Familja mbretërore britanike ka strehuar refugjatë ukrainas dhe ka bërë donacione në para për të ndihmuar me ndihmat humanitare, por kanë dashur ta bëjnë këtë pa asnjë publicitet.
Pushtimi rus ka bërë që miliona ukrainas të largohen nga vendi i tyre dhe disa po strehohen nga familjet në Mbretërinë e Bashkuar.
Në mënyrë diskrete, një numër i anëtarëve të familjes mbretërore u zotuan të “bënin punën e tyre” dhe filluan menjëherë angazhimin pasi u prekën thellë nga gjendja e vështirë e popullit ukrainas, raportoi Daily Express .
Pjesëtarët e familjes mbretërore po ofrojnë strehim për një numër familjesh të detyruara të largohen nga vendlindja e tyre.
Burimet thanë se anëtarët e familjes mbretërore kanë ndihmuar në strehimin e refugjatëve, por medias iu tha se ekziston një “dëshirë e fortë” për mos bërë publicitet me anëtarët e familjes mbretërorë që duan të kontribuojnë duke strehuar në mënyrë private refugjatët ukrainas.
Anëtarët e familjes mbretërore kanë bërë gjithashtu donacione të shumta në para dhe kanë mbështetur publikisht apele bamirësie.
Ata iu bashkuan politikanëve, udhëheqësve të biznesit dhe mijëra të tjerëve duke ofruar strehimin e disa prej gjashtë milionë ukrainasve që kanë ikur nga pushtuesit rusë në konfliktin më serioz në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Pothuajse 54,000 kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar sipas skemave të qeverisë. /Liberale.al/