Euro ka njohur rënien më të madhe të regjistruar ndonjëherë dhe vijon të humbë terren ndaj Lekut, duke u këmbyer me 119.6 lekë. Gjasat janë që, me ardhjen e emigrantëve, Euro të pësojë sërish rënie.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, edhe pse me rënien e Euros dhe forcimin i Lekut përfitojnë importuesit, kjo situatë dëmton ekonominë e vendit.
“Fillimisht përfitojnë importuesit, sa më e ulët të jetë, pasi shesin me lekë, por blejnë me euro. Ata përfitojnë ,por në vetvete dëmton ekonominë vendase. Sepse nëse monedha jonë në raport me atë të huajën forcohet, i bie që eksportet shqiptare të bëhen gjithnjë e më shumë të kushtueshëm, kështu që dëmtohen eksportet dhe eksportet janë ata që gjenerojnë punësim në vend. Momenti kur kemi një zhvlerësim të euros në raport me lekun, ne taksat i mbledhim me lekë, në këtë rast ne kemi një përfitim të borxheve të jashtëm, për pagesën për pagesën e borxhit të jashtëm”, i tha Tv Klan Klodian Muço.
Përpos disa arsyeve që kanë ndikuar në rënien më të madhe të Euros këtë periudhë, janë edhe turizmi dhe euroizimi i ekonomisë shqiptare.
“Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë disa herë në treg për të mbajtur stabël normën e këmbimit, përsëri kemi patur këto luhatje në mënyrë të qëndrueshme. Aspekti pse janë, po fillon turizmi kështu që po vjen valuta nga jashtë. Një aspekt tjetër është që ekonomia shqiptare po eurozohet. Është pjesa e rritjes në mënyrë të vazhdueshme të çmimeve të importit, Pastaj një aspekt tjetër mund të jenë edhe remitancat nga jashtë”.
Luhatjet e kursit të këmbimit me rënie të Euros dhe forcim të Lekut kanë nisur që në muajin prill në Shqipëri.