Mapo Letrare

Është koha për dashuri






               Publikuar në : 15:48 - 08/06/19 |
mapo.al

SAIT FAIK ABASËJANËK


U lind më 18 nëntor 1906 në Sakarja dhe vdiq më 11 Maj 1954, (47 vjeç), në Stamboll. Njihej edhe si Adali, S.F. Poet, shkrimtar. Shkroi Bibliografi të përzgjedhura si: Kafeneja e mëhallës (1950); Zogjtë e fundit (1952); Tani është koha për t’u dashur (1953) poezi; Ambicja për të jetuar; Georges Simenon (1954) përkthim.

ËSHTË KOHA PËR DASHURI

Unë duhet të bëj skulptura të zhveshura
Skulptura të lakuriqta
Për ëndrrat tuaja të shijshme
Ej ti mjekërrbardhë me kasketë që kalon para meje,
Ti lypës
Që nga rreckat e shqyera të duken muskujt
Në fillim do të të bëj të ndjesh
Shijen e poezive
Shijen e dashurive
Do të të bëj t’i ndjesh nga librat
Nga pikturat do të ti shpall, nga pikturat…

Shiko atë djalin e vogël
Si tund furçën
Në këmbët aromatike të tregtarit të tekstileve
Do t’i japë dhjetë qindarka
Nga katërqind mijë të ofruara.

Po unë ty fëmijë
Nuk të shes dot
As për katërqind mijë
Sa vetulla të bukura ke
Sa kyçe të bukur
Çfarë duarsh ke, çfarë duarsh!

Duhet të flas,
Jo
Jo… duhet të ulëras shesheve
Se si tymosin brenda meje
Trëndafilat e këtij vogëlushi
Në një kafene të qytetit Anadoll
Në stinën e qershive
Kur është koha për dashuri.

Unë ty
Duhet të të bëj të shohësh piktura,
Të lexosh poezi
Poezi që të lënë pa frymë…
Është stina e qershive, e qershive
Dhe një e Diel për t’u sharë
Një grua kalon me zambakë në duar
Me disa shishe kos një tjetër grua
Një bojaxhi fëmijës i tund furçën
Në kafenenë e bashkisë
Ende ajo këngë e vjetër, mashtruese
Ajo këngë e patrajtë bizantine.

Si të të gjej unë ty, nga ta di,
Çfarë të bëj, si t’ja bëj
Të ulëras shesheve
Apo në krye të rrugicave të këndoj
Të tregoj që stina e qershive
Nuk është stinë për të fituar para
Por është kohë për dashuri…

Sikur vetëm një herë të shpallja bukurinë tënde,
Shijen tënde
Pastaj të ulesha dhe të qaja me dënesë
Për ditët e mia të kota,
Për ditët ku heshta, ku nuk ulërita
Dhe djali i këtij vogëlushi të bukur me vetulla të trasha
Mbi varrin tim sikur të lexonte një poezi
Nga Karaxhaogllan
Nga Junus Emre
Nga Orhan Veli…

*
Sa me fat është qyteti ku ti merr frymë
Kush e di, duhet të ketë edhe zogj që zëri yt ju duket qiell…

SEBAHATTIN ALI

U lind me 25 Shkurt 1907 në Egridere, Perandoria Osmane dhe vdiq me 2 Prill 1948 (41 vjeç) në Kirklareli, Turqi. Ishte shkrimtar, poet, mësues, përkthyes dhe shkroi: Djalli brenda nesh, (1940 roman); Madonna me qyrk (1943 roman); Serenata e bretkosës. (1937 poezi).

MALET

Koka ime është mal, flokët dëborë,
Kam erëra të çmendura,
Të ngushta janë fushat për mua,
Shtëpia ime janë malet.

Qytetet për mua janë kurth,
Bisedat e njerëzve të ndaluara,
Larg meje rrini, larg
Shtëpia ime janë malet.

Me zemrën time ngjajnë gurët,
Zogjtë cicërojnë madhërisht,
Me kokat e tyre pranë qiellit
Shtëpia ime janë malet.

Në m’u njohshin vlerat një ditë,
Në m’u marrtë emri në gojë,
Në pyettë njeri vendin tim
Shtëpia ime janë malet.

MAJI

Maji është trëndafili i muajve
Kërcelli i lules së njomë
Brenda vetes mbushem zjarr
Në Maj shpirti më çmendet.

Shtegtohet në male të gjelbër,
Pihet verë e kuqe
Që gjysma i derdhet e shpërndahet
Në Maj, shpirti më çmendet.

Shtrihesh drejt qiejve,
Na harrohen hallet
Hidhen dashuritë e vjetra,
Në Maj, shpirti më çmendet.

Nga larg na thërrasin zogjtë
Më zgjerohet, më ushqehet shpirti,
Dëshira për jetën lind,
Në Maj, shpirti më çmendet.

Fryjnë fllade të lehtë
Dashuria ime ecën mbi bar,
Padashje më buzëqesh,
Shpirti më çmendet në Maj…

*
Ti e di pse shoh gjithmonë larg
Jetoj me një botë brenda vetes ku nuk jetohet…

*
Po ti mos harro
Në errësirën time mes muresh të gurtë
Dritare tjetër s’ka
Përveç teje…

*
Tani dua të mbështetem tek ti pranë mallit tim
Të ta përqafoj heshtjën time të poezisë
Pikërisht tani…
Të ta puth këngën që kam harruar.

ASAF HALET ÇELEBİ

U lind me 27 Dhjetor 1907, në Stamboll dhe vdiq 50 vjeç me 15 Tetor 1958, në Stamboll. Ka veprat: Lamelif (1945); Rubaira të përzgjedhura (1945); Përsonaliteti dhe jeta e Mevlana-Rumi (1940); Gjuha e folur franceze (1940).

XHEPI

Unë ty të gjeta në ëndrrat e mia
Dhe ngaqë i pëlqeva shumë
Nuk desha të dal më prej andej
Tani jemi thellësive
Dhe gjërësive
Por përsonalisht
Ëndrra është e imja.

Vetëm e shoh
Shoh veten brenda vetes
E shoh vetëm unë ëndrrën
E kam një xhep
Ku brenda është errësirë
Diej prej lodrash dalin prej tij
Kopshte
Dhe dete
Dhe kur mërzitem, ato i fus në xhepin tjetër.

Ti je lodra ime më e bukur
Kur nuk më argëtojnë më kopshtet e mi
Eja
Dhe më gënje…

MARIJA

Larg sa Kina
afër sa shpirti
një vajzë ëndrrash je ti
nga Kina u ktheve
dje
nga Lisbona
sot.

Mbi fytyrën tënde aromë kanelle
shkëlqim në sytë e tu
një ditë do ikësh nga këtu
Mari.

Afër sa shpirti
larg sa Kina
hartave të ngjyrosura të Lisbonës
mbyllur.

Një ditë do ikësh nga këtu
Mari
do të kërkoj në pasqyra
do të kërkoj në këtë qytet
do të kërkoj në këtë botë
Mari.


Etiketa: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

CLOSE
CLOSE
Pas