Prej vitesh kryeministri përsërit se faji i të zgjedhurve prej tij, në parlament, qeveri apo bashki është individual. Në përballje me Drejtësinë, PS nuk bëhet avokate e askujt por si alternativa për zgjedhësit erdhën pikërisht nga kjo forcë dhe kreu i saj Rama. Ai rreket të bindë se Partia Socialiste u shërben zgjedhësve dhe jo të zgjedhurve, por këtyre të parëve u sjell alternativa të zgjedhurish, ku një numër domethënës prej tyre ose akuzohen për shpërdorim detyre, korrupsion apo kanë fshehur të kaluarën, e lidhur me krimin
Ata mund të kenë qenë pjesë e kabinetit qeveritar, të zgjedhur të tij në listat elektorale lokale apo parlamentare, por përpara drejtësisë kryeministri është kujdesur të theksojë se shkohet krejt i vetëm, pa petkun e partisë e cila i pozicionoi në postet, që u shfrytëzuan për korrupsion e shpërdorim detyre.
Partia nuk bëhet avokate e askujt dhe faji është individual, përsërit Edi Rama, qyshse Partia Demokratike denoncoi publikisht të kaluarën e lidhur me krimin të kryebashkiakut të sapozgjedhur të Shkodrës, Valdrin Pjetri. Por Pjetri nuk ishte përjashtimi nga rregulli dhe as rasti i fundit. Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është më i fundit prej skandaleve të korrupsionit të zyrtarëve të lartë – ata për të cilët SPAK u ngrit dhe u zotua të hetonte e të nxirrte para Drejtësisë së Re.
Kështu ndodhi. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme e çuan në pranga ish-ministrin për abuzim me tenderët dhe përfitimin e 3.6 milionë eurove nga dy kompanitë koncesionare të inceneratorëve.
Ndërsa opozita nxitoi e para të merrte meritat se kush mes dy ish-aleatëve kishte bërë kallëzimin i pari në Strukturën, të cilën deri vonë e shihnin me mosbesim apo si të kapur prej shumicës qeverisëse, kryeministri edhe njëherë doli me të njëjtën deklaratë, si thuajse tre vjet më parë në rastin e kryebashkiakut të Shkodrës, që dha dorëheqjen ende pa u ulur në karrigen e tij.
“Ata që kanë bërë zullum e kanë bërë individual dhe ashtu do të përballen”, do të shprehej kreu i qeverisë, duke shtuar se ai mbetej krenar për inceneratorët. Por, para Drejtësisë nuk mbronte askënd.
“Impiantet moderne të përpunimit të mbetjeve, që i kanë hapur rrugën e shpëtimit afatgjatë nga ndotja e rëndë e plehrave zonës së Elbasanit, Tiranës e Fierit gjithashtu, edhe Reforma në Drejtësi po se po, janë vepra të shumicës sonë qeverisëse për të cilat unë jam e do të jem gjithnjë krenar”, shprehej Rama, ndërsa komisioni hetimor parlamentar për inceneratorët e ka thirrur atë si dëshmitar, bashkë me një pjesë të kabinetit të tij.
Pa u zbehur ende buja për arrestimin e Kokës, ministër i kabinetit të Ramës në mandatin e parë qeverisës, një tjetër lajm mori vëmendjen e opinionit publik.
Sërish fokusi te qeveria Rama. Ish-ministri ndoshta më i famshëm i të gjithë kabineteve të kryeministrit, Saimir Tahiri u dënua me tre vite e gjysmë burg.Më shumë sesa vetë lajmi ( tashmë i vjetër, pasi ish-ministri i Brendshëm e kishte marrë një vendim në Gjykatën e Shkallës së Parë ), ishte prangosja e Tahirit që në sallën e gjyqit të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Akuza mbetej po ajo – shpërdorim detyre – por dënimi me shërbim prove u kthye në vite burg. Saktësisht, tre vite e katër muaj burgim, ndërsa ish-ministri dikur kampion pret nga Burgu “313”që çështja të shkojë për rekurs në Gjykatën e Lartë. Aty ku si Tahiri ka më shumë se 20 mijë dosje që presin të shpluhurohen. Por ai është një ish-zyrtar i lartë, që jo vetëm rrit statistikat e suksesit të institucioneve të Drejtësisë së Re, por edhe shkallën hierarkike të atyre që pritet të ndëshkohen, ndërsa të vëmendshëm ambasadat e huaja e kanë ndjekur procesin gjyqësor hap pas hapi.
Kryeministri Rama, i cili më 2017-n i rendiste ministrit më jetëgjatë në atë dikaster arritjet (Tahiri udhëhoqi ndërhyrjen në fshatin Lazarat i parë deri në atë kohë si një kartel i paprekshëm i kultivimit të kanabisit), por edhe pranonte se qe ministri më i ekspozuar në kabinetin e tij, heshti më 4 shkurt. Rama tha se nuk komentonte vendimin e gjykatave. “E kam ditur mjaft mirë se çfarë kam bërë kur kam udhëhequr reformën në drejtësi. Njëqind herë të kthehesha mbrapsht nuk do pendohesha”, do të shprehej Rama.
Disa prej të zgjedhurve të tij si deputetë në Parlament – ndërsa PD ulërinte se ndenjëset e tij ishin plot me njerëz të krimit – u këputën nga Ligji për Dekriminalizimin. Deputetë si Arben Ndoka, Armando Prenga, Vladimir Kosta u tërhoqën nga mandati, pasi kishin fshehur të kaluarën e tyre në formularët e vetëdeklarimit. Para Valdrin Pjetrit – fshehja e krimit të të cilit u minimizua në retorikë si gabime të rinisë – kishte qenë Elvis Roshi. Kryebashkiaku i atëkohshëm i Kavajës, përfaqësues i Partisë Socialiste, u arrestua me akuzën për falsifikim të vulave dhe stampave, ndërsa kishte fshehur të kaluarën e tij të lidhur me krimin, në shtetin italian.
Jo vetëm të tijtë, por edhe aleatët me të cilët kishte bashkuar forcat si Aqif Rakipi u panë jashtë Kuvendit, prej Ligjit të Dekriminalizimit. Por kjo nuk i mjaftonte PD-së dhe aleates së saj të re, LSI (dikur bashkëqeverisëse me PD) të qëndronte në Parlament. Kryedemokrati vijonte me akuzat se Kuvendi ishte ende i mbushur me kriminelë dhe për të mos u pajtuar me këtë, ai vendosi të djegë mandatet e deputetëve. Të mbetur jashtë institucioneve – për zgjedhje e mospajtim – Selia Blu vijoi denoncimet. Emri i Valdrin Pjetrit u pasua nga Agim Kajmaku, i zgjedhur në Vendoret 2019 për Bashkinë e Vorës. i dënuar në shtetin grek për falsifikim parash dhe fshehur këtë në formularin e dekriminalizimit, Kajmaku u shpall në kërkim e më vonë u arrestua, duke hedhur një tjetër njollë të zezë mbi zgjedhjet e kryesocialistit Rama. Por kjo as do ta pengonte kryeministrin Rama, të recitonte të njëjtën frazë, se faji qe individual, ndërsa përzgjedhja e tij kah njerëzit e suksesshëm në fusha të ndryshme. Kajmaku deri atë kohë mbahej si një biznesmen i suksesshëm në fushën e tregtisë së luleve.
Tanimë me strukturë të ngritur, Prokuroria e Posaçme nisi punën , e vetëdijshme rreth pritshmërive të larta që vendas e të huaj kanë për të. Pas çuarjes para Drejtësisë, një ish-zyrtar të lartë si Adriatik Llalla, që kishte mbajtur detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, hetimet e SPAK çuan në pranga një tjetër kryebashkiak socialist. Fatos Tushe, kryebashkiak i Lushnjës u arrestua për korrupsion me tenderët në bashki.“Nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve”, deklaronte kryeministri, ndërsa shtonte se Partia Socialiste nuk bëhej mbulesë e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak. Kjo ngjarje megjithatë e bëri Ramën t’i mblidhte kryebashkiakët në një takim, ndërsa i paralajmëroi se për kushdo që abuzonte do të digjej nga zjarri i SPAK-ut. Ai ua bëri të qartë se Partia Socialiste nuk ishte zyrë avokatie për askënd.
Rama nuk ishte bërë avokat mbrojtës as i Vangjush Dakos, ish-kryebashkiakut të Durrësit. i shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe i përfshirë në përgjimet e Dosjes “339”, ku Dako dëgjohej të fliste me elementë të inkriminuar për ndikim në votat pro PS, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 2017-s, Rama thoshte se me të do të qe “mik deri në burg”. Por, para Drejtësisë, miku dhe i zgjedhuri prej tij në tre mandate në krye të Durrësit, do të shkonte i vetëm. Megjithë skandalet e publikuara në media për dosjen “339”, Dako u thirr në Prokurori vetëm si një person që ka dijeni për ngjarjet, ndërsa PS nuk e rikandidoi kryebashkiakun më jetëgjatë për një tjetër mandat. Megjithëse parimi i Ramës, se faji mbetej individual dhe se nuk do të bëhej avokat i askujt, ndryshe u qas çështjes që përfshiu ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Pasi opozita kërkonte dorëheqjen e këtij të fundit, pasi i vëllai qe dënuar në Itali për trafik droge, kryeministri Rama tha se kishte pasur kërkesë ekstradimi nga Italia, ndërsa i vëllai i ministrit u vetëdorëzua pasi lajmi u bë jo vetëm publik, por edhe politik.
Në lidhje me dorëheqjen e kërkuar të Xhafajt, kryeministri deklaroi se ‘ne nuk kemi njerëz për t’i lëshuar në dhembët e ujqërve por as nuk jemi njerëz që i kërcasim dhëmbët organeve të drejtësisë”, ndërsa kujtonte edhe qëndrimin që mbajti për pararendësin e Xhafës, Saimir Tahirin. Xhafaj nuk e dha dorëheqjen gjatë presionit të PD-së në maj të 2018-s, por disa muaj më pas, me pretendimin se atij dikasteri i nevojiteshin forca dhe energji të reja.
Në fjalimin e tij emocional për Saimir Tahirin, si një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë , ku e etiketonte si gjyq politik, fars e skenar të shkruar prej ndonjë amatori inatçi, kryeministri e lëshoi ministrin e tij “kampion” , që të shkonte para drejtësisë si një deputet i lirë, jashtë forumeve të PS-së.
“Unë e dua Saimirin, por sot dua më shumë drejtësinë të më tregojë të vërtetën. Për të shkuar tek e vërteta Saimir Tahiri nuk mund të burgoset, por duhet të hetohet në të gjitha mundësinë që parashikon Kodi Penal”, shprehej Rama në fjalimin e tij, duke zgjedhur siç thoshte ai të mos i kërciteshin dhëmbët drejtësisë, qoftë kjo me koston për të lëshuar “në dhëmbët e ujqve”, të zgjedhurit e tij.
Me një vendim gjykate për të pushuar çështjen e tij penale, Valdrin Pjetri i kërkoi kryeministrit Rama një shans të dytë. Pasi ai nuk mundi ta gëzonte karrigen e bashkisë së Shkodrës, ndonëse fitoi në zgjedhje pa garë, Pjetri i kërkoi kryesocialistit ta rikandidonte në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit.“Shansin e dytë e jep Zoti, PS nuk jep shans të dytë për askënd që e vendos partinë në pozita të vështira, që bën deklaratë të rreme lidhur me jetën, veprimtarinë dhe të gjitha ato aspekte që kanë të bëjnë me pastërtinë e figurës”, përgjigjej Rama. Megjithatë i njëjti rregull duket se nuk u zbatua nga kryesocialisti, i cili kryebashkiakun e Dibrës, Dionis Imeraj, – të hetuar për shitblerje votash në dosjen “184”, e listoi si kandidat për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.
Pasi dyert e PS-së kanë qenë të hapura për individë, e kaluara e të cilëve ka pasur jo vetëm dritëhije por edhe dënime nga gjykatat, kreu i saj i mbyll dhe i vulos fort për shanse të dyta me vijën e kuqe, të cilën e përsërit, çdo herë pasi një nga të zgjedhurit e tij – në parlament, kabinet apo bashki – del përballë Drejtësisë. Por rastet nuk janë më përjashtim nga rregulli, ndërsa numri në rritje rrezikon të shkruajë një rregull të ri, ku partia që të zgjedhur e promovuar i lan duart përballë akuzave nga organet e drejtësisë.
“Askush ndër ne që ka punë me drejtësinë nuk mund të jetë pjesë e familjes sonë politike. Kaq. Kjo është Partia Socialiste. Ky jam unë”, thotë Rama. “Mua mos më gjykoni nëse dikush bën diçka në shkelje të ligjit”, thotë kryeministri . “Më refuzoni kur unë shkel ligjin”, shprehej dikur ai, duke shkundur prej supeve barrën e përgjegjësisë si kreu i partisë në pushtet prej 9 vitesh tashmë dhe duke u shfaqur si naiv në përzgjedhjet e tij, derisa flasin skandalet.Ai rreket të bindë se Partia Socialiste u shërben zgjedhësve dhe jo të zgjedhurve, por këtyre të parëve u sjell alternativa të zgjedhurish, ku një numër domethënës prej tyre ose akuzohen për shpërdorim detyre, korrupsion apo kanë fshehur të kaluarën, e lidhur me krimin./S.B. Gazeta MAPO