Me synimin për t’u bashkuar në kohë të vështira, marrëveshja për fondin e ri të krizës së euros është gati. Fondi do të hyjë në fuqi në korrik. Por tashmë ka dallime mbi përmasat e ombrellës së re të shpëtimit. Ministrat e Financave janë marrë vesh për fondin e ardhshëm të shpëtimit të euros, ESM. Këtë e konfirmoi shefi i grupit të euros, Jean-Claude Juncker, natën duke u gdhirë e marta, pas një takimi krize në Bruksel. Sipas të dhënave të Juncker-it, marrëveshja do të lidhet me paktin e ri të vendeve të BE-së për disiplinë buxhetore strikte. Është planifikuar që para nga ESM të mund të marrin vetëm në rast nevoje vendet e euros, të cilat kanë nënshkruar dhe zbatojnë të ashtuquajturin pakt fiskal. ESM planifikohet të hyjë në fuqi më 1 korrik. Në luftën kundër krizës së euros do të jetë i pajisur fillimisht me 500 miliardë euro. Kësisoj, ESM do të jetë më robust sesa ombrella e deritanishme e shpëtimit EFSF. Besueshmëria e kësaj të fundit ishte vënë së fundi në dyshim për arsye të kapitalit të pakët garantues (duke u vlerësuar më ulët nga agjencia amerikane Standard & Poor’s). Me 27 për qind dhe gati 22 miliardë euro kapital para Gjermania përballon kontributin më të madh. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Italia bënë thirrje për një rritje të dukshme të ombrellës së shpëtimit. Kancelarja gjermane, Angela Merkel theksoi se e rëndësishme është që ESM u bë gati.