Nga Ervis Iljazaj
Dje në një takim me studentë të Shkencave politike, Lulzim Basha u tha atyre se sistemi zgjedhor aktual nuk lejon që qytetarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, dhe ai do të bëjë të pamundurën për ta ndryshuar dhe për t’iu dhënë shqiptarëve një sistem zgjedhor dhe një reformë brenda partisë ku të zgjedhin ata kandidatët dhe deputetët.
Kryetari i opozitës ka shumë të drejtë, dhe sistemi zgjedhor shqiptar duhet të ndryshojë në mënyrë urgjente, mirëpo kjo reformë duket se ka kaluar në plan të dytë për Partinë Demokratike, dhe, me të gjitha gjasat do të kryhet siç ka ndodhur gjithmonë, në momentin e fundit të legjislaturës.
Është në të mirë të vendit dhe vetë Partisë Demokratike ta rimarrë sa më shpejt agjendën e ndryshimit zgjedhor, për arsye strategjike të Partisë Demokratike, por edhe të çuarjes deri në fund të betejës personale të tij, atë të ndryshimit të sistemit politik, që prej shumë kohësh ka qenë kali i betejës.
Sepse, një nga aspektet kryesore të retorikës politike të Bashës, ka qenë pikërisht ruajtja e votës së shqiptarëve dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në këtë kuptim, Basha duhet të dalë me propozime konkrete dhe t’i fusë ato në agjendën parlamentare. Sistemi zgjedhor jo vetëm që do ta ndihmojë për të ndërtuar strategjinë politike, por do të siguronte dhe një nga betejat e tij më të mëdha politike, të paktën kështu na ka lënë të kuptojmë deri më tani.
Ky është momenti i duhur për të siguruar një sistem zgjedhor që të mundësoi përfaqësimin politik, dhe të gjitha instrumentet e duhura për të evituar sa më shumë manipulimin e votës.
Shqipëria është nga të paktat vende në botë, që ligjin zgjedhor, e aprovon pak para zhvillimit të zgjedhjeve, si pasojë e interesave të ngushta politike, duke iu imponuar, ndonjëherë edhe në mënyrë të fshehtë dhe jotransparente, çdo faktori tjetër shoqëror dhe politik.
Ndërkohë që, ligji zgjedhor, është ligji më i rëndësishëm e një regjimi demokratik, dhe kërkon diskutime të hapura dhe mendim nga aktorë dhe faktorë të kësaj fushe, ashtu sikurse ndodh normalisht në vendet demokratike. Sepse jo vetëm që është instrument i demokracisë direkte, por është edhe ligji nga i cili varen shumë raporte të tjera institucionale, sidomos, ato midis qeverisë dhe parlamentit.
Në fakt, në fillim të kësaj legjislature, Partia Demokratike thirri një komision për reformën zgjedhore, por më pas për shkak të ngjarjeve politike ajo kaloi në plan të dytë, iniciativë e cila përbënte një risi për politikën shqiptare.
Debatet se çfarë sistemi zgjedhor i duhet politikës shqiptare janë të shumta, po ashtu edhe modelet, e rëndësishme është që këto debate të fillojnë sa më shpejt, dhe, Partia Demokratike duhet të bëhet promotori i këtyre debateve.
Nuk ekziston një sistem zgjedhor perfekt, kështu që asnjëherë nuk mund të arrijmë në një model që ta konsiderojmë të tillë. Rëndësi ka që ligji zgjedhor të sigurojë dy gjëra thelbësore: E para të mundësojë përfaqësimin politik, dhe, e dyta, të mundësojë një qeveri të qëndrueshme.
Nëse do të kemi një sistemi i cili mundëson këto dy aspekte, atëherë, nuk ka rëndësi nëse është proporcional, mazhoritar apo miks.
Për të gjitha këto arsye, për rëndësi që ka ligji zgjedhor në kontekstin politik shqiptar, ai duhet të kthehet në krye të agjendës së opozitës.
Mediokriteti dhe injoranca ka mberthyer median shqiptare me militantizmin per Berishen!
reform zgjedjore me negjmijen,spartak brahon,gramoz ruqin,fatmir xhafen,edvin kristaq spiro kolek ramen,pionerin e enverit balla,iljazaj,muq nano,nazarko etj i bie si me then qe shqiperia neser nis anijen kozmike per mars.