Nga Ervis Iljazaj
Duket sikur opozita shqiptare dhe Partia Demokratike, çështjen e reformës zgjedhore e ka lënë në plan të dytë. Kjo për arsye edhe të ngjarjeve të fundit që kanë ndezur klimën politike në vend. Ditët e fundit, të paktën nga institucionet ndërkombëtare, kjo çështje është kthyer në vëmendje të politikës shqiptare, si një aspekt shumë i rëndësishëm i realizmit të disa standardeve, të cilat ndihmojnë vendin në procesin e integrimit.
Megjithatë, reforma zgjedhore, përtej çdo standardi ndërkombëtar që mund të realizojë, ka një rëndësi thelbësore për vetë opozitën shqiptare dhe aksionin e saj opozitar. Nuk kuptohet se përse opozita e ka lënë jashtë agjendës së saj një ligj kaq të rëndësishëm. Me të gjitha gjasat do të kryhet siç ka ndodhur gjithmonë, në momentin e fundit të legjislaturës.
Është në të mirë të vendit dhe vetë Partisë Demokratike ta rimarrë sa më shpejt agjendën e ndryshimit zgjedhor, për arsye strategjike të Partisë Demokratike, por edhe të vazhdimit deri në fund të betejës personale të Lulzim Bashës, atë të ndryshimit të sistemit politik, që prej shumë kohësh ka qenë kali i betejës së tij.
Sepse, një nga aspektet kryesore të retorikës politike të Bashës, ka qenë pikërisht ruajtja e votës së shqiptarëve dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në këtë kuptim, Basha duhet të dalë me propozime konkrete dhe t’i fusë ato në agjendën parlamentare. Sistemi zgjedhor jo vetëm që do ta ndihmojë për të ndërtuar strategjinë politike, por do të siguronte dhe një nga betejat e tij më të mëdha politike, të paktën kështu na ka lënë të kuptojmë deri më tani.
Ky është momenti i duhur për të siguruar një sistem zgjedhor që të mundësojë përfaqësimin politik, dhe të gjitha instrumentet e duhura për të evituar sa më shumë manipulimin e votës.
Shqipëria është nga të paktat vende në botë, që ligjin zgjedhor, e aprovon pak para zhvillimit të zgjedhjeve, si pasojë e interesave të ngushtë politikë, duke iu imponuar, ndonjëherë edhe në mënyrë të fshehtë dhe jotransparente, çdo faktori tjetër shoqëror dhe politik.
Ndërkohë që, ligji zgjedhor, është ligji më i rëndësishëm i një regjimi demokratik, dhe kërkon diskutime të hapura dhe mendim nga aktorë dhe faktorë të kësaj fushe, ashtu sikurse ndodh normalisht në vendet demokratike. Sepse jo vetëm që është instrument i demokracisë direkte, por është edhe ligji nga i cili varen shumë raporte të tjera institucionale, sidomos , ato midis qeverisë dhe parlamentit.
Në fakt, në fillim të kësaj legjislature, Partia Demokratike thirri një komision për reformën zgjedhore, por më pas për shkak të ngjarjeve politike ajo kaloi në plan të dytë, iniciativë e cila përbënte një risi për politikën shqiptare.
Debatet se çfarë sistemi zgjedhor i duhet politikës shqiptare janë të shumta, po ashtu edhe modelet, e rëndësishme është që këto debate të fillojnë sa më shpejt, dhe Partia Demokratike duhet të bëhet promotori i këtyre debateve.
Nuk ekziston një sistem zgjedhor perfekt, kështu që asnjëherë nuk mund të arrijmë në një model që ta konsiderojmë të tillë. Rëndësi ka që ligji zgjedhor të sigurojë dy gjëra thelbësore: E para, të mundësojë përfaqësimin politik, dhe, e dyta, të mundësojë një qeveri të qëndrueshme.
Nëse do të kemi një sistemi i cili mundëson këto dy aspekte, atëherë, nuk ka rëndësi nëse është proporcional, mazhoritar apo miks.
Për të gjitha këto arsye, për rëndësinë që ka ligji zgjedhor në kontekstin politik shqiptar, ai duhet të kthehet në krye të agjendës së opozitës.
Nuk i intereson sepse do t’i fitoje zgjedhjet ne tavoline dhe jo ne kuti. Gjerat me normale si raundi i dyte, apo korrigjimi kombetar nuk behen se prishin pune. Nuk do pasha kallaballek thote populli. Ne bote (France p.sh. dy te paret marrin me pak se 50%) raundi i dyte nxjerr fituesin, pasi me pare jane testuar edhe “te vegjlit” dhe nuk ekziston frika se me shkon vota dem dhe fiton qoftelargu. Ketyre taneve nuk i intereson nderrimi i sistemit se ne fund duhet ndare tepsia dhe rritet pazari i te vegjelve se bejne presion “ika te tjetri”. Si gjithmone edhe kete rradhe do bejne ndonje ndryshim ne muajt e fundit sa per keto zgjedhjet e rradhes e pastaj nja 6 muaj do na qahen ne “na e futi” ky e ai.