Për herë të parë në histori, Villarreali fiton një titull të rëndësishëm europian, Europa League. Në finalen e madhe të këtij kompeticioni, spanjollët mposhtën Manchester United pas goditjeve të penalltive teksa 120 minuta lojë u mbyllën 1-1.
Ndeshja e luajtur me tifozë në “Gdansk” të Polonisë nisi më mirë për spanjollët që tentuan dhe sulmuan menjëherë dhe në 29’ u shpërblyen me një gol nga Gerard Moreno. Të shokuar, “Djajtë e kuq” u hodhën në sulm por pjesa e parë u mbyll në avantazh për nëndetësen e verdhë.
Fraksioni i dytë i ndeshjes ishte një ofensivë totale e Man. United që arrin të barazojë falë Edinson Cavanit në minutën e 55’ dhe goli rriti presionin ndaj Villarreal.
Skuadra e Solskjaer u mundua me çdo mënyrë por nuk ia arriti të shënonte dhe skuadrat shkuan në shtesa, dy pjesë nga 15 minuta që nuk e ndryshuan rezultatin dhe në fund vendosi lotaria e penalltive.
Edhe te penalltitë kishte një balancë të madhe ku duhej të ekzekutoheshin plot 21 penallti për të nxjerrë fituesin dhe De Gea ishte ai që gaboi penalltinë e fundit.
Për Villarreal vjen trofeu i parë por duhet theksuar se Unai Emery e fiton për here të katërt si askush më parë Europa League-n.