Ndërsa Komisioni i Rithemelimit përgatitet për Kuvendin e 30 prillit dhe Berisha has rezistencën e kryetarit në detyrë Alibeaj, i cili nuk ka ndërmend të lëshojë terren, të paktën deri në daljen e vendimit të Apelit, që ose mund ta thellonte më tej fushën e veprimit të Berishës dhe mbështetësve të tij, ose ta përmbysë atë
Edhe Sali Berisha, që prej ditësh i është rikthyer rolit tij prej kryetari dhe shpërfill gjithçka ende me statusquo brenda selisë blu, duket jo fort i qetë nga vendimi që pritet të marrë Gjykata e Apelit.
Edhe Alibeaj, kryetari në detyrë i PD-së deri në zgjedhjet e ardhshme merr forcë për të duruar presionin e klanit të Berishës nga verdikti i Apelit, pasi e ankimoi atë të Shkallës së Parë si të paligjshëm dhe në konflikt të hapur interesi. Shpresat që Apeli të flasë pro linjës zyrtare të Partisë Demokratike, deri pak kohë më parë të udhëhequr nga Lulzim Basha dhe të rrëzojë vendimin e Gjykatës së Tiranës janë të mëdha. Ose të vetmet që mbajnë fillin ende të lidhur, që partia të ruajë linjën pro-amerikane e të mos kalojë në anën e kundërt të monedhës, ku zyrtarët e lartë të ShBA-së e kanë thënë qartë se nuk bashkëpunojnë me një kryetar të shpallur “non grata”.
Të martën Berisha iu kthye edhe njëherë betejës me ambasadoren Yuri Kim, ndërsa akuzoi se diplomatja dhe kryeministri i vendit kanë ndërhyrë, duke bërë presione në gjykatë kundër tij.
“Gjykata ka dhënë edhe një vendim. Edi Rama po përdor si mashë e po bën presione në gjykatë. Unë po paralajmëroj se qeveritarë kanë ndërhyrë në gjykatë”, u shpreh Berisha para mediave, ndërsa shtoi edhe përfshirjen e ambasadorëve. Berisha tha se nuk do të përtonte t’i bënte publike të dhënat e siguruara nga dy burime, por të tijat mbetën vetëm kërcënime ndërsa nuk lësho asnjë hollësi konkrete. Për Berishën vendimi i Gjykatës është vetëm certifikimi i fjalës së shprehur të demokratëve më 6 mars, ku grupi i tij arritën të merrnin një bashki dhe të siguronin më shumë vota se sigla e Partisë Demokratike.
Kjo ka bërë që Komisioni i Rithemelimit të mos presë 30 prillin dhe të përshpejtojë lëvizjet brenda godinës. Të mërkurën, Sali Berisha u rivendos në zyrën e re brenda selisë blu, ndërsa Komisioni i Rithemelimit mbajti mbledhje në mbrëmje, një ditë pas debateve të ashpra në takimin e grupit parlamentar. Jo vetëm Berisha kundër Alibeajt, por edhe deputetët e rreshtuar në krah të ish-kryeministrit ushtruan presion ndaj palës tjetër për të tërhequr ankimin në Gjykatë. Ky grupim madje iu referua Alibeajt me të njëjtin etiketim si ish-kryetarit Basha, të cilin Berisha e cilësoi si peng, që pas vendimit për ta përjashtuar këtë të fundit nga grupi parlamentar.
Grupimi i Berishës e ka të qartë tashmë vijën e sulmit ndaj ambasadores Kim, por edhe Sekretarit të Shtetit, ndaj të cilit ish-kryeministri ngriti padi në Gjykatën e Parisit. Pjesa tjetër e PD-së, që i mbeten qëndrimit të shpallur të Bashës për të qenë aleatë me partneren strategjike ShBA, kërkojnë moderimin e termave ndaj ambasadores Kim, etiketuar nga Berisha si guvernatore e Shqipërisë. Kështu qëndrimi ndaj ShBA-së, bëhet vijë e qartë ndarëse mes grupimeve brenda selisë blu.
Ambasada amerikane reagoi dje rreth raportit të Departamentit të Shtetit mbi Shqipërinë, ku theksuan se të drejtat e njeriut duhet të përfshijnë një gjyqësor të pavarur, të lirë nga presioni politik, frikësimi apo korrupsioni.
“Siç vërehet në raportin mbi Shqipërinë të drejtat e njeriut SHBA mbështet me forcë reformën në drejtësi për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, për llogaridhënie të zyrtarëve të korruptuar dhe krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri”, shkruhej në njoftimin e ambasadës.
Ndërsa Komisioni i Rithemelimit përgatitet për Kuvendin e 30 Prillit dhe Berisha has rezistencën e kryetarit në detyrë Alibeaj, i cili nuk ka ndërmend të lëshojë terren, të paktën deri në daljen e vendimit të Apelit, që ose mund ta thellonte më tej fushën e veprimit të Berishës dhe mbështetësve të tij, tanimë të instaluar fizikisht brenda selisë blu, ose ta përmbysë atë duke i dhënë të drejtë palës tjetër.
Në terma konkretë, me Berishën që mban si verdiktin e demokratëve rezultatin zgjedhor të 6 marsit, ndoshta pak ose aspak do të ndryshonte me vendimin e Gjykatës së Apelit, që Rithemelimi ka gjasa të mos e njohë, pasi edhe më herët janë shprehur se çështja është e një natyre që nuk mund të apelohet, pasi ka vetëm një palë. Por megjithatë, derisa zoti Berisha ka nisur mesazhet që shigjetojnë gjykatat dhe një ndikim të pretenduar të kryeministrit dhe ambasadores amerikane, duket se vendimi nuk do të jetë aq i papërfillshëm. S.B/ Gazeta MAPO