Mapo Letrare

Etnotregimi, veçanësi letrare e Gjikolajt (ese)








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:00 - 14/12/19 |
mapo.al

Luan M.Rama, Shaban Sinani


Nuk është e papritur dhe as befasuese ardhja e Viktor Gjikolës me një përmasë tjetër të krijimtarisë së tij, e njohur më së shumti deri më tash e nga shumëkush prej poezisë. Kush e njeh Viktorin dhe krijimtarinë e tij e raportet që ajo ka me njeriun, me vendlindjen, atdheun, por edhe me traditën, me historinë, mitet, legjendat, doket, zakonet, ritet e gojëdhënat, nuk e ka të vështirë të gjejë në të jo vetëm qëmtuesin e vëmendshëm dhe pasionant ndaj etnokulturë, por edhe bartësin e lëvruesin në një mënyrë krejt të veten të elementëve të saj.


Duke u kthyer në kohë gati katër dekada më pas e duke bërë një analizë jo thjeshtë të krijimtarisë, por të të gjithë korpusit të sjelljes e qëndrimit, të gjykimit, mendimeve, vlerësimit e deduksioneve prej krijuesi të Viktor Gjikolës, që jo rastësisht veprën e Kadaresë “Autobiografi e popullit në vargje” e ka një prej librave që ai nuk e ka ndarë nga dora, ashtu si Visaret e kombit e botimet e Akademisë së Shkencave për folkun e traditën, do të kuptojmë se libri “ndryshe” i tij ka bashkudhëtuar me autorin, që prej kur ai ndjeu brenda tij magjinë e krijimtarisë në shtëpizën mbi lumin Urakë e përballë bjeshkës së Valmorit, dhe vendosi që përjetimin e vet ta ndajë me bashkëvendasit fillimisht, e mandej edhe me të gjithë hapsirën artdashëse shqiptare.


Librin e Viktor Gjikolës mund ta lexosh si letërsi artistike, po aq sa edhe si komentar të traditës etnojuridike apo si rrëfime për vendlindjen dhe njerëzit me të cilët ka jetuar.


Pjesa më e madhe e njerëzve që ka njohur dhe e ngjarjeve që tregon janë të vërtetë, vijnë nga historia. Nuk mund t’i quash karaktere si në personazhet në letërsi, ndonëse kanë më shumë karakter se ata. Por njëherësh nuk janë as paraqitje historiografike të tyre.

Viktor Gjikolaj, ka pasur jetë të vështirë në vendlindjen e tij, si shumë të tjerë në gjithanshmërinë e vet e më të vështirë në momente të veçanta të saj. Ka shumë të ngjarë që vëmendja e tij e veçantë ndaj traditave joshkrimore të ketë pasur karakter ngujimi, të ketë qenë një përpjekje për t’u mbyllur në një ishull ideologjikisht të ndryshëm ndaj asaj ideologjie që sundonte, por duke krijuar në atë ishull hapsirën e munguar të lirisë së vet.

Mund ta quash këtë një formë kundërshtimi të heshtur. Ishte një zgjidhje e mençme për të mbijetuar, për të pasur njëfarë komoditeti shpirtëror, pa fabrikuar konflikt.

Më së pari Viktor Gjikolaj gjeti strehë tek Kanuni. Shkruan për Kanunin në mijëvjeçarin e ri ashtu si ka menduar në një kohë tjetër. Nuk është nga ata që Kanunin e përfytyrojnë si një kushtetutë që garantonte republikanizëm dhe demokraci. Ai, Kanunin e sheh me merita historike dhe kulturore thjesht pse përfaqëson një alternativë. Le të ishte si të ishte, totalitar dhe ai në mënyrën e dhënies së të drejtës, mjafton që nuk ishte si ideologjia sunduese, ca më shumë totalitare se Kanuni. Letërsia e Viktor Gjikolës sheh prapa. Jo për ta idealizuar, jo për të krijuar e propozuar një model tjetër qeverimi, apo ndorimi, siç shkruante Pjetër Bogdani, por për të na thënë me shumë mirësjellje se kjo mund të ishte dhe shtëpia ime.

Njerëzit e Kanunit janë kudo në letërsinë shqipe. Lukja, që ka zbritur prej maleve për të shitur qymyrin dhe trupin, âsht e dalë Kanuje. Në romanin “Dimri i vetmisë së madhe” hyn e del disa herë një karakter pa emër e pa fytyrë, që çapitet nëpër rrugicat e kryeqytetit duke shqiptuar vetëm një fjali: Dru me pre.

Edhe Drumepreja âsht i dalë Kanuje. Karakteret e tregimeve të Viktor Gjikolës janë njerëz të Kanunit. Ata kanë rrojtur me rendin tradicional etnojuridik, kanë menduar me Kanun, kanë marrë vendime me Kanun, kanë fituar lavdi me Kanun, kanë mbetur në histori me Kanun.

Përveç kuturisjes për ta paraqitur Veriun e lekëve dhe gegëve si një republikë kanunore, ka ekzistuar dhe një prirje tjetër, ajo për ta identifikuar Kanunin me Ungjijtë. Viktor Gjikolaj me të drejtë këto korniza i shpërfill. Ai nuk e fsheh simpatinë për kullën e Oroshit, për shtëpinë e Gjomarkut, së cilës Kanuni i njeh një sovranitet të ngjashëm me atë të sovranëve: sovranitet të trashëgueshëm. Gjithaq ai është krejt i vetëdijshëm se Kanuni është i gjithësejtë në arealin ku ka vepruar. Ndryshe nuk mund të ishte Kanun.

Ashtu si Talmudi dhe Torah janë rregullatorë paralelë të jetës së hebrenjve: njëri i së drejtës dhe tjetri i besimit, ashtu dhe Ungjijtë e Kanuni jetojnë krahas njëri- tjetrit secili me autoritetin e vet. Madje në jo pak raste, siç na dëshmohen prej arkivave të fretënve françeskanë, njeriu tradicional duhej të zgjidhte: Me Ungjill apo me Kanun? Për shembull, nëse për merita të dikujt që sapo ishte ndarë nga jeta familja, bajraku dhe krahina vendosnin me bâ gjamë burrash, atëherë meshtari, famullitari, u shmangej riteve të vdekjes që parashihnin Shkrimet, sepse në Krishterim vdekja ishte vullnet sipëran, ishte thirrje e Hyjit, ndaj nuk mund të pajtohej me gjamën, një dukuri tipike pagane, që ka lënë pa mend studiues antropologë të ardhur nga Perëndimi i industrializuar.

Viktor Gjikolaj shkruan tregime me origjinalitet. Para së gjithash kjo vjen nga zgjedhja e ngjarjes. Tregimet e tij Viktori ua kushton jo atyre ngjarjeve që kanë rregullim kanonik që nuk kanë nevojë për interpretim. Ai merret me përjashtimin. Zakonisht përjashtimi ka të bëjë jo me rendin kanunor, por me zonat e pasigurta të Kanunit. Për shembull, me i par i lemi mbas deket të burrit të pare, kur grueja âsht me barrë të vrame. Àt Shtjefën Gjeçovi e quan nji prrallë grash, që edhe tue kjenë i tillë, burrat e pranojnë pa mëdysh. Tregimi që ka sjellë në këtë vëllim Viktor Gjikolaj, me titullin Barra e vrame, megjithëse njëri krijim etno letrar i një ngjarjeje kanunore, ngjan me letërsinë e realizmit magjik.

Në një anë tregimi të kujton motivin e Shën Mërisë në Shkrimet e Shenjta; në anë tjetër ngjarja ndërlidh lexuesin me një mendësi tipike shqiptare, me një besëtytni tradicionale vendëse dhe me ngjarje të përjetuara historikisht në Veriun shqiptar. Duket një përshkrim etnojuridik, por në thelbin e vet tregimi ka të bëjë me thelbet e mënyrës kanunore të jetesës. Në njërën anë është sakramenti i familjes, një prej sakramenteve themelorë të Krishterimit; në anën tjetër është kulti i mashkullimit dhe i trashëgimit biologjik të shtëpisë. Këtu kemi të bëjmë me një botë që nuk ka lidhje me tekstin kanunor, por me arsyetimin në koherencë me këtë tekst, me zgjatimin e Kanunit përtej neneve dhe paragrafeve të tij.

I së njëjtës natyrë është dhe tregimi-ese për trajtat e komikes në vajtimet popullore në Mirditë. Sikur se shenjuam më herët, në traditën e vjetër shqiptare ka pasur një kundër thënie konceptuale për vdekjen krahasuar me antropologjinë e vdekjes në Krishterim. Në Shkrimet e Shenjta jeta është dhunti e Zotit dhe dekën ja kemi borxh.

Thelbi i të kuptuarit të vdekjes në Krishterim është ngushëllueshmënia. Në këtë kuptim, nuk ka vend për gjamë, sepse në këtë botë te rnon vetëm ajo që është hyjnore. Njeriu ndërron jetë dhe shkon prej familjes së vogël atje ku e ka thirrë Zoti. Pikërisht këtë kundër thënie zbut parodia e vdekjes, siç mund ta quanim qesëndisjen e madhështimit të tepruar prej vajtojcave të meritave të të ndjerit me anë të vajtimit parodizues. Në vështrim antropologjik, parodizimi i vdekjes shenjon ndryshim mendësie në drejtimin qytetërues.

Me zgjatimin e Kanunit përtej parashkrimeve të tij ka të bëjë edhe rrëfimi letrar-etnografik për statusin e farkëtarit në tre bajrakët e Ohrit (Selitë, Kthellë e Rrëzë). I gjithë ky rrëfim është mahnitës për qendrimin e njeriut shqiptar ndaj tjetrit, të ndryshmit. Sot raporti midis vetes dhe tjetrit (me and others, from mother to other) ka të bëjë me themelet e vlerave qytetare europiane. Por nuk ka qenë gjithnjë kështu. Shumë sociologë dhe antropologë ndëshkimin e hebrenjve dhe të romëve për të qenë përgjatë afro dy mijë vjetëve popullsinë lëvizje e kanë shpjeguar me rolin e tyre për kryqëzimin e Krishtit. Të parët e dënuan, ndërsa i dhanë lirinë kriminelit Barnaba, të dytët farkëtuan gozhdët e kryqëzimit. Këto kronika të Krishterimit zanafillës Viktor Gjikolaj nuk i zënë gojë, thjeshtë bën të ditur disa të dhëna etnografike që shprehin fisnikërinë e banorëve tradicionalë mirditorë, të cilët gjenin rregulla që farkëtari të mos ndihej i huaj në katund, të përfshihej me kujdes në të kremtet fetare të popullatës, madje dhe të trajtohej si i privilegjuar në rite rishtarie, të shihej si shenjë mbarësie për vendësit.

Tregimet, rrëfimet, rikrijimet, shenjimet për librat mund të quhen me bindje etnoletërsi. Aty janë bashkë Kanuni, njeriu në kod, malësori, kulla, kuvendi, bajraku, ngjarja paraprirëse që e kthen veten në normë Kanuni. Aty është meshtari në ndore të të kthyerve; aty është myslimani që dorëzohet prift; aty është lahuta dhe flauti, trimëria dhe dashuria, martina që flijohet për çikën, gruaja që duhet të joshë vrasësin e burrit në natën e parë të mortit me qëllim që familja të trashëgohet dhe hak pa marrë mos me mbetë.

Aty është Mirdita e kuqe, që është mbiquajtur kështu jo prej ndonjë ideologjie, por prej arsyesh të mëhershme. Aty është Selita me bukuritë e veta, është kulti i vendlindjes dhe i të parëve, është nderimi për trashëgiminë.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas