Pas dy barazimeve radhazi, Kosova ka shënuar një fitore spektakolare në transfertë ndaj Bullgarisë. Në ndeshjen eliminatore të luajtur në Sofje, dardanët triumfuan bindshëm me shifrat 3:2. Vendimtar ishte goli i shënuar në minutat shtesë të takimit nga Elbasan Rashani me kokë, pas një krosimi të marrë nga Milot Rashica.
Ishte pikërisht ky i fundit, i cili zhbllokoi rezultatin në minutën e 14 të sfidës. Bullgarët barazojnë me anë të Popov në minutën e 43. Pjesa e dytë nis më mirë për vendasit të cilët kalojnë në avantazh 2:1 në minutën e 55 me Dimitrov. Kosova nuk dorëzohet dhe ekuilibron rezultatin 10 minuta më pas me anë të Vedat Muriqit.
Por kur pritej vërshëllima e fundit e arbitrit, një aksion spektakolar i Rashicës nga krahu i majtë gjen të zbuluar Elbasan Rashanin përpara mbrojtjes bullgare i cili gjuan fort me kokë dhe shënon golin e tretë dhe të fitores.
Me këtë fitore, Kosova arrin kuotën e pesë pikëve, një më pak se Anglia kryesuese dhe Çekia e vendit të dytë.