Të 17 vendet anëtare të Eurozonës kanë rritur fondin e stabilitetit financiar me 500 miliardë euro, për të ndihmuar vendet e rrezikuara nga borxhi. Kjo ka qenë një rritje e madhe, në krahasim me kufirin e mëparshëm prej 300 miliardë, por nuk ka gjasa të ulë shqetësimet, se vendet e mëdha si Spanja apo Italia do të mund të mbrohen në rast se ato përfshihen nga rreziku. Ministrat e Financave të Eurogrupit, të cilët u takuan në Kopenhagen të Danimarkës, kanë thënë se bashkë me 300 miliardë euro që janë shpenzuar për shpëtimin e Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë, Eurozona zotëron tashmë 800 miliardë euro, të cilat mund të ndihmojnë për t’i dhënë fund krizës së borxhit. Ministri i Financave të Francës, Francois Baroin, deklaroi se ka një marrëveshje të fortë mbi Fondin e Shpëtimit, i cili është një përgjigje shumë e mirë për Eurozonën. Kjo e fundit ka qenë nën presion për të ndërtuar një mbrojtje të fuqishme kundër problemeve të mëtejshme financiare të anëtarëve të saj. Institucionet ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik kanë bërë thirrje për një rritje të fondit deri në 1 trilion euro. Disa ekonomistë kanë shprehur shqetësimin e tyre se përkeqësimi i situatës së Europës mund të ngadalësojë rimëkëmbjen ekonomike në pjesës të tjerë të botës. Italia dhe Spanja së bashku kanë më shumë se 2.5 trilionë euro borxhe dhe falimentimi, apo kërcënimi serioz për një falimentim mund të dëmtojë rëndë bankat përgjatë Europës dhe të përhapë panik në tregjet globale.