Autoritetet kineze do të ndalojnë tanimë ekspeditat e alpinistëve ose turistëve të thjeshtë në anën tibetiane të malit Everest, nën argumentin se është shndërruar në depozitë plehrash.
Teksa ana tibetiane e malit me lartësi 5,200 metra do të lejohet të vizitohet vetëm për ata që kanë marrë një leje ngjitjeje, vizitorëve të tjerë do t’u duhet të ndalen në manastirin Rongbuk. Sipas mediave të huaja, lejet do të shënohen me “pikatore”, vetëm 300 në vit.
Ndërkohë, një ekip i veçantë prej 200 personash do të pastrojë pjesën e mbeturinave dhe do të përpiqet të rimarrë trupat e alpinistëve të vdekur që kanë sfiduar natyrën.
Historikisht pjesa më e frekuentuar e malit Everest ka qenë ajo jugorja, toka nepaleze. Por kohët e fundit, trafiku i turistëve është rritur në anën veriore për shkak se kjo e fundit mund të arrihet edhe me makinë. Të dhënat për vitin 2015 tregonin se numri i vizitorëve ishte rritur deri në 40 mijë.
Por ky nuk është reagimi i parë i regjistruar nga ana e autoriteteve kineze. Fillimisht vizitorëve iu prezantua detyrimi për të transportuar vet mbeturinat e tyre dhe më tej u propozua një shumë parash për çdo kilogram mbeturine që mblidhej në mal. E megjithatë, deri më tani asnjë nga këto masa të ndërmarra nuk ka rezultuar efikase.