Arkiva 2

Fatkeqësia si fat





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:11 - 12/05/20 |
Nga Luçiano Boçi*

I marrosur pas pushtetit dhe i trembur nga humbja e karriges, Rama është drejt krijimit të bindjes personale se pandemia si fatkeqësi botërore, është rasti i artë i fatit të tij personal. Një fat i ndërtuar mbi fatkeqësi ky. Të rrallë kanë qenë ata drejtues politikë përgjatë historisë që fatkeqësinë e të tjerëve e kanë shndërruar në fat të mirë personal dhe e kanë konsideruar dhuratë hyjnore. Rama i përket kësaj race.


Ardhja e tij në pushtet u mbështet që herët në një retorikë brutale, të ndërtuar si fabul krimi për ngjarje me përmbajtje tragjike si Gërdeci e 21 Janari. Vazhdimi i pushtetit të tij ishte një suksesivitet prodhimi fatkeqësish, i shoqëruar me ato natyrore që ai i menaxhoi si fate personale pushteti. Kanabizimi i vendit si fatkeqësi e imponuar prej tij, kriminalizimi i politikës po ashtu, varfërimi e grabitja konstante e shqiptarëve për shkak të interesave të ngushta oligarkike, shkatërrimi i sistemit të drejtësisë e më pas përmbytjet, tërmetet dhe tani corona, u shndërruan në momentum-e konsolidimi e force pushteti dhe jo në angazhime qeveritare për të ushtruar mandat të përgjegjshëm, për të luftuar krimin, për të qenë në anë të drejtësisë, për të qenë afër njerëzve dhe si përgjegjësi publike.


Sot më shumë se kurrë, ai po luan çdo gur pandemik që rasti ia ka dhënë në dorë, për të realizuar qëllimet ekonomike pasurore dhe politike sunduese. Nën këtë atmosferë fatkeqësie shëndetësore për të gjithë e fatsjellëse për të, ai po përpiqet të insistojë prej tre vitesh të mbjellë një tjetër fatkeqësi shkatërruese, e cila i jep oksigjen azmës së tij të theksuar politike: fatkeqësinë historiko-kulturore në emër të arkitekturës së re të regjimit.


Pra fatkeqësi mbi fatkeqësi, duke i vënë kazmën e përdhosur objektet kult të trashëgimisë, siç është teatri dhe zona përreth tij dhe duke fshirë pjesë identitare të konstitucionit kulturor të kombit. E ndoshta më pas do shpalosë dhe një tjetër dhe një tjetër…


Që së bashku me ato kriminale, kanabizuese e varfëruese, t’i përdorë si majën e plehut, nga ku mund të këndojë çdo gjë që i vjen ndërmend e të mbjellë përfundimisht fatkeqësinë e demokracisë me duart e regjimit që ka ndërtuar. Kalimi në pronësi të Bashkisë së Tiranës i truallit të Teatrit, është gongu i një lufte për pushtet personal, ekonomik dhe politik.

E si për ta “trullosur” fatkeqësinë, mu në prezencë të ambasadorit të BE, për të cilën teatri është pjesë e Europa Nostra, Rama njoftoi ligjërimin e një tjetre katastrofe: legalizimin e kanabisit, duke pothuaj shpallur de facto qenien e vet në krye të një regjimi narko-demokratik. Për çdo njeri Teatri dhe Kanabisi s’kanë lidhje. Por për Ramën kanë.

Janë fatkeqësi të krijuara nga ai, janë krijesat e dashura të tij dhe që ai i përdor si fat personal për interesa pushteti e ekonomike të pista. Në sinkron me këto urdhëroi marrjen zvarrë të aktivistë, të cilët kishin gjetur një mënyrë efikase protestueso-festive, për të kujtuar ditën e Evropës dhe mbrojtur një simbol dhe të sajin, siç është teatri. Asgjë e rastit për Ramën.

Simbolika e burgosjes së protestuesve për mbrojtjen e vlerave evropiane në ditën e Evropës, shpreh domethënien hakmarrëse të ideologjisë që i gëlon në shpirt: burgosjen e ëndrrës evropiane të shqiptarëve. Policia e shfrenuar e tij, dëshmoi dhe sot (dje) se është shërbëtore e bindur e mbjelljes së fatkeqësive në këtë vend. Mos harrojmë që kjo metodë moderne e mbjelljes me fatkeqësi kullash të zonës së teatrit, duke ia kaluar në pronësi kryetarit-kamikaz të Bashkisë, nuk është e re. Pak muaj më parë, u kalua në të njëjtën mënyrë, sikur Ramës t’ia kishte lënë gjyshi, një tjetër pjesë e majmë dhe lavatriçe perfekte e parave të pista e betonizimit të Tiranës, zona e Kopshtit Botanik. Pa pyetur fare, si gjithmonë, për kushtetutën apo gjykatat.

Kjo fatkeqësi-vepër e Ramës, ka dhe një dimension të pathënë, të lumtur e ngjason si fat kaleidoskopik për të. Duke “ia ngarkuar drutë” e Teatrit Bashkisë, ai vetë njëkohësisht që mbush xhepat, njëkohësisht që ndan interesa të pista, lan duart dhe nga akuza në opinion për veprën e rëndë penale të shkatërrimit të trashëgimisë dhe bën përgjegjës direkt thjeshtrin e tij politik që në luftën e brendshme partiake kërkon ta spostojë. Me një fatkeqësi Rama vret kështu disa zogj.

Por gabon në një llogari fare të thjeshtë që është përcjellë historikisht si mallkim: Regjimet në kulmin e afirmimit të tyre, luftërat i kanë nisur me artistët. Por ky ka qenë fillimi i fundit të pashmangshëm për regjimet. Dhe ky regjim në një formë, apo tjetër, nuk mund dhe nuk do t’i shpëtojë këtij lloj mallkimi.

Po ky nuk është fat që vjen vetë. Kryeministri që jeton dhe ndërton suksesin e tij mbi fatkeqësinë e shoqërisë dhe vendit, duhet të ketë domosdoshmërisht fatin e keq të largohet një orë e më parë dhe duhet braktisur e zhytur, nëpërmjet revoltës, në fatkeqësinë e vet politike.

Ish-deputet i PD


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas