Janë zgjedhur 58 emra për fazën e dytë të procesit “Deputeti që duam” nga Partia Socialiste.
Lajmi u dha sot nga kryeministri Edi Rama në një konferencë online, teksa theksoi se një pjesë e këtyre emrave do të jenë në listën e zgjedhjeve të 25 prillit.
“Përshëndes të gjithë ata që e kanë kapërcyer fazën e parë dhe kanë kurajën dhe pasionin për të bërë atë që shumë kush e konsideron hap të kotë marrjen me politikë, edhe pse shpesh politika ka dhënë mësime të gabuara.
Janë 58 emra që përfshihen në listën e atyre që e kanë prezantuar më mirë pse-në e kësaj nisme individuale dhe fuqinë e ambicies së tyre. Por nuk do të thotë që ata që nuk janë përfshirë në listë janë më pak të talentuar.
Unë i inkurajoj ata që nuk kanë kaluar fazën e dytë që të mos tërhiqen por të kuptojnë se për të shpalosur potencialin e brendshëm duhet punë, përgatitje, trajnim. Dua t’i them të gjithëve që edukimi i vetvetes është i nevojshëm sidomos kur merr përsipër të komunikosh me komunitetin. Edhe për mua që flas këtu është domosdoshmëri për të ushqyer veten me informacion”, – tha Rama.