Një ministër i qeverisë së Estonisë dha dorëheqjen dje, një ditë pasi u emërua. Marti Kussik u betua ditën e hënë si ministër i Tregtisë dhe Teknologjisë, por disa orë më vonë u vu nën hetim nga policia nën akuzën e dhunës në familje.
Përfaqësuesi i Partisë Popullore Konservatore të Estonisë (EKRE), i cilësoi akuzat ndaj tij shpifje.“Më lejoni të konfirmoj përsëri se akuzat e bëra kundër meje janë shpifje, unë nuk përfshihem në dhunë”- u shpreh Kuusik duke i cilësuar më tej si produkt të “një sulmi të tmerrshëm mediatik”.
Kryeministri Juli Ratas, i cili udhëheq qeverinë e koalicionit prej tre partive, ku bën pjesë edhe EKRE, u shpreh se ishte i kënaqur me vendimin e Kuusikut për t’u tërhequr nga posti i ministrit, duke thënë: “Nuk ka vend për justifikime apo dyshime, siç e dimë, Estonia ka mijëra viktima të dhunës në familje.”
Kussik ishte në mesin e një kabineti prej 15 anëtarësh të zgjedhur nga Ratas, i cili ka qenë kryeministër i vendit balltik që prej nëntorit 2016.