Nga Oralda Lahe
“Errësirë’’ është ekspozita më e fundit dhe tepër e pëlqyer në Tiranë. Artisti bashkëkohor Oltsen Gripshi vjen me origjinalitetin, formën, mundësinë për të depërtuar ndjeshëm tek publiku, artdashësit. Guximi i tij vjen në sajë të fotove dhe më shumë se kaq në saj të disa elementëve të fortë që jehojnë për një kohë të shkuar, të largët në vite, por tepër të njohur për vendin tonë.
Gripshi të gjithë ekspozimin e tij e ka ideuar dhe vendosur pikërisht tek Muzeu Kombëtar i Përgjimeve të Sigurimit të Shtetit “Shtëpia me Gjethe’’. Në tunelin e panjohur para viteve ’90, aty ku përgjoheshin dhe shkruheshin fatet e gjithkujt dhe për gjithçka.
Personalisht më jep një ndjesi të çuditshme, të frikshme dhe ndoshta as vetë nuk di si ta përcaktoj gjendjen time prej saj. Në vizitën e ekspozitës kupton shumë nga simbolika dhe domethënia e saj, një tunel që të fton të kuptosh shumë nga një familje, breza që bëhen bashkë në saj të një konceptimi të gjetur siç duhet.
Gripshi është një artist që nga ekspozita në ekspozitë kupton shumë prej tij, botës dhe realizimit të një pune të gjatë. Ekspozita konkretizon dëshminë e një familje të persekutuar fill pas ’45-sës, e cila fillon me gjyshin e artistit si tregtari i parë i vajit të ullirit dhe miellit me Italinë , ndër familjet e para borgjeze shqiptare e deri tek motra e tij të cilës në fund të viteve ’80-të iu mohua e drejta për të studiuar pikturë në liceun “Onufri” të Elbasanit.
Vegimet e një të shkuare, që formësojnë individin e të tashmes, i cili brenda mureve të tij të mishtë ka varur kujtimet për të mos harruar kurrë të shkuarën e dhimbjes së tij. Këtë ndjesi artisti e përcjell më së miri me disa portrete fëmijësh të pa lindur ende, imazhi i të cilëve sfumohet, gati zhduket në bardhësinë e sfondit verbues, si për të thënë se fati i tyre ishte i shkruar që në embrion.
Përballë tyre qëndrojnë të mbyllur brenda një kornize zinxhirë të ndryshkur, ku ironia dëshmon që dikur, ata ngujuan shpirtin e qenies njerëzore, ndërsa sot janë pikërisht ata të ngujuar brenda një kornize, si për të muzealizuar atë çfarë ndodhi gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Portretet e shfaqura janë të kompozuar në mënyrë të shkompozuar, fytyra të deformuara që përcjellin drejtpërdrejt tek publiku çekujlibrimin psikik dhe ankthin e një përjetimi, aq sa sipër mbi krye të vetportretit të artistit Gripshi ndodhet një kërmill i tjedukshëm prej qelqi, si simbol i brishtësisë në teh të një humnere ekzistenciale për të cilën koha dukej sikur kishte ndalur së ekzistuari.
Të një ndryshimi që as mund të imagjinohej se do të ndodhte, ndjesi grryrëse tek shikon këtë vetportret të prerë fashë e më pas të gozhduar ashtu dhimbshëm në mënyrë të çrregullt në murre. Një dhimbje që thërret atë të pasionit të Krishtit të gozhduar mbi kryq, ashtu ishte dhe fati i një familje, por që sot historia e së cilës shkrihet në estetikën e një ekspozite.
Një ekspozitë që brenda saj ka shumë mesazhe, për individin, unin, jetën, kalvarin e dhimbjes edhe për ata që nuk ia dolën t’i mbijetonin atij regjimi, sjell në këtë ekspozitë nëpërmjet instalacionit të 70 kanotiereve të bardha të cilat qëndrojnë varur, ashtu të heshtura, pajetë e në fund e errëta jep shpresë, ndoshta për një botë më të mirë, me të vetmin portret me ngjyra, atë të vajzës së tij Emily, ku sipas konceptit të rrëfyer nga vetë Oltsen Gripshi është se në të drejtën natyrore të Kantit ne lindim të lirë dhe të atillë duhet të vdesim. /Liberale.al/