Në frymën e Europianit, një gol i bukur kujtohet si Eurogol. Në mungesë të një përkufizimi të ngjashëm në politikë, po e quajmë euro reformë atë që kërkohet në drejtësi. Ka një debat të fortë mes palëve politike në vend, për versionin më të mirë të reformës, ku me të drejtë opozita kërkon që të sigurohet moskapja politike e institucioneve të reja të drejtësisë. Fati i kësaj reforme ka shumë investitorë brenda: si ambasadorin amerikan, përfaqësuesit e BE-së dhe përfaqësues të shtetit gjerman. Opozitës dhe kryetarit Basha i është dashur që përtej negociatave me qeverinë, të mbrohet dhe nga qëndrimet e hapura të ambasadës më me peshë në vend, se qeveria po bën hapat e duhur dhe opozita po tregohet jo fleksibël me reformën. Një “bullying” që kërkon reflektim nga opinioni publik dhe nga inteligjenca në vend. Fati është që vëmendja në germat e reformës po anashkalojnë “deficitin e demokracisë” që përshkruajnë institucionet europiane dhe që po materializohet në politikën shqiptare. Deficiti demokratik është term akademik që David Marquand e përdori në vitet ’70, për të përshkuar mungesën e legjitimitetit të shumë institucioneve të BE-së. Ku ndër të tjera është delegimi gjithnjë e më shumë i pushtetit të burokratëve dhe teknicienëve, në kurriz të politikave të zgjedhura direkt nga populli. Kjo gjë vihet re dhe në diskutimet për Reformën në Drejtësi, ku “ekspertë” të zgjedhur nga vende të ndryshme të botës kanë ofruar dhe “road-mapin” e reformës që po mundohet të imponohet duke anashkaluar edhe vullnetin politik të opozitës.
Deficiti demokratik është një term që përdoret akoma dhe sot gjerësisht për të përshkruar marrëdhëniet që shtetet kanë me struktura mbi kombëtare si BE. Në një shkrim të The Economist thuhej se Islanda dhe Norvegjia në marrëveshjen e tregtisë së lirë me BE-në vuanin dyfish nga deficiti i përfaqësimit demokratik: një herë në mungesën e transparencës së vendimmarrjes së burokratëve në Bruksel dhe së dyti, në pranimin dhe implementimin politikave të Brukselit ndaj popullatës vendëse. Por nga ana tjetër, argumenti kundërshtues thotë se vende si Islanda apo Shqipëria dhe po të ishin anëtarë të BE-së, gjithsesi ato do të kishin shumë pak fuqi për të ndryshuar vendimmarrjen e Brukselit. Për këtë arsye, si politikat ekonomike ashtu dhe kërkesat për Reformën në Drejtësi duhen pranuar pa u kundërshtuar apo negociuar!
Në këtë pikë, vjen dhe vendimi i djeshëm. The Sun, tabloidi më me influencë në Britani, që vendosi të mbështesë kampin “leave” vetëm për arsye politike dhe jo ekonomike. Vendimi i saj vjen në një kohë kur vetë Presidenti Obama para një muaji vajti në Angli për t’i bërë presion qytetarëve vendës që të qëndrojnë në BE. Para pak javësh, Guvernatori i Bankës së Anglisë, Universiteti i Oxfordit dhe FMN kanë thënë se me daljen e Anglisë nga BE ekonomia do të bjerë me afërsisht 4% në dhjetë vitet e ardhë=shme. Komisioneri i BE, gjithashtu, ka shtuar se nëse Anglia largohet do të ketë pasoja negative. Kryeministri Cameron, ish-kryeministri Major dhe Toni Blair, gjithashtu janë rreshtuar në argumentin që Anglia duhet të qëndrojë në BE. Por pavarësisht kësaj, kryeredaktori i The Sun shkruan se më datë 23 qershor qytetarët britanikë kanë shansin e fundit për t’u larguar nga makineria jo-demokratike e Brukselit dhe për të gjetur vlerat e saj jashtë dominimit në zgjerim të projektit federalist gjerman. Në një sondazh të bërë nga Yougov, kampi leave është shtatë pikë përpara krahasuar me kampin që kërkon të qëndrojë në BE.
Çfarë fushata Brexit tregon është se pavarësisht gjithë këtyre presioneve të institucioneve më të rëndësishme dhe politikanëve më të rëndësishëm në botë, vullneti i publikut qëndron i palëkundur në bindjen e vetë se çfarë është mirë apo keq për ta. Nga ana tjetër, në Shqipëri ministri i Jashtëm gjerman e komisionerët europianë këmbëngulin se duhet votuar sa më shpejt Reforma në Drejtësi, pavarësisht se opozita që përfaqëson pothuajse gjysmën e publikut shqiptar mundet edhe të anashkalohet nga qeveria.
Për t’iu rikthyer argumentit të tabloidit më të madh në Britani, The Sun, institucionet dhe bankat ndërkombëtare duan të na frikësojnë dhe të përkulin vullnetin tonë për të dalë nga BE. Ndërkohë BE dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë kërkon që reforma në Shqipëri të votohet në këtë sezon, se përndryshe do të ketë pasoja në rekomandimet e komisionit për të ardhmen e Shqipërisë në BE. Paralelizmi qëndron. Institucione të tilla të komplikuara si të BE-së, akuzohen prej dekadash për “deficit demokracie”, që mund të argumentohet që janë dhe më pak llogaridhënës sa dhe vetë vjedhësit e votës. Deri tani, shqiptarët kishin njohur vetëm këta të fundit…