Aktualitet

“Është delir totalitar”/ Gjekmarkaj: Ja për çfarë e sfidoj Ramën publikisht





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:51 - 10/04/20 |
mapo.al

Analisti Agron Gjekmarkaj akuzoi kryeministrin Edi Rama se po bën propagandë me situatën e krijuar nga koronavirusi dhe po shfaqet si hyjnor, me qëllimin e vetëm që fitojë sa më shumë pushtet personal dhe të ngjallë frikë te qytetarët.


Duke folur në një lidhje me “Skype” në News24, Gjekmarkaj tha se nuk është meritë e kryeministrit që njerëzit po qëndrojnë nëpër shtëpi, por është fakti se ata e kuptuan rrezikun e këtij virusi.


Mes të tjerash, analisti u ndal dhe te paketa e ndihmës për biznesin, ku tha se Rama duhet të përfshijë në të edhe mediat e gazetarët, duke shtuar se vetëm nëse do të bënte një gjë të tillë, do t’i thoshte ‘Bravo Edi Rama’.


“Kemi shtim të propagandës nga ana e qeverisë. Shoh dhe një tendencë, ku ka një tendencë për të marrë sa më shumë pushtet personal dhe për të ndjellë frikë.


Nuk dua të them se s’duhet të ndëshkohen ata, sidomos ata në mënyrë të qëllimshme, do dilnin në rrugë për të infektuar të tjerët, se do ngjanin si killer serial, por shqiptarët janë treguar të përgjegjshëm.

Është delir totalitar, në mënyrë që Rama të perceptohet si një dorë e fortë, pasi të mbarojë kjo situatë. Unë këtë e refuzoj dhe e sfidoj. Unë e sfidoj publikisht se një ligj të tillë nuk e zbatoj. Nuk është se nuk kam frikë të shkoj në burg, por nuk i trembem as burgut.

Ata që e bëjnë me qëllim dhe evidentohen si të tillë meritojnë çdo lloj ndëshkimi, por duhet të jemi të ndershëm për ta përcaktuar këtë. Ne bëhemi më katolikë se Papa dhe shkojmë deri në 15 vite burg, kjo ka vetëm një qëllim, për ta prezantuar kryeministrin si një njeri që duhet patur frikë. Unë e refuzoj këtë.

Njerëzit janë ndërgjegjësuar, nuk them se qeveria ka vepruar keq. Nëse shohim edhe vendet e Ballakanit, trendi është i njëjtë. E vetmja gjë që këtu nuk funksionon është numri i të vdekurve, që është shumë i lartë, si dhe nuk ka transparencë të tamponëve. Nuk dua të përhap panik, por faktet do të ishin ato që do na ndihmonim, nëse do të kishim më shumë tampone”, tha Gjekmarkaj.

Pse qëndruan në shtëpi qytetarët, nga frika e kryeministrit?

Nëse populli do i kundërvihej kryeministrit, ky i fundit nuk do të kishte asnjë forcë. Njerëzve iu duheshin ca ditë për të kuptuar atë që po ndodhte. Në fillim njerëzit dilnin, pastaj ndërhyri qeveria duke bërë gjënë e duhur. Njerëzit pastaj e kuptuan se nuk duhet shkuar më atje, dhe jo se patën frikën kryeministrin.

A përfitoi kryeministri në këtë situatë?

Njerëzit e kuptuan që ky është një rrezik, që kjo ishte e vetmja mundësi. Ai që ka abuzuar maksimalisht është kryeministri me propagandën, është shfaqur si hyjnor. Ka përdorur sondazhe qesharake, që as Enver Hoxha nuk pati guximin ta bënte. Kjo më shqetëson. Në vend që të merret me një paketë ekonomike, t’iu ofrojë siguri njerëzve.

Pritet zgjerim i paketës për biznesin, çfarë do të sugjeronit ose çfarë prisni të shtohet në të?

Gjithë ata që janë në nevojë jetike për bukën e gojës, që kanë mbetur pa punë, që janë shumë, biznesi i vogël dhe i mesëm, që janë motori i këtij vendi, mediat, që janë në vështirësi të madhe.

Se si duhen ndihmuar, me taksa, me forma të tjera financiare, kjo mbetet për t’u parë, por një media e rrënuar është problem, do kemi një standard demokratik shumë të munguar. Media ka një rol të jashtëzakonshëm në informim. Shumë gazetarë do donin të ishin me familjet e tyre, por janë në rrugë, tek Infektivi, duke informuar. Ata duhen ndihmuar.

Pse s’po ndihmohen?

Dihet raporti që ka kryeministri me mediat, i quan kazanë, kadrinj, pasqyra e thyer e realitetit, e ka quajtur si një dezinformim i madh, si ura e këputur mes shoqërisë, kur në fakt ka qenë e kundërta.

Ai nuk është shumë i dashur me mediat. Te paketa e ndihmës duhet të përfshijë dhe mediat e gazetarët, do ishte gjest i vlerësuar dhe nuk do të hezitoja të thoja “Bravo Edi Rama”.

Nga e hëna ndryshon fasha e lëvizjes, jemi gati për lehtësim të situatës?

Këtë që ka lajmëruar kryeministri Kosova e ka pasur që në fillim, por kjo s’do të thotë që njerëzit të ulin vigjilencën. Krahas liberalizimit të masave, duhet shtuar fuqishëm beteja për ndërgjegjësim, që njerëzit të zbatojnë masat. Beteja me virusin nuk është afatshkurtër, derisa të dalin ilaçet, që ta parandalojnë në mënyrë masive.


Etiketa: , ,

Pas