Gjykata e Apelit Tiranë ka njoftuar se pas rihedhjes së shortit do të jetë relatore Irida Kacerja, në vend të Genti Shalës, që ishte përcaktuar në shortin e mëparshëm, së bashku me gjyqtaret Edlira Petri dhe Elona Toro.
Trupa e re gjykuese do të shqyrtojë ankimin e Partisë Demokratike për mos regjistrimin e Statutit të 18 dhjetorit, bashkë me ndryshimet në Kuvendin e 17 korrikut. Kacerja do të vendosë nëse PD do të vijojë të drejtohet nga ish-kryeministri Sali Bersha apo Enkelejd Alibeaj.
Gjyqtari Shala ishte shortuar më herët për shqyrtimin e ankimit të bërë nga mbështetësit e Lulëzim Bashës në PD, kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës, që refuzoi të regjistronte bashkë edhe ndryshimet statutore të Kuvendit të 17 korrikut të kaluar, edhe ato të 18 dhjetorit.
Pas ankimimit të bërë nga nënkryetari i PD-së, Enkeled Alibeaj, kundër vendimit të Shkallës së Parë të gjyqtarit Agron Zhukri më 25 mars, që ligjëroi këtë kuvend, në Apel kanë mbërritur edhe dy kërkesa ankimore nga ana e Komisionit të Rithemelimit. E para është kundër ankimit të bërë nga Alibeaj dhe tjetra kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës, që pranoi Alibeajn si palë në proces.