fbpx

Aktualitet

Personazh/Salianji, demokrati i betejave në bankën e të akuzuarve





               Publikuar në : 09:48 - 12/10/19 |
Mapo.al

Ervin Salianji i PD-së, është gjithnjë nën vëmendjen mediatike. Kjo është zgjedhja e tij. Ai ka qenë në mënyrë të vazhdueshme në një lloj ‘lufte’ me qeverinë. Së fundmi, rrezikon të penalizohet nga gjykata, për kallëzim të rremë, pas një procesi shumë të komplikuar e të koklavitur gjyqësor.


E qartë është se ai duhet të bëhet shembull. Qeveria ka nevojë të tregojë se rasti i famshëm, i njohur si “babalja”, është një sajesë e SHQUP-it, dhe jo ashtu siç PD beson, se kemi të bëjmë me një aferë që tregoi se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, qe i përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe në organizim të trafikut të drogës në Vlorë.



Qeverisë nuk i mungojnë mundësitë dhe instrumentat. I ka të pafundme për të kthyer në favor të saj një proces, sidomos gjyqësor.


Por ajo çfarë bën përshtypje është kjo. Të njëjtët dëshmitarë që denoncuan implikimin e vëllait të ish-ministrit, që për qeverinë janë zuzarë e mashtrues ordinerë, pikërisht këta njerëz përfaqësues sipas saj të malavitës, qenkan të vlefshëm dhe dinjitozë për të dënuar opozitën dhe njeriun e saj.

Një kontradiktë e thellë kjo që manifeston se nuk kemi të bëjmë edhe aq me një proces gjyqësor, por me një shqyrtim politik të rastit.

Ervin Salianji është një ish-deputet dhe përfaqësues nga radhët e të rinjve në PD, që nuk ka përtuar të përfshihet në beteja, përplasje, konflikte dhe zhurma të vazhdueshme. Ka disa stile të të bërit politikë dhe opozitë. Disa mendojnë se duke u shpallur si kritizerë me etikë dhe duke folur në përgjithësi, ruajnë lëkurën e tyre dhe tregojnë se po luftojnë.

Ka nga ata që futen në llogoret më të zjarrta, përmendin emra, denoncojnë me një lloj entuziazmi, lidhje dhe qarqe të caktuara, dhe shpesh duke marrë jo pak kosto dhe goditje.

Salianji bën pjesë tek ky grupimi i dytë. Ai ka plot të meta. Ata që e njohin, dallojnë se ndryshe nga rastet kur dikush kontrollon ambicien, tek ky, është ambicia që kontrollon atë. Kjo e ka bërë të ketë jo pak njerëz që nuk e duan. Po askush nuk mund të thotë se ai nuk është njeri i betejave të forta dhe një luftarak, në terren, në studio, apo kudo që e lyp nevoja.

Rasti i fundit, çështja “babale” është një patate e nxehtë. Qeveria ka nevojë të bëjë një shembull, për të shkurajuar deri diku opozitën. Përtej fakteve, një gjë është tashmë e njohur dhe e provuar. Ky është një proces mirëfilli politik, një nevojë e rilindjes për t’u pastruar nga një akuzë mjaft e rëndë. Tahiri kaloi me një dënim me shërbim prove. Xhafaj duhet të mbyllet me një kallëzim të rremë…


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas