemi, edhe të bëjmë hapa mbrapa”, deklaroi ai.

Veliaj kërkoi nga qytetarët që të mbështesin njëri-tjetrin dhe të mos vendosin pengesa për zhvillimin e qytetit.

“Cili është vendimi ynë sot për Tiranën? Do kthehemi pas, do kthehemi në gjumë, në zjarr, në gurë, në vezë, në dru, apo do përveshim mëngët? Të përqafojmë njëri-tjetrin, të mos lejojmë që politikanët që na përçanë kaq vite, të vazhdojnë të mbjellin helm për të na përçarë, për të na thyer mes nesh, për të na penguar në këtë rrugëtim, edhe pse janë të mundur”, tha ai.

Kryebashkiaku shprehu bindjen se Tirana dhe Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur dhe siguroi të gjithë qytetarët se puna dhe progresi i qytetit do të vijojë.

“Jam i bindur se në këtë kryqëzim Tirana dhe Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur, për t’u përçarë, nuk ka sot asnjë punë që mund ta lërë për nesër. Ndaj, dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Tiranës dhe t’i ftoj të gjithë të përqafojmë njëri-tjetrin, punën, progresin, të mirën. Vetëm e mira dhe bashkimi e ka çuar këtë vend përpara. Ndodhi përpara 74 vitesh, do të ndodhë sërish, jam i sigurt, kur Tirana bashkëpunon për të ecur përpara për mirë”, theksoi Veliaj.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas