fbpx

Op Ed

Etiketimi dhe përdhosja – Triptiku i çuditshëm





               Publikuar në : 11:01 - 18/07/19 |
Erion Kristo

Nga Erion Kristo


Për ta përmbyllur triptikun, do të trajtojmë një kategori të veçantë njerëzish, kategori që është shtuar shumë, sidomos për shkak të rrjeteve sociale. Këta janë njerëzit që flasin pa u menduar gjatë dhe menjëherë të vënë ndonjë epitet, a thua se janë zyra e targave dhe kanë të drejtën e shenjtë të targojnë këdo. Këta janë etiketuesit. Një nënkategori e rëndësishme e këtij grupi janë përdhosësit. Këta jo vetëm që të etiketojnë, por këta edhe të përdhosin, të fyejnë e të sakatojnë shpirtërisht.



Këto kategori janë shumë më të gjëra se sa duam të themi rreth rrjeteve sociale. Sepse këto kategori tashmë janë kthyer në realitete jetësore, edhe pse populli ynë ka qenë një popull që të folurën e ka pasur të rëndësishme. Flasim për rrjetet sociale fillimisht, për të treguar një derexhe dhe për të kaluar pastaj te nivelet e tjera të etiketimit dhe përdhosjes.
Çfarë ndodh me etiketuesit? Mjafton një postim çfarëdo i një mendimi çfarëdo dhe menjëherë shumica e lexuesve do të të kategorizojnë si ithtar të ndonjë partie, në pushtet ose në opozitë, në varësi të asaj se si është i pozicionuar komentuesi, por jo komenti që shkaktoi reagimin.


Etiketimi është gjëja më e kollajtë për t’u bërë, edhe pse në fakt është gjëja më e vështirë. Mjafton të shikoni etiketën e një bluze çfarëdo. Do të shihni se ka shumë të dhëna. Të dhënat janë të shumëllojta sepse etiketimi ka nevojë të saktësojë. Ndërsa te ne, etiketimi bëhet me qëllim përdhosjeje. Të etiketojnë si përkatësi e ndonjë grupi të papëlqyer. Etiketimet më të shpeshta janë çiftet komunist/ballist, gay/baxhellë, idiot/trap, rilindas/shqupist, grek/serb etj. etj. Etiketimi plehrë është më i përdoruri absolutisht.

Etiketimet janë mjeti më i lehtë për të zhbërë kumtin e kumtuesit. Në vend që njerëzit të përqendrohen tek ajo çfarë është thënë dhe te dobia e saj, ata përqendrohen te tiparet e fytyrës së kumtdhënësit, te cene të ndryshme, të hamendësime të ndryshme, te ndonjë grimcë informacioni që mund të kenë për personin (informacion që shitet si shumë thelbësor), te ndonjë fiksim, pra te plot gjëra që vetëm me kumtin nuk kanë lidhje.

Gjëja më e kollajtë që qarkullon nëpër rrjetet sociale janë “robt e shpis”. Njerëzit kanë një perceptim fare qesharak për robt e shpis. Ngase nuk u dhimbsen të vetët, ata mendojnë që dhe të tjerët pa diskutim që janë me të njëjtën mendje. Nuk ekziston asnjë njeri që të japë një mendim në një shkrim apo emision, që të mos etiketohet, të mos sulmohet, e të mos linçohet publikisht. Ai vetë dhe robt e shtëpisë së tij. A thua se kur një njeri shkruan apo mendon, e bën këtë si të ishte grup polifonik, dhe jo si individ. Mungesa e respektit për mendimin apo për personalitetin e dikujt, nuk duhej të shoqërohej me përdhosjen e familjarëve të tij. Ky zakon i ndyrë enverist (e futëm kastile këtë përcaktor, këtë etiketim – është sëmundje e rëndë kjo që po përshkruajmë) duhet të zhduket nga kultura jonë publike dhe nga rrjetet sociale. Po si mund të ndodhë kjo? Ndoshta duke pushuar nga puna të gjithë ata që punojnë nëpër zyrat që paguhen me taksat tona, madje që janë zgjeruar me zyra dhe nëpër pallate të rëndësishme. Sepse më së shumti, kjo mendësi enveriste njollosëse vjen nga pushteti (dhe pala tjetër nuk ka ndonjë ndryshim në mendësi, veç ka më pak mbështetje financiare). Pushteti ka marrë përsipër të degjenerojë çdo zë kundër dhe në këtë pikë nuk i ka lënë asgjë mangët sistemit të kaluar enverist (pra, na rezulton se në atë kohë, dikush mbante përgjegjësi për veprimet e dikujt tjetër, mjaft që të ishte një gjak me të). Me pak fjalë: çfarë kuptimi ka në kohët e sotme pluralizmi i mendimit?

Por përse përdoret etiketimi? Sepse etiketimi nuk të bën të mendohesh gjatë. Etiketimi i bie shkurt, i pret drutë shkurt, se kështu i do mushka drutë. Etiketimi nuk ta lodh mendjen. Etiketimi është i gatshëm, vjen me mesazh nga selia qendrore. Etiketimi është loja e padijes. Etiketimi është kulmi i marrëzisë, në kuptimin që merret seriozisht diçka pa vlerë.
Ndërsa përdhosja është kulmi i etiketimit. Përdhosja është art më vete. Ka dy kategori përdhosësish. Kategoria e parë janë ata që se kanë idenë se çfarë thonë e çfarë bëjnë, por që kanë nga një vidë mangët dhe nuk i kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre. Një rast i fundit është përdhosja e shtatores së Françesk Radit, njeriut të artit. Djemtë e rinj që talleshin me të, nuk e kishin idenë se çfarë po bënin. Ata as nuk e njihnin personazhin. Dhe për këtë nuk është vetëm faji i tyre. Këtu edukimi dhe arsimimi duhet të luajnë një rol më të madh se sa mendojmë se duhet të luajnë. Po dhe ndonjë dënim ekzemplar nga gjykatat nuk është se nuk duhet, po ku janë gjykatat?

Kategoria e dytë janë profesionistët. Kemi ndër ta analistë, figura publike, politikanë, pendëshkrues, fëlliqësira gjithfarësh. Këta, së pari, të përdhosin inteligjencën, pastaj personalitetin, e në fund familjen. Mjafton të shihni shumë shkrime publike, për të kuptuar se jetojmë në një vend ku individit nuk i garantohet asgjë nga Kushtetuta. Çdo njeri mund të të vërë përfund “rulit” të vet, pa pengimin më të vogël. Njerëz të tillë mund të përdhosin edhe figura publike të së shkuarës. Natyrisht, nuk jemi për të adhuruar njerëz dhe personalitete të errët, por këto sjellje me personalitetet e mëdha të kombit janë të papranueshme. Demokracia është liri mendimi, por nuk është liri çmendimi.

Çdo cenim ose njollosje e figurave kombëtare është një gjest antikombëtar. Aq më tepër kur vjen nga njerëz që s’kanë as tagër, as kapacitet për të folur për simbolikat. Ka plot njerëz që s’kanë asgjë të shenjtë: por të përflasësh himnin, flamurin, figurat madhore të kombit që janë pjesë e ndërgjegjes kolektive, tregon shumë qartë se cilat janë qëllimet e robit dashakeq. Nuk mund të ketë tolerancë me përdhosjen.

Përdhosja nuk ndodh vetëm në fejsbuk, por dhe në tempullin më të lartë: Parlament. Përdhosja ndodh në tempuj të tjerë: Akademi, Universitete, Institute. Kjo përdhosje e fundit nuk është thjesht emërim/çemërim, por ka të bëjë me vlerësimin e së pavlerës, me vlerësimin e antivlerës për më tepër, me përvetësimin e punës shkencore, me nepotizmin etj. etj. Përdhosja ndodh nëpër studiot televizive, ku çdo natë ka njerëz që vetëm jashtëqesin dhe denatyrojnë dëshirën e njerëzve për t’u informuar. Përdhosja ndodh me bandat që sundojnë territoret e vendit dhe merren në konsideratë nga policia dhe politika. Përdhosja ndodh nga përulja e pakuptimtë ndaj të huajve.

Përdhosja bëhet nga policia, që në vend që të zbatojë ligjin, kërcënon qytetarët në çdo hap, pa dokumentuar shkeljet, thjesht sepse petku që kanë i lejon ta bëjnë, ndërsa eprorët e tyre pa grada i mbështesin në heshtje, sepse ua ka ënda t’i shohin njerëzit se si përdhosen. Këtë e dimë nga videot e shumta që qarkullojnë në rrjetet sociale. Kemi dhe policitë bashkiake që janë po kaq ustallesha në përdhosje. Ato përdhosin shitësit ambulantë, duke na krijuar idenë se një njeri mund të abuzojë pa fund, kurse gjithë të tjerët e kanë të ndaluar këtë gjë, sepse ka shtet. Në fakt shteti është thjesht maska e abuzimit të tyre. Dhuna më e madhe ndaj shtetit ushtrohet nga ata që e përdorin shtetin si mburojë. Nëse doni ndonjë rast sa për ilustrim, po ju paraqesim rastin e legalizimit të një objekti në Tiranë, vetëm pak muaj përpara se të shembej. Dhe shembja u trumbetua si arritje ligjore. Këtë arritje do ta paguajnë ata që duartrokasin, sepse do kenë më pak shërbime.
Përdhosja bëhet nga çdo autoritet shtetëror që refuzon të japë informacion për veprimtarinë që kryen. Këtë e bëjnë në shkelje të plotë të ligjit, por rëndësi ka që ka shtet. Përdhosja bëhet në dyert e gjykatave që nuk japin drejtësi se nuk kanë gjyqtarë, por dhe kjo është në kuadrin e bërjes së shtetit. Përdhosja është ajo që ndodh me pasaportat e shqiptarëve që janë kthyer në abetare plot me germa ekspulsesh.

Pra, përdhosja është diçka më e madhe se sa perceptojmë ne. Etiketimi pareqende dhe përdhosja pa cak janë dy dukuri të rëndësishme të jetës sonë, qoftë virtuale, qoftë reale. Po a ka përdhosje më të madhe se sa të mos përfillësh intelektualët, ata pak që kemi. Apo nuk ka filluar tani një përndjekje e gjithë intelektualëve, qoftë nga pushtetet, qoftë nga vetë njerëzit, a thua se janë intelektualët ata që kanë grabitur pasuritë e këtij vendi. Intelektualët kanë kusuret e tyre, por ata nuk janë epiqendra e tërmetit.

Mund të shkruanim shumë për etiketimet dhe përdhosjet, se ato janë kaq të dukshme, por po e mbyllim këtu. Nuk duam ta zgjasim. E thamë mendimin tonë. Në këtë vend, kemi nevojë për një katarsis të madh shpirtëror, për një klizmë mentaliteti, sepse jemi në kataklizëm. Është fare e qartë se në këtë vend nuk po rriten njerëz, por kuçedra, njerëz të zakonshëm me fuqi mbinatyrore. Njerëzillëku ka kohë që ka emigruar. Ka ardhur koha të ngremë sërish tezën e njeriut të ri, një njeri pak më demokratik, një njeri pak më njerëzor, një njeri pak më të ditur. Besoj se është e vetmja shpresë.
/MAPO.al


Etiketa: ,

Pas