Nga Sokol Shameti
Teatri Kombëtar, me apo pa vetëdije, ka ekspozuar një çarje serioze në shoqërinë shqiptare. Jo se uniteti është shenjë shëndeti, gjithsesi – mirëpo ja që një shoqëri e cila pret momente të tilla për të dëshmuar se ajo po jeton në dy a më shumë realitete paralelisht, në dy botë të kundërta, në dy të vërteta të papajtueshme – më së paku na flet për mungesën e një elementi të rëndësishëm që e bën shoqërinë të jetë shoqëri: debati i brendshëm, ballafaqimi i mendimeve. Në Shqipëri nuk ka mjaftueshëm debat, por ka me tepri monolog të brendshëm. Në Shqipëri nuk ka boll pikëpyetje, por ka mbi masë – siguri të plotë. Nuk ka mjaftueshëm as lëkundje, as diskutime, as dilema, as hezitime. Ka vetëm bindje të verbër se është kështu siç e them unë dhe pikë.
Të gjitha me radhë, debati, syri dyshues, mëdyshja apo ngurrimi nënkuptojnë e madje kushtëzohen me praninë e tjetrit, të dikujt me të cilin të debatosh, në vendin e të cilit të vihesh, nga konteksti i të cilit të analizohesh. Mirëpo, krejt çka po dëshmon kjo çarje kaq e thellë mes dy palëve, na jep të kuptojmë se perspektiva e tjetrit nuk ekziston në mendjen e qytetarit të këtushëm. Shqiptari është më së shumti në vetmi. Dhe vetmia është e kundërta e shoqërisë, por le të mos bëhemi kaq fatalistë për momentin.
Fillimisht: A jemi në terezi të kokës? A mund të katandiset një çështje kaq serioze sa nënshtrimi përfundimtar i interesit publik përballë kapriçios private, në një kauzë tifozerie? A mund të reduktohet një debat potencialisht civil mbi vlerat, në një shkulm histerik nga ata që ndodhin ndër ultrasit futbollistikë që e ndërtojnë krejt logjikën e ekzistencës së vetes vetëm mbi premisën e shembjes së çdo pengese mes vetes dhe triumfit? Kjo etje e tmerrshme për konfirmim të pushtetit, kjo uri gjakësore për demonstrim të forcës, kjo këmbëngulje për t’i treguar vendin armikut, e gjithë kjo marrëzi primitive është ngjethëse, sidomos pse po zbatohet në emër të kulturës, emancipimit, qytetërimit, e të tjera fjalëve kumbuese si këto.
Në radhën e parë, janë ideatorët dhe flamurtarët e zellshëm të shkatërrimit të Teatrit. Këta nuk meritojnë ndonjë indulgjencë sepse e dinë fare mirë çfarë po bëjnë. Për ta është e qartë se si u torr për muaj e vite me radhë përralla e teatrit “prej tallashi”, si u krijua legjenda e “dopolavoros” së përkohshme fashiste, si u tentua të ndikohej opinioni përmes narrativës mpirëse se me humbjen e teatrit nuk po humbiste ndonjë gjë e madhe, si u punua djallëzisht me anë të termave, pak këtu e pak atje, pak duke e paraqitur teatrin si një gërdallë të shpifur e të padurueshme, pak duke e portretizuar babëzinë private si një zhvillim fisnik dhe iluminues.
Kjo është një muzikë e njohur. Fillimisht caktohet objektivi, pastaj i nënshtrohet denigrimit, më pas rrëzohet me rezistencë të mpakur artificialisht. Nuk ka rëndësi nëse objekti është send apo frymor. Teknika është po ajo. Ata që e zbatojnë e dinë këtë dhe po e ndjekin manualin me përpikëri. Këta janë një luzmë e përzishme dembelësh mendorë që kulmin e realizimit të vet si njerëz konsiderojnë t’u dalë e tyrja edhe atëherë kur e dinë që e kanë gabim. Detashmente të tilla psikopatësh entuziastë janë ato që e bëjnë një diktator të duket i moderuar nga disa këndvështrime të parrezikshme. Por ata janë njëherit edhe lënda lubrifikuese që mban në lëvizje mekanizma të këtillë shtypës si operacioni për shkatërrimin me çdo kusht e me çdo çmim të një Teatri për të cilin çdo logjikë, çdo arsyetim, çdo llogaritje dhe çdo vlerësim po thotë: mos e prek.
Së dyti, dhe nën sqetullën e të parëve, janë ata që me një heshtje shpesh të pamend e ca më rrallë cinike po e përkrahin konkretizimin e një kuturisjeje të tillë marroke si shkatërrimi i një Teatri kombëtar për ta “zhvilluar” truallin e tij në biznes imobiliar. Këta përfshijnë një “shumësi” të debilizuarish që i japin volum masës së atyre që nuk kanë as mendim e as veprim të vetin. Këta, gjithashtu, përfshijnë edhe një pakicë dinake “puritanësh” që e përdorin pretekstin e biografisë me njolla të disa prej trupave mbrojtëse, si justifikim për të mos marrë pjesë në trupën mbrojtëse.
Dhe këta janë, e keni parasysh: ca të vetëhequr majtistë, ca citues parathëniesh të cilët do kohë më parë na gudulisnin me hartime mbi hiperabstraksionin Hegelian, që na përshkruanin parabolën e lopçarit vulgar i cili për shkak se e ndërton bindjen mbi perceptime dhe opinione, arrin në përfundimin se gjithçka “mbi dhe është e njëllojtë dhe dallimi a ndryshimi i pamundur”. Ndër të mirat e rrotullimit të tokës rreth diellit është edhe krijimi ironik e madje, ikonik i atyre konteksteve në të cilat përçartjet e tua të dikurshme ngjajnë kaq anti-spinozisht të dobishme për të krijuar kësaj radhe jo shkallaren e injorancës së pavullnetshme drejt argumentit, por shkallaret e argumenteve drejt injorancës së vullnetshme.
Zaten, koha kurrë s’vjen përgjysmë. Së treti, janë mbrojtësit e teatrit. Arsyet pse ata po e bëjnë këtë janë të ndryshme. Këtu nuk mungojnë as ata që nuk kanë ndonjë ndjeshmëri as për vlerën memuaristike të Teatrit, e as për domethënien ideologjike të mbrojtjes së publikes, por thjesht e mbrojnë Teatrin për të bërë të kundërtën e atyre që i quajnë në opozitë me partinë e vet. Mirëpo, në këtë grup të madh mbrojtësish, ka shumë më shumë logjikë. Ka boll më shumë njerëzillëk. Larmia e bën këtë masë të ngjajë humane, përtej uniformitetit të kronometruar insektoid të sulmuesve.
Si pa dashur, përmes larushisë së arsyeve pse ata mendojnë që nuk i duhet hapur udhë oreksit të një bajlozi ndërtimor që ka vënë në rresht çdo hallkë të administrimit dhe vendimmarrjes publike, mbrojtësit e teatrit po kryejnë konsultimin e munguar publik mbi atë çka duhet bërë me këtë teatër, me të gjitha opsionet e tij. Kjo rezistencë, pavarësisht qëllimeve në origjinë a në prapavijë, është një intifadë shpaguese që i prish punë kolonizimit të publikes nga babëzia për fitime e privates. Ashtu si çdo intifadë, ajo nuk synon ta mposhtë agresionin. Minimalisht, ajo mund të arrijë ta bëjë atë të shtrenjtë kësaj radhe. Maksimalisht, të paleverdishëm në vijim.