Aktualitet

Eskili, Kalaja, Soreca dhe vetëpërmbajtja e arsyeshme














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:11 - 15/07/21 |
Genc Pollo

“Kur në një grindje me një kundërshtar duke kërkuar të drejtën tënde legjitime ti ekzagjeron, atëherë e drejta mund të të braktisë; dhe më keq akoma e drejta mund të kalojë edhe në krahun e kundërshtarit tënd”.






Ishte Eskili i madh para 2500 vjetësh ai që ka lënë një formulim mbresëlënes të këtij parimi moral në tragjeditë e tij Lutëset e Persët. Pas këtij vigani të Greqisë klasike ky parim gjeti udhë e u konsolidua në kulturën e ligjshmërinë europiane.


Mendova se është rasti ta sjell në vëmendje këtë parim eskilian teksa lexova se një aktiviste e Aleancës për Teatrin e fajësoi shefin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë se ishte orvatur të ndikonte Gjykatën Kushtetuese për një vendim në favor të Qeverisë e të Bashkisë në çështjen e Teatrit Kombëtar.







Pak ditë më vonë aktivistja depozitoi një kallëzim penal në SPAK ku përfshihej kërkesa për shpalljen të padëshirueshëm të shefit të Delegacionit.



Prova apo dëshimi për orvatjen e supozuar nuk u bënë të njohura. Me gjasë aktivistja nuk ka të tilla veç dyshimeve e bindjeve të veta. Kaq do të mjaftonte që akuza publike e pastaj penale të shpallet pa vend e pa sens. Për të mos folur për absurditetin juridik të përzierjes së SPAK-ut me persona non grata.
Shumëkush do e kuptonte frustrimin e mosbesimin e aktivistëve pro Teatrit.



Në korrik 2019, Delegacioni lëshoi një deklaratë fatkeqe duke thënë se ligji special Fusha, tashmë i amenduar, garantonte konkurrencën dhe përputhej me direktivat europiane. Reagimet negative në masë bënë që Delegacioni po atë ditë të rinterpretonte deklaratën duke i dhënë asaj një kuptim të kundërt.

Por tashmë dëmi ishte bërë: në konfliktin për Teatrin Kombëtar ku palët perceptoheshin nga publiku si përfaqësuese përkatësisht të Barbarisë e Civilizimit, Delegacioni u duk sikur u rreshtua në anën e gabuar.

Dëmtimi i besimit publik është një kosto e parekuperuar ende sot.

Por të jemi korrekt e t’i shohim gjërat në perspektivë: në vijim Parlamenti Europian, Komisioni Europian dhe disa shtete anëtare të BE bashkuan zërin në favor të kauzës së Teatrit me intelektualë publikë të shumtë nga gjithë Europa përfshi edhe nobelistë.

Si dhe protestuan me zë të lartë kur panë të zhgënjyer se nuk e kishin frenuar dot barbarinë. Besoj që edhe për kaq duhet që të tërë t’u jemi mirënjohës. Sepse në këtë botë të trazuar mund edhe të ishin marrë me hallet e tyre dhe jo me fatet e nje godine të ndërtuar në vitet ‘30. Siç edhe bënë segmente të tjera të komunitetit ndërkombëtar.

Një Shqipëri demokratike e rrënjosur në komunitetin e në institucionet euroatlantike e ka të nevojshme zvjerdhjen nga një lloj vartësie e tepruar psikologjike dhe nga perceptimi ende romantik i tyre. Mund të rastisë që veprime të veçanta të ndonjë funksionari të huaj të motivohen nga moskuptimi, gabimi i gjykimit apo edhe nga neglizhenca e ndikimi i paduhur.

Madje duhet të pranojmë se në raste të veçanta veprimet mund të motivohen nga interesa specialë që mund të mos përputhen me interesin publik shqiptar. Kjo është bota reale në te cilën jetojmë dhe duhet të mësohemi ta përballojmë si të rritur. Por pa cenuar luajalitetin me komunitetin e me institucionet euroatlantike.

Kjo kërkon realizëm edhe në qasjen me Bashkimin Europian. Refuzimi poshtërues i KM Rama ndaj thirrjes së Komisionit Europian (si dhe Londrës e OSBE-së) për emërimin e kryetares së AMA-s nuk ishte ndonjë rrufe në qiell të kaltër.

Ai pasqyron një trend disavjeçar në rajon që karakterizohet nga erozioni i demokracisë e ligjshmërisë, neglizhenca e Brukselit ndaj këtij zhvillimi negativ e si pasojë dobësi i ndikimit transformativ europian. Studiues të shumtë në Europë të alarmuar nga këto konstatojnë në Ballkanin Perëndimor po bëjnë thirrje për një qasje më shumë efektive e më pak burokratike. Por ky rishikim do të marrë kohë.

Ndërkohë është e gabuar të ekzagjerohet duke transferuar fajet e korruptokratëve vendas te diplomatët europiane. Fajtorët për barbarinë e Teatrit janë Rama e Veliaj. Madje edhe turmat pa ndërgjegje të deputetëve e këshilltarëve që votuan qorrazi nuk e meritojnë dhe aq këtë cilësim.

Por të shpallësh të tillë shefin e Delegacionit është jo vetëm e çuditshme por edhe amorale si dhe kundërproduktive. Mbase është thjesht një lajthitje vere. Unë, si dikush që ka parë tek Aleanca për Teatrin lëvizjen qytetare më të bukur në dekadat e fundit, do të shpresoja që ata të korrigjonin kursin e ta arkivonin këtë episod duke tërhequr akuzat e duke kërkuar ndjesë; në mënyrë që të mund të përqendrohen te barbarët realë e kauza fisnike e rindërtimit të Teatrit siç ishte.

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas