Aktualitet

Ernesti (proza)














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:19 - 29/08/21 |
Rezarta Reçi

Sapo kisha dalë nga një lidhje dhjetëvjeçare dashurie. E zhgënjyer deri në thellësitë e mia të forta. Pothuajse ishim rritur bashkë. Me kursime kishim ndihmuar e mbështetur njëri tjetrin. Ai të mbaronte shkollimin. Më pas ta përfundoja dhe unë. Kishte ditë dhe net që ishim trokë. Nuk dinim se ku ta gjenim zgjidhjen për të blerë një kafe a paqetë cigare. Të afërmit tanë pothuajse ishin lodhur nga dashuria jonë, nga zënkat e pajtimet tona,nga trokllëku ynë, nga këmbëngulja jonë për të mos u dorëzuar. Rrisnim njëri tjetrin, mundimshëm, konfuzë e të papërvojë. Aty putheshim, aty pajtoheshim, aty grindeshim, aty bënim dashuri, dilnim shëtitje kapur dorë për dore ,shihnim yjet, qiellin, bënim plane sa fëmijë do kishim , si do ishte shtëpia jonë ndërkohë që rropateshim të paguanim qeranë e garsonierës që na mblidhte,na mundonte,na sprovonte, na strehonte, njihte të qeshurën e lotët tanë.






Dalëngadalë era po fillonte të frynte ngrohtë edhe për ne. Skerdi u sistemua në punë, paga do ishte e konsiderueshme për ne çiftin xhepshpuar dhe unë duhet tashmë të hiqja dorë nga puna e cfilitja , të mbaroja vitin e fundit dhe të mbroja diplomën. Filluam ta ngremë stekën e endrrave pakëz më lart, i lejuam vetes një birre më shumë, një vajtje në plazh a një picë jashtë shtëpie. Ishim rritur me sa duket! E shihja që miqtë habiteshin me këmbënguljen tonë për t’ia dalë me çdo kusht. Siç duket nuk ishte kohë këmbënguljeje dhe sakrificash! Besoj nuk ishte! Tani e them me siguri, atherë besoja. Një natë , ndërsa prisja Skerdin të kthehej e do të shkonim më pas me miqtë tanë në një bar, më mbrrin në celular një sms: Er’ vonohem, shihemi atje.


E veshur isha,në formë isha, nuk e zgjata dhe e mora me lehtësi rrugën drejt lokalit. E shtunë ishte, nesër do ishim pushim, mund të flinim deri në drekë. Pothuajse të gjithë kishin mbrritur, të çiftuar a singel, po bëheshin gati të përplasnin gotat. U çuditën kur më panë vetëm, menduan ndonjë rreng të Skerdit. Do na gjejë këtu, sa po të lirohet nga një punë, u thashë shpengueshëm, mora gotën time ,e ngrita ,ka ndonjë singel këtu kukurisa ,derisa të vijë Skerdi, se nuk do rrimë pa kërcyer?







Dhe u ula. Të qeshurat e batutat nuk mbaronin, atmosfera u bë perfekte, miq të hershëm e pak të rinj të sapoardhur pothuajse u shkrimë nën shpengimin e muzikës, të mbrëmjes, të të qeshurave dhe gotave të vogla që ndrroheshin lehtë. Pushimi i së dielës na magjepste e na jepte kohë dhe liri. Ora kishte ecur. Unë nuk kisha ndënjur vetëm në karrike. Ishin kujdesur të gjithë që unë të kërceja duke ndrruar njëri tjetrin. Mes tyre dhe Ernesti. E fiksova,sepse ishte i ri në këtë party . Sebepçiu e kishte mik dhe natyrshëm e kishte bërë pjesèz të festës sonë qe sa vinte dhe merrte përmasat që donim. Hiqnim këpucët, sandalet, karficat e flokëve a lloj lloj xhinglash dhe turreshim të gjithë në mes të pistës për të kënduar e kërcyer xhamadanin vija vija. Ky moment për faqësonte kulmin e festës, sa kur mbaronin tingujt ishim gati të gjithë të flinim aty ,në pistë. Shotsat bënin punën e tyre, ulurimat çliruese na kënaqnin e na cfilitnin…por Skerdi akoma nuk kishte ardhur. E merakosur i nisa një sms: po të pres Skerd, sonte do vish, apo nesër? Eri jot




Dhe një puthje elektronike…



Sms nuk shkoi. Provova ,i rashë telefonit, i mbyllur. U bëra esëll! Ku nuk më shkoi mëndja! Për një çast bota m’u rrotullua e gjitha, sëbashku me ankthin që rritej. Një parandjenjë e keqe ngriti krye tek unë. Gjeta sandalet e mia hedhur diku në cep, mos e prishni festën, porosita grupin, mora çantën dhe iu drejtova organizuesit të festës:”ndjesë, po iki,nuk na ka ndodhur ndonjëherë kjo , jam në merak për Skerdin, po marr një taksi.”

” Të çoj unë, ” foli Ernesti dhe kthehem sërish në festë. Nuk e zgjata shumë, mëndja ime ishte e çoroditur, shqetësimi sikur më kishte kapur për fyti. Vetëm mos t’i ketë ndodhur gjë Skerdit, thashë duke e orientuar drejt shtëpisë. Ndërsa udhëtonte jo pa nxitim Ernesti më tha ta lajmëroja për çfarë do situate që do më servirej.” Jemi të gjithë në merak për Skerdin, por dhe për ty.” I shkrova numrin,i shënova emrin, i bèra zile, i thashë emrin tim të gjatë, shkurt Er, mirënjohëse i premtova se do ta lajmëroja patjetër, sapo të isha me Skerdin. Më ishte gjëndur!

Apartamenti ishte në erresirë, gjurmë Skerdi nuk kishte, telefoni i tij vazhdonte i mbyllur, unë e pafrymë u zvarrisa drejt dushit pushtuar nga ankthi mbytës. Uji i dushit bashkohej me lotët e mi ndërkohë që përpiqesha të rregulloja frymëmarrjen, të rifitoja qetësinë, të mendoja pozitivisht. Ishte një gjysemnate për t’u kaluar. Vendosa të fle, hoqa çelësin nga pas derës, pashë orën, pothuajse 4 e mëngjesit. Sms dërguar Skerdit vajtën tek ai. Telefoni u hap. Syhapur prisja përgjigje. Sms e mia të shqetësuara nuk e kishin shqetësuar.

“Flasim kur të vi, “më shkroi. As ndjesë, as puthje, asgjë. Ndërsa bëhesha gati të humbesha në gjumë, u kujtova dhe i shkrova Ernestit:” Faleminderit për ndihmën, Skerdi ka humbur në drejtim të paditur, asnjë nuk e meriton të lesh festën në mes!”

Er’ Erajla
“Faleminderit, më qetësove” ishte përgjigja.

Unë u krolla në gjumë të thellë vdekjeje. Në pragdrekë, kur hapa sytë, isha sërish vetëm. Kur çelësi i Skerdit hapi derën e apartamentit tonë të përbashkët, unë i ktheva kurrizin derës. Nuk kisha asnjë kureshtje, asnjë iluzion, asnjë ndjesi.

Er’ peshperiti Skerdi, ne duhet të flasim të dy!

Kurrizi i kthyer më mbronte nga sytë e tij, nga fytyra e tij, nga qënia e tij.

Nuk lëviza nga vëndi. Ai u afrua dhe bëri të më përkëdhelte kurrizin. U drodha.

“Er, të kam tradhëtuar! Kam rënë në dashuri me një vajzë tjetër, nuk po gjeja dot mënyrën për të ta thënë. Nuk doja të të gënjeja më!”

Ndjeja vetëm lotët që rrëshqisnin faqeve , qënies sime, trupit tim.

“Lëre çelësin mbi tryezë dhe ik, i thashë. Më shkruaj ku do të t’i dërgoj rrobat, uroj mos shihemi më kurrë. Më preve në besë,” pëshpërita.

“Dua të të shoh sytë”- më tha, ” dua të ndahemi si miq, si njerëz civilë, të kultivuar,”- këmbënguli Skerdi.

Brofa e zëmëruar, sytë të shkëndijuar nga lëndimi dhe zemërimi, i kërkova çelësin, ia mora,e shtyva drejt derës , ia përplasa pas shpine….dhe u ula rreshqitazi derës e u plandosa për tokë. Pas një muaji do mblidheshim si gjithmonë te bar Sofia për të festuar dhjetëvjetorin e dashurisë .

Pothuajse e pajetë u shtriva dyshemesë së pasderës së shtëpisë së marrë me qera dhe i lashë lotët të kombinoheshin me gjumin e pavetëdijshëm, me zilen e derës që binte hera herës, me heshtjen e celularit që nuk kishte më bateri, me këmbanat që binin jashtë e brënda trupit tim .

Pothuajse 3 ditë vajtova veten,pafatin, dashurinë e humbur…

Ditën e katërt i thashë vetes ” të duhet një dush” dhe u lava me ujë të ftohtë . Karikova celularin dhe u shtriva në krevat . Sms dhe thirrjet e humbura vërshuan në ekran. Vetë Skerdi ishte merakosur për mua, puna më kujtonte raportin , miqtë më këshillonin” Duaj veten!”

Ernesti më shkruante telegrafisht:” të shtunën të pres per kafe te bar juna”

Nuk e dija ç’ditë ishte, pashë se kisha dy ditë kohë për gjithçka dhe ia futa sërish gjumit. Më zgjoi një zile telefoni. Një mikesha jonë e perbashket donte të na ulte sëbashku mua dhe Skerdin.

Më flihet, i thashë, më flihet shume, i mbylla celularin dhe u ktheva në anën tjetër, si një Er pa të ardhme.

Dhe një herë Ernesti

Po shkoja drejt të 50 – tave dhe ende nuk kisha realizuar planet e mia individuale. Isha endur pasioneve, trilleve fitimprurëse, ndryshimit të partnereve, bizneseve të shperndara andej e këtej. Paraja nuk më mungonte, femrat jo dhe jo, epshi ndizej e shuhej sipas momenteve, ndihesha i ngopur me gjithçka, veç ndihesha pa familje.
I vetmi qëllim që i kisha vënë vetes që i ri ishte të martohesha,të kisha dy fëmijë, vajza i doja, të kujdesesha për to, t’u siguroja ç’ më kishte munguar mua. Familja! Pothuajse e kisha harruar betimin kur humba Marën nga një trill pasioni për Flonjan.

Mara në mëndjen time ishte nëna ideale e fëmijëve të mi të ardhshëm. Po trillet e mia pasionante u poqën me vonesë. E lashë gruan ideale për aventurën time marramendëse me Flo – në që më çmëndte,më tërbonte, më çonte atje ku nuk më kishte çuar asnjë grua , nuk më çon asnjë grua,nuk do të më çojë më asnjë grua! Mbyll sytë dhe endem nëpër trupin e saj akoma. Nuk e di pse ishim prerë fizikisht për njëri tjetrin. Mendoj se ajo edhe më donte! Unë doja Marën, imazhi i saj plotësonte fizionominë e bashkëshortes besnike në krahun tim, nënën e devotshme të fëmijëve të mi. E humba pa filluar! Instiktet dhe Flo më çuan në shtigje të errëta të njohjes së vetes fizikisht, sensualisht, seksualisht. Flo më ndihmoi të njihja trupin e ndërlikuar të femrës, kufijtë që mund të mbrrija, kufijtë që mund të shkelja, ç’ mund të tejkaloja, ç’ mund tē mbrrija. Njoha veten time të keqe tek prenotoja klientë të pasur që çmendeshin pas Flonjas.

Flo çmëndej pas meje, ata çmendeshin pas Flonjas, unë e dëshiroja thellë, shumë, por nuk e shikoja dot si gruan time të ardhshme. Më ishte lutur për një fëmijë, më ishte përgjëruar për jetë të perbashkët. Nuk e bëja dot! Nuk e kisha ruajtur, nuk e kisha mbrojtur, e kisha çuar krevat më krevat, hotel më hotel. I kisha ruajtur vetëm clasin e klientëve. Kushtonte shtrenjtë! Ishte mantenutë clas! Ndofta kjo ka qënë dhe arësyeja që nuk bëhesha xheloz për të. E shikoja si partnere biznesi, llogaria e saj mbushej korrektësisht, pothuajse si e imja. E doja aq sa mos të sillesha keq me të! Ajo , për hir të ndjenjës për mua,kishte pranuar ç’i kisha propozuar. Kur ma jepte keq për Flo-në më errej truri, bëhesha keq, ndizesha keq, nuk e kisha mendjen asgjëkundi, thjeshtë doja të isha me të, të bëja gjithçka me të, pafundësisht, pambarimisht.Asnjë tjetër nuk më përmbushte si ajo.

Prej 10 vitesh kjo histori, ndofta dhe më shumë.

Nëse në mesazh shkruaja “Flo!”, Flonja gjente mënyrën për t’u çliruar nga të gjitha impenjimet, ku e kisha përfshirë për hir të parasë.Di që kemi ndënjur bashkë dhe njē javë variacionesh, sidomos vitet e para.Bisedat tona ishin të çlirëta,akti i dashurisë i marrë, seksi i çmëndur, pas seksi tërbim. Flo ishte çmënduria ime, unë isha çmënduria e saj! E në këtë pikë vlimi kritike për të dy ne, unë zgjedh një tjetër grua si mama tē fëmijëve të mi. Duke lënduar Flonjen por edhe lirinë dhe dëshirat e mia fizike.
Mara ma refuzoi prerë ribashkimin! Me dinjitet! Bëri mirë! Do më ishte komplikuar sërish jeta mes Marës e Flonjas.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas