Aktualitet

“Eurokomunizmi është Antikomunizëm” apo “Consociativizmi”






               Publikuar në : 08:33 - 04/10/19 |
Nga Zef Zefi

Nga Zef Zefi


  1. “Eurokomunizmi është antikomunizëm”. Përse?

Këtë libër të E.Hoxhës e kam lexuar mjaft vonë, katër vjet mbas botimit. Në vitin 1984 ushtar. Gjatë rreth 27 muajve ushtri lexohej kryesisht me fener me xham, ose duke hapur derën e çartur te stufës kur mungonte vajguri. Jetonim bllokaden dhe ishin “vite kursimesh” mbasi dritat i fikte partia rreth orës 10.30 të darkës, deri në 6.30 të mëngjesit). Skenë e pabukur kjo kur e kujtoj, librin bashkë me mua rreshtuar rreth stufës me këpucët e ushtarëve, që e mbushnin dhomën me erë squfuri. Gjatë para-ushtrisë, përveç letërsisë “non stop” që zinte mbi 90% të kohës dhe mundësive për të lexuar, pata lexuar ‘Vetëadministrimi jugosllav teori e praktikë kapitaliste’, ‘Imperializmi e revolucioni’, ‘Me Stalinin (kujtime)’, ‘Shënime për Kinën’, Hrushovianët, Rreziku Angloamerikan për Shqipërinë, Kur lindi ‘Partia’, bashkë me ribotimet mbas tradhtive, ‘Titistët’, ‘Vitet e vegjëlisë’, ‘Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re’. Pak a shumë gjithë ç’kishte dalë nga pena e udhëheqësit nga seria e kujtimeve dhe refleksioneve të tij politike, përjashtuar ‘Eurokomunizmin…’, të cilin me sot me nesër ishte shtyrë, derisa mbërrita rekrut në ushtri.



Pakkush ka mbetur pa lexuar historinë e PPSH, ose historinë e PK të Bashkimit Sovjetik, si lëndë mesimore me literaturat plotësuese te rekomanduara a të detyruara që mbërrinte tek seria e veprave deri 69 apo 72, përfshirë qarkore, raporte, fjalime, intervista etj, “mbi gruan” “mbi ushtrinë” etj, po thatësia e drunjtësia e gjuhës dhe argumenteve, i bënte këto të mundimshme dhe monotone. Ndryshonte puna dhe qasja me ç’kishte dalë nga hulumtimet e kujtimet e diktatorit tonë. Ndonëse adoleshencë e post-adoleshnecë, moshë tepër e re (këtë e kupton vetëm brezi im) për këso leximesh autodidakte nuk përkonte shumë këto vepra, i kam lexuar kryesisht sepse kishin narrativë, dhe as nuk kam dyshuar(atëherë) në stisje, përjashtuar përkimin e “Viteve të vegjëlisë” me super-romanin “Kronikë në gur” apo ndonjë episod sesi në kohën e “nemcies” luftës dhe urisë botërore në vitet 1917-18, udhëheqësi i ardhshëm atëherë kalama, ia kërkonte ane-së (nanës) djathin të skuqur, ndryshe nuk e hante. Kur brezi im dhe kalamanët e kooperativizmit komunist, djathin, as mishrat as peshkun, nuk e gjente në asnjë bulmetore qytetase, a fshatare, përjashtuar ndonjë festë të rëndësishme zyrtare, racionin, ose me tallon…

Nuk më kujtohet ku e ka thënë Kadare, (sigurisht pas viteve ‘90) ndoshta në ndonjë intervistë, se fatkeqësia e shqiptarve për diktatorin e tyre, ishte se ky pretendonte me qenë një biçim shkrimtari. “Eurokomunizmi është antikomunizëm” më shpjegoi se partitë komuniste perëndimore si ajo italiane, me Togliatin apo Berlinguerin, ashtu ajo e Carrilios spanjolle, apo ajo franceze me Marshenë, Torezin, gjermano-perëndimorët, etj, me pasuesit e tyre, kishin rënë në prehrin e oportunizmit dhe imperializmit. Nuk ishin bolshevike, nuk ishin madje nuk kishin qenë ndonjëherë marksiste leniniste apo staliniste. Natyrisht e besueshme, kur s’ke informacion tjetër (mangia questa minestra o buttati dalla finestra). Pohohej dhe shpjegohej se kapitalizmi dhe imperializmi i korruptonte komunistët duke i konvertuar këta në pseudokomunistë, duke devijuar nga M-L, braktisur revolucionin, dhe ajo që e bënte emergjente situatën sipas autorit, ishte se këto parti kishin tradhtuar klasën punëtore dhe popujt e tyre. Ndërkohë që këtë “frakturë” politike e kishin pësuar e gjithë gjysma e tjetër e botës tashmë revizioniste e lindjes. PPSH-ja fillikat në këtë botë. Parti (nënkupto Enverin), e cila Shqipërinë po e kthente në epiqendren e komunizmit boteror. Përjashtuar “rrezikun anglo-amerikan…” që fokusohej vetëm me kohën e luftës, informacione për zhvillimet apo personazhe nga Perëndimi politik majtist e komunist pas Luftën e II nuk kishte për lexuesit e kategorisë time, përveç faqes 4 të ZP-së dhe variablave të saj, që ishin asgjë më shumë se kronika ose informacione te shkurtëra protestash, grevash apo luftërash. Ndërkohë që argumente apo interesa përtej tyre për të diskutuar me ndokënd që shfletonte, ishin të paimagjinueshme. Pa shtuar pikëpyetje të mëvonshme që sjell maturiteti, po shënoj vetëm tre pandehma të ndaluara të asaj kohe, të cilat i kam të “konspektuara” në fletoret 28 e 64 lekëshe. E para; qysh shpjegohet që gjithë popujt e botës me mbi 7 miliard frymë atëhere, e refuzonin komunizmin, ashtu pa problem, dhe përqafoheshin e putheshin me armikun, borgjezinë, kapitalizmin e revizionizmat. Duke lënë vetëm-qyqe 3.2 milionëshin tonë këtu në brigjet e Adriatikut. Nga kalkulimet e heshtura të trurit tim post-adoleshent të mbushur me dushk dogmash, rezultonte se nga 3,2 milionëshi duheshin hequr edhe armiqtë e brendshëm rreth 1 milion (kulakë, të burgosur politikë, njerëz me probleme ligjore dhe analafabetë, fëmijë e të rinj të pabrumosur, plus analfabetët politikë… që gjendeshin kudo). Gjithashtu, nisur nga statistika kurrë të shifruara ndokund, të zbulimit të armiqve të rinj në dinamikë nga lufta e klasave bashkë me familjet e tyre që do të ndodhnin, veç e shtonin shifrën derisa një ditë mund të mbeteshim vetëm unë me Enverin. Ec e jepi dum… E dyta; pa dyshuar në gjenialitetin e diktatorit tonë, kisha një kuriozitet të çmendur për një mendim më të kualifikuar, se si ka mundësi që diktatori ynë, i zënë me kohë të plotë pune, madje shumë me të komplikuara se të miat, në një moshë mbi 70 vjeç me një shendet që pak a shumë dihej pavarësisht se fshihej, vetëm në 6 vjet(70-76 vjeç) kishte shkruar rreth 14 libra voluminozë, kur unë për të mbushur një faqe format me shkrim dore duke ia futur edhe kot, më duheshin të pakten 20-30 minuta, ndërsa me makinë shkrimi, e sigurtë që shkruaja më shpejt se autori i madh i veprave. E treta; nëse āma që e lindi në fillim si utopi komunizmin dhe më vonë e zhvilloi si “shkencë” është Perëndimi, si ka mundësi që popujt dhe politikat e këtyre anëve e refuzonin?

  1. Consociativizmi

Rreth 6-17 vjet më vonë, prej “eurokomunizmit…” gjendesha në Itali, ku përveç punëve mbi e nën-punëve që i takojnë emigrantit, të cilat marrin gjithë kohën, po sidomos energjinë fizike, gjithmonë duke hequr nga hisja e gjumit, kisha filluar të mbushja disa prej mangësive të humnershme universitare lidhur me letërsinë moderne italiane e botërore (antiken, klasiken romantizmin dhe realizmin kritik, falë Zotit e kishim njohur). Në dispozicion kisha një bibliotekë ndoshta më të madhe se ajo Rrëshenit tim, ndërsa për nga cilësia, krahasimi humb çdo sens.

I përkiste familjes ku isha atashuar, dhe të zotët e shtëpisë duke parë babëzinë e korrektesën e emigrantit me librat, më japin “via libera” që ta shfrytëzoja pa asnjë kufizim, trokitje a leje paraprake. Çifti, njëri profesor i shkencave politike, ish-pedagog i Harvardit për vite dhe mjaft universiteteve të tjera nëpër botë përfshirë Universitetin Europian, me shumë vepra e studime shkencore të mirënjohura e studiuara nga bota akademike, tjetra ish-studente e Harvardit, njëkohësisht pedagoge e letërsisë mediovale në disa universitete prestigjioze në Itali, me mjaft vepra akademike të fushës. Shpesh, duke qenë se banoja në Firence- Toskana, ku bashkë me Bolonjën përbënin hambarin e votave komuniste për politikën italiane historikisht, në mjedise e persona te ndyshëm, ikur nga vendi im komunist, interesohesha si funksiononte teorikisht ky komunizëm ose “eurokomunizëm…” ndërsa praktikisht, dukej antikomunizëm, siç më kishte thënë mua Enveri. Midis mjaft versionesh e shpjegimesh, mbaj mend atë të profesorit në fjalë, i cili pajtohej me konsideratën time mbi komunistin e njëllojtë në gjithë botën, po në Itali ata, duke mos pasur pushtetin qendror, kanë qeverisur kryesisht lokalet dhe me një korrektësi ligjore shpesh më të lartë sesa rajonet a komunat ku qeveriseshin nga centristët apo të djathtët, kjo i ka mbajtur ata në shumicë etj, etj. Mbasi lexova njërin nga librat ndër më të rëndësishmit e profesorit deri atëhere “Le radici della politica assoluta” (Feltrinelli, 1993), midis disa shënimesh që kisha veçuar, në kapitullin e VIII lidhur me politikën e dukshme dhe të padukshmen, si me thënë të nëndheshmen midis partive, më bëri përshtypje një deduksion i tij lidhur me shmangien e luftës civile në Itali në vitet 1948, meritën e të cilit profesori e përcillte tek “consociativizmi” (Consociativizmi- term latin që përdoret lidhur me marrëdhëniet dhe raportet e nëndheshme midis krerëve të partive për të ruajtur sistemin, pavarësisht politikave dhe propagandave antagoniste ekstreme).

“… Me fjalë të tjera -citova librin – sistemi politik italian nuk zgjodhi linjën greke… (pra luften civile). Togliati, këtë rrugë e konsideronte model negativ…” Duke i shmangur detajet, lidhur me “il piacere e la sorpresa” që i shkaktoi profesorit leximi i një prej librave të tij, ajo që unë desha të diskutoja me autorin, ishte se consociativizmi i profesorit në njëfarë mënyre përkonte dhe konfirmonte diktatorin e popullit tim njëkohësisht të autorit “Eurokomunizmi është antikomunizëm” që nënkuptonte rënien në oportunizëm të komunistëve, tradhtinë ndaj popullit, etj, etj. Sigurisht me një ndryshim të madh doktrinar midis profesorit me diktatorin: Profesori, consociativizmin e konsideronte meritë të lidershipit komunist, Togliatit me shokë. Kurse diktatori im (më saktë instituti i studimeve m-l, që prodhonte kujtime enveriste) këtë e konsideronte tradhti të revolucionit m-l dhe popujve.

  1. Togliati, lufta civile e shmangur në Itali, Stalini

Për arsye pune (thuaj emigrant dhe i ke thënë të gjitha mundimet…) isha spostuar edhe me banim në anën tjetër të diametrit me shume se 15 km të Firences. Për bibliotekë tani shfrytëzoja një nga ato komunale të kuartierit. Nga rendi i pafund i librave kisha filluar të lexoja edhe arkivin e një reviste gjeopolitike (në fakt libër me artikuj “Limes”, botim i “Mulino”), të cilën fillova ta gërmoj udhëhequr nga titujt dhe nëntitujt e shkrimeve, që bënin fjalë kryesisht për Shqipërinë, rajonin etj.

Në një prej tyre hasa një artikull nga dy studiuesit (E. Rossi dhe V. Zaslavsky), që kishin hulumtuar në arkivat e ç’sekretuara të Moskës për Partinë e Togliatit (PK italiane) me Stalinin gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore deri në vitet ‘47-‘50 përqendruar kryesisht në vitet e pragluftës civile. Luftën civile të Greqisë, ngjarjet e Jugosllavisë së Titos, dhe atë të kampit socialist. Pa u zgjatur po rendoj disa nga çështjet që ata kishin zbuluar në artikull dhe do t’i analizonin në librin e tyre pak më vonë: Më 23 mars 1948, pak para zgjedhjeve në Itali, të cilat do të zhvilloheshin në prill dhe siç parashikohej, komunistët do t’i humbnin, Togliati kishte kishte kërkuar një takim të fshehtë me ambasadorin e Moskes për të marrë “OK” e Stalinit, lidhur me aksionin revolucionar (luftën civile) që do të niste si në Greqi. Takimi me ambasadorin Kostylev ishte zhvilluar në një vend tepër sekret, në një pyll afër Romes. Togliati, mbasi e kishte informuar ambasadorin lidhur me gatishmërinë e paramilitarëve të kamufluar si politikanë e militantë brenda partisë, i kishte kërkuar atij aprovimin e babait të popujve. Për çudi, ambasadori në pyll kishte mbërritur me mesazhin: “jo aksion revolucionar…, urdhri i Stalinit”. I prerë personalisht. Partia Komuniste humbi zgjedhjet duke dalë me gjithe aleatët vetëm me 30%.

Mbas zgjedhjeve në korrik të atij viti, Togliati pësoi një atentat, i njohur e trajtuar publikisht. Ndërkohë që Partia Komuniste me forcat e saj paramilitare (ish-partizane të armatosur) u organizuan duke nxitur popullin të bllokonin fabrika e uzina, të dilnin në rrugë me protesta si dhe në shumë rajone këto forca sulmuan jo pa gjakderdhje, disa reparte ushtarake e pushtuan komisariate policie. Ajo periudhe quhet edhe sot “Vitet e plumbit”. Mbasi u mësua se plagët e Togliatit ishin pa rrezik, ky bëri thirrje nga spitali nëpër mikrofona se duhej përmbajtje…, me fjalë të tjera jo revolucion, jo luftë civile (urdhri i Stalinit nëpërmjet ambasadorit në pyll) duke u prerë krahët ekstremistëve P. Sechia, P. Nenit me gjithë paramilitarët e brigadave të kuqe.

Gjatë gjithe këtyre ngjarjeve parlamenti italian po aprovonte “Planin Marshall” amerikan.

Në dhjetor të po atij viti, me rastin e 70- vjetorit të lindjes së Stalinit, kur Togliati kishte shkuar për festime, studiuesit Rossi dhe Zaslavsky gjejnë takimin e Stalinit me Togliatin dhe bisedat, të daktilografuara nga sekretari i Togliatit atje ne Kremlin, i cili vazhdonte pa ndonjë këmbëngulje duke i shpjeguar Stalinit opsionin e gatishmërinë e tij për aksion civil e gjakderdhje qytetare për arsye të pushtetmarrjes, ndërkohë që diktatori këshillonte të mos bëhej kjo. Stalini, midis të tjerash, i tha se komunistet në Itali duhej të kishin frikë më shumë Kishën Katolike sesa Partinë Demokristiane. “Kurrë mos sulmoni besimin, -thotë shprehimisht Stalini. Për vete besoni çfarë të doni, edhe ndonje Zot-mace, si egjiptianët”.

Konkluzionet që nënvizonte artikulli:

-Nëse Stalini do t’u kishte dhënë lejen komunistëve, Italia do digjej nga lufta civile, siç po ndodhte prej 2-3 vjetësh në Greqi.

-Kjo do të thoshte se Stalini ua kishte dhënë këtë leje komunistëve grekë. Gjë që nxirrte blof edhe ata që besonin edhe sot e kësaj dite ndoshta, se Stalini nuk ka qenë i përfshirë në Luftën civile greke. Sipas studiuesve, rezultonte se gjaku qytetar grek ishte derdhur, sepse nëpërmjet bullgarëve kishte çuar ndihma të mëdha për komunistet, ndërsa nga ana e Maqedonisë e Shqipërisë kishin qenë jugosllavët që i mbështesnin komunistët grekë.

-Çfarë e kishte detyruar Stalinin ta kursente gjakun qytetar italian, apo vendeve të tjera? Njëra nga përgjigjet ishte se më 1948, raportet e Jugosllavisë me Stalinin ishin prishur, ndaj forcat e ndihmat ruse për luftëra civile në Perëndim nuk i kishin rrugët e hapura si nga Bullgaria me Greqinë.

-Pyetja ime, që më rrihte tëmthat, ishte nëse Enveri i “eurokomunizmit…”, më saktë Instituti i Studimeve Marksiste Leniniste, kishte dijeni për këto urdhëresa sekrete të Stalinit, që kursente gjakun e italianëve, po jo atë të shqiptarëve, apo ky e konsideronte primitiv si “çuvaçët, besnikë si qeni.”

Unë vija nga një Shqipëri (shtet) i shkatërruar nga anarkitë e luftërat civile gjatë gjithë pas-pavarësisë, duke filluar nga 1914-21, 1924, 1942-1992 dhe më e freskëta ajo që rridhte akoma gjak, e vitit 1997, me shkaktar fitues e përfitues komunistët ose terroristo-komunistët e vendit tim dhe palët e treta të implikuara drejtpërdrejt në favor të shkatërrimit të Shqipërisë nëpërmjet komunistëve.

Përveç kësaj përvoje, kisha me vete dhe këtë përvojë teorike të tipit “eurokomunizmi është antikomunizëm…”, që u pasurua me “consociativizmin” akademik të profesorit, po asesi, bindës, para gatishmërisë së komunistëve për të shitur vendin e derdhur gjakun e popujve të tyre për pushtetin.


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas