Nga Mehmet Kraja
Pjesë nga libri ‘Identiteti kosovar (Dilema dhe kundërthënie)’, ribotim i plotësuar nga UET-Press
Trajtimi i çështjes së Kosovës në Shqipëri ka kaluar nëpër faza të ndryshme, disa prej të cilave kanë qenë shumë intensive, kurse disa të tjera janë shquar për intensitet të ulët të interesimit. Intensiteti i trajtimit është varur në radhë të parë nga faktorët e brendshëm, që domethënë nga vetë zhvillimet në Shqipëri, pastaj nga zhvillimet në Kosovë dhe, së fundi, nga rrethanat ndërkombëtare, kundrejt të cilave bota shqiptare ka pasur gjithnjë ndjeshmëri. Para vitit 1912, në mendimin politik shqiptar Kosova nuk identifikohet si e ndarë nga pjesa tjetër e botës shqiptare. Kjo ishte rrethanë normale, sepse e gjithë hapësira shqiptare funksionon brenda Perandorisë Otomane.
Megjithatë, me Kosovën e kësaj kohe, veçmas me atë të shekullit XIX ekziston një problem, i cili nuk është trajtuar ndonjëherë, qoftë në historiografinë tonë, qoftë në shkrimet e tjera për këtë periudhë: Kosova ka një pjesëmarrje të vogël, jashtëzakonisht të vogël në lëvizjet kulturore të asaj kohe. Ose nuk ka fare. Kosovarët i shohim fare pak të pranishëm në klubet dhe shoqatat kulturore. Vetëm aty-këtu mund të haset emri i ndonjë shqiptari nga kjo hapësirë të jetë përfshirë në ndonjë aktivitet me parashenjë kulturore shqiptare, ndonëse është e njohur se shqiptarë të arsimuar që vepronin në kuadër të institucioneve turke, ta zëmë, nga Peja dhe Prizreni kishte jo pak. Përse, pra, asnjë rilindës me nam nuk e ka origjinën nga kjo zonë, nga ky vilajet i Perandorisë? Natyrisht që Kosova në atë periudhë nuk identifikohej si e ndarë nga hapësira tjetër shqiptare, përveç se si vilajet i veçantë, siç ishin edhe tre vilajetet e tjera me shumicën e popullsisë “arnaute”. Atëherë, çfarë kishte të veçantë ky vilajet, i cili së paku që nga gjysma e shekullit XIX e prapa, derisa nuk u nda përfundimisht nga trungu shqiptar, nuk merr pjesë pothuajse në asnjë lëvizje kulturore, nuk bën letërsi shqipe, nuk shpërndan shkrimin shqip, nuk formon shoqata dhe klube kulturore, nuk merr pjesë në këto forma të organizimit, nuk jep kontribut për mbijetesën e tyre? Ose jep fare pak, në krahasim me pjesën tjetër të botës shqiptare. Përse ndodhë kjo? Çfarë thonë arkivat për këtë, çfarë thonë dokumentet historike, ne ende nuk e dimë.
Ne mund ta kundërshtojmë një konstatim përgjithësues për një përjashtimin kaq radikal të Kosovës nga lëvizjet kulturore dhe arsimore shqiptare të asaj kohe me faktin se në Prizren u hap një shkollë shqipe vetëm dy vjet pas asaj të parës në Korçë, por nuk mund të mos shprehim çudi dhe njëfarë zhgënjimi që pikërisht nga po ky Prizren, nga Peja ose Gjakova, qytete këto që u bënë qendra të ngjarjes më të rëndësishme kombëtare të shekullit XIX, siç ishte Lidhja e Prizrenit dhe më vonë Lidhja e Pejës, të mos ketë asnjë emër që dëshmon se shkruan shqip. Seç janë aty ca myderrizë dhe imamë, për të cilët nuk mund të themi me qartësi përse u përfshinë në lëvizjet politike të asaj kohe, për të bërë Shqipërinë apo për të shpëtuar Turqinë, por dihet se nuk e bënë shqip asnjë shkronjë, sepse edhe për shumë kohë, bashkë me krejt vilajetin e tyre, vazhduan të bënin ilahi dhe të shkruanin nga e djathta në të majtë. Vërtet, ç’ishte, pra, ky vilajet i errët?
As në Kongresin e Manastirit të vitit 1908, ku u vendos për alfabetin shqip, Kosova nuk merr pjesë me ndonjë përfaqësues. Do të pranohet si i mirëqenë shpjegimi se Kosova tashmë ishte përfshirë nga trazira të mëdha dhe se ishte pamundësuar udhëtimi për në Manastir i ndonjë delegati nga Kosova. Por cili ishte ai? A kishte një emër, një burrë i ditur që mund ta përfaqësonte Kosovën në Kongresin e Alfabetit? Përse një i tillë nuk përmendet askund, as në dokumentet e Kongresit, as në shtypin e kohës? Nëse nuk mund të vinte nga Kosova e përfshirë në trazira e kryengritje, përse një i tillë, me origjinë nga ai vilajet, nuk gjendej në kolonitë shqiptare, veçmas në Stamboll, ku dihej se nuk kishte mungesë kosovarësh. Pra, duket se mungesa e Kosovës nuk do të mund të shpjegohet vetëm me mungesën e një përfaqësuesi hipotetik, por më shumë me mungesën e një lëvizjeje kulturore. Apo bëhej fjalë për diçka tjetër: se Kosovës tashmë i qe caktuar një rol në skenën e historisë shqiptare dhe se ai nuk mund të ishte rol i parë…?
Supozimet çojnë te ideja se pikërisht mund të ketë qenë Kongresi i Manastirit ai që kishte shënuar ndarjen e parë të madhe ndërmjet Kosovës dhe asaj pjese të hapësirës shqiptare, që më vonë do të quhet Shqipëri, edhe përpara se të shpallej pavarësia dhe të bëhej shteti i cunguar shqiptar. Është e vërtetë se kufijtë e “Shqipërisë londineze” i vendosen fuqitë e mëdha, shqiptarët duke pasur të vetmën mbështetje reale Austro-Hungarinë pothuajse të armiqësuar me të gjithë. Po përse nuk na shkoi mendja qoftë edhe një herë të themi se padrejtësia e madhe që iu bë Kosovës me këtë rast, deri në njëfarë shkalle reflektonte edhe gjendjen e saj të brendshme? Është e vërtetë se Kosova i bëri kryengritjet e mëdha, që i paraprinë shpalljes së pavarësisë më 1912. Po përse ata nuk e shpallën pavarësinë në Prishtinën dhe Shkupin e çliruar, por i shpërbënë çetat kryengritëse pikërisht atëherë kur kishin arritur sukseset më të mëdha në terren? Ç’ishte kjo marrëzi kosovare? Përse, pra, kishin luftuar? Përse tani duhet së dyti të krijohet një territor i lirë, kësaj radhe në Vlorë, qindra kilometër larg dhe të vinte Isa Boletini t’i rrinte në krah Ismail Qemalit, kur këtë po ky Isa ka mundur ta bënte me Hasan Prishtinën në cilindo qytet të Kosovës? Sepse kështu donin fuqitë e mëdha, kemi thënë gjithmonë, në këtë rast Italia dhe Austro-Hungaria. Por nuk kemi thënë se Kosova në atë periudhë, sikundër edhe më parë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX, kishte një deficit identiteti, i cili nuk garantonte suksesin e asnjë ndërmarrjeje të madhe kombëtare. Pak më shumë se tridhjetë vjet përpara se të shpallej pavarësia e Shqipërisë, Kosova e kishte dëshmuar potencialin e saj identitar me Lidhjen e Prizrenit. Kështu kemi thënë gjithmonë. Mirëpo nuk e kemi thënë ndonjëherë se, kur u desh të mbrohej Lidhja e Prizrenit, Kosova nuk dha më shumë se tre mijë burra. Tani, ku ishte problemi, te programi i paqartë i Lidhjes, apo te vetëdija e munguar identitare e kosovarëve? As në këtë pyetje nuk jemi përpjekur të japim përgjigje.
Refuzimi konceptual i Kosovës
Me shpalljen e pavarësisë dhe me caktimin e kufijve të Shqipërisë, fillon një fazë tjetër e trajtimit të çështjes së Kosovës në Shqipëri. Deri atëherë, nëse ndër shqiptarët kishte një çështje kosovare, ajo ishte çështje lokale, ndërsa nga pikëpamja shtetërore, Kosova bëhet çështje e jashtme. Në këtë periudhë, e cila përfshin kohën e konsolidimit të shtetit shqiptar, kemi njëlloj dualizmi të ndërtuar nga njëra anë mbi sentimentin e shqiptarëve të Shqipërisë për Kosovën e shkëputur nga “dheu mëmë” dhe të mbetur në robëri; dhe, më anë tjetër, një pragmatizëm shtetëror, i cili kërkon të lirohet nga ndjeshmëria për Kosovën dhe këtë “çështje madhore kombëtare” ta sakrifikojë për interesa të shtetit, sa herë që për këtë paraqitet nevoja. Në një mënyrë, kjo ka qenë politikë shtetërore e periudhës së Zogut, në të cilën nuk kishte shumë moral, por mund të thuhet se kishte synim krijimin e vetëdijes shtetërore, aq shumë të munguar ndër shqiptarët.
Zogu u shpall mbret i të gjithë shqiptarëve dhe duket se ai vërtet e mendoi veten si të tillë, pavarësisht se, paraprakisht, kur i erdh puna për të mbajtur pushtetin, me shumë ëndje bëri marrëveshje me Pashiqin dhe me shtetin e tij, që vetëm pak vite më parë kishte ushtruar gjenocid mbi Kosovën dhe mbi vetë Shqipërinë. Megjithatë, kjo politikë dhe kjo mënyrë sjelljeje ndaj Kosovës merr një përkrahje të gjerë në Shqipërinë e asaj kohe. Në njëfarë dore, mënyrën e këtillë të trajtimi të çështjes së Kosovës e përvetësojnë në masë edhe qarqet intelektuale dhe shtypi i kohës. Sentimenti për Kosovën deri diku vazhdon të ruhet, por ajo më shumë ngjan si një plagë e fshehur, e mbuluar me kujdes, të cilën askujt nuk i pëlqen ta ngacmojë. Aty-këtu gjendet ndonjë intelektual nacionalist, i cili, në kuadër të shqyrtimeve të trendit të kohës, nuk e projekton kombin vetëm në suaza të shtetit, por zërat e tillë bëhen gjithnjë e më të rrallë, ngase në mendimin politik dhe përgjithësisht në mendimin shqiptar fillon të dominojë vetëdija e kombit-shtet. Mbase ky mund të jetë edhe një pragmatizëm i pëlqyeshëm, i cili fillon të dominojë vetëdijen e shqiptarëve të Shqipërisë. Ata, duke e parë potencialin real të shtetit të tyre, nuk projektojnë ëndrra të parealizueshme, madje tejet të rrezikshme:. Ekzistenca e Shqipërisë ishte e rrezikuar edhe pa Kosovën si çështje e hapur, kështu që një interesim simbolik për Kosovën mund të ishte shumë më produktiv se çdo angazhim tjetër radikal.
Prandaj, zërat që e konsiderojnë Shqipërinë të vetëmjaftueshme fillojnë e shtohen vazhdimisht, derisa një ditë, ndonëse asnjëherë nuk u shpall, kjo u bë vetëdije mbisunduese te mbarë shqiptarët e Shqipërisë. Pikërisht, që nga ky çast fillon edhe refuzimi i ndërsjellë i kosovarëve dhe shqiptarëve të Shqipërisë, i cili natyrisht që nuk shpallet asnjëherë publikisht dhe rrallëherë merr shpërfaqje të drejtpërdrejtë dhe të hapur, por si një virus i padukshëm sëmur dhe helmon krejt marrëdhëniet e mëvonshme ndërmjet dy pjesëve të kombit. Thelbi i kësaj mosmarrëveshjeje qëndron në këtë pikë: Kosova ndihet padrejtësisht e braktisur, ndërsa Shqipëria e projekton Kosovën si një telashe që e bezdis vazhdimisht. Madje, në këtë drejtim shkohet edhe një hap më tej: në mendimin shqiptar të asaj kohe fillon të përvijohet braktisja ose refuzimi konceptual i Kosovës, që ndodh me Konicën dhe Çabejn, siç e kemi përmendur edhe herë të tjera.
Në veprën e tij “Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore” Konica, me shumë erudicion, ndër të tjera, bën edhe përshkrimin historik-etnografik të Shqipërisë që nga cepi jugor, që është Konica e tij në Greqi, e deri në cepin më të epërm të Shqipërisë, duke mos dalë për asnjë pëllëmbë përtej kufirit shtetëror, andej ku shtrihej Kosova. Do të ishte një pretendim i gabuar po të thuhej se Konica nuk e njihte atë botë shqiptare që shtrihej matanë kufirit verior të Shqipërisë, sepse shumë vjet përpara Pejën, Gjakovën dhe Prizrenin ai vetë i kishte quajtur “zemra e Shqipërisë” dhe doemos që e kishte një njohje historike të asaj pjese të hapësirës shqiptare. Nuk duket i besueshëm as supozimi se Konica me këtë rast u ruajt nga implikimet diplomatike, meqë pretendimet e librit ishin të mëdha, “një letërnjoftim i Shqipërisë në botën perëndimore”, ngase nga këto implikime eventuale nuk e kurseu veten në rastin Konicës së tij, e cila prej kohësh gjendej në Greqi. Atëherë, përse Konica, pra, me vetëdije bën një shkapërcim të tillë dhe Shqipërinë historike dhe etnografike nuk e sheh përtej kufijve të shtetit, me përjashtim të atij cepit fundor, ku shtrihet vendlindja e tij?
Një përgjigje nuk e gjen dot në këtë pyetje, së paku jo të tillë, e cila nuk do të supozonte se Konica, që tashmë ishte i vetëdijshëm për pozitën e liderit në mendimin shqiptar, nga vitet e fundit të jetës kishte marrë edhe rolin e ndërtimit të pikëpamjeve të avancuara për kombin (ose t’u bënte jehonë atyre), të cilat dalloheshin thellësisht nga pikëpamjet e shekullit XIX, sepse kombi tani lidhej me shtetin dhe në shumë pika shteti kishte filluar të merrte prerogativat e kombit. Këto pikëpamje, të cilat filluan të dominonin Europën e shekullit XX dhe që krijuan bazën ideore të fashizmit dhe nazizmit, i leverdisnin Shqipërisë jo të tilla siç ishin shfaqur në edicionin e tyre primar, por të modifikuara dhe të konvertuara në një pragmatizëm të kundërt: Shqipëria duhej t’ia kufizonte vetes përgjegjësitë për Kosovën dhe për hapësirat e mëdha të mbetura jashtë kufirit shtetëror, nëse dëshironte t’i shpëtonte rrezikut që i vinte “së jashtmi”, nga vetë pjesëtarët e kombit të vet. Prandaj, në këtë kohë, e cila shquhet gjithandej për ide nacionaliste dhe shoviniste, në Shqipëri ndodh ridimensionimi i patriotizmit dhe nacionalizmit, që do të vazhdojë edhe në kohët më të vona. Ky ridimensionim në Shqipëri nuk përfshin idenë e kombit të madh, as idenë e bashkimit të kombit, por idenë e kombit cilësor. Edhe Konica, në ato vite, e ka shqetësim themelor bërjen e shqiptarëve, pasi që Shqipëria tashmë ishte bërë, dhe jo bërjen e një Shqipërie tjetër, me të tjerë kufij dhe me një tjetër gjeografi.
Në një mënyrë, po këtë e thoshte edhe Branko Merxhani dhe Jakov Milo, njësoj si edhe Eqrem Çabej, i cili më 1939 shkon një hap më larg nga të gjithë: Shqipërisë politike ia vesh atributet e Shqipërisë natyrore.
Rikonfigurimi ideologjik
As periudha e komunizmit në Shqipëri nuk e ndryshoi në esencë qëndrimin ndaj Kosovës: vetëm e rikonfiguroi atë, në përputhje me situatat e reja të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë, vitet e pushtimit italo-gjerman do të marrin një kuptim të veçantë për të gjithë shqiptarët, si për ata që e glorifikonin rëndësinë e kësaj “lirie të pushtuar”, si për të tjerët që vazhdojnë ta mohojnë Shqipërinë e Madhe, më të madhin shtet shqiptar që ishte bërë ndonjëherë. Në të vërtetë, të gjithë historianët dhe krejt mendimi politik shqiptar do të gjenden ngushtë me shpjegimin e krejt asaj që ndodhi në atë periudhë, të vetëdijshëm se të lavdërosh një shtet kuisling të sajuar nga nazifashistët është nonsens për kuptimin dhe shpjegimin që u ka dhënë bota rasteve të këtilla dhe të ngjashme të historisë. Por, më anë tjetër, shqiptarët do ta kenë shumë të vështirë të gjejnë argumente të vlefshme për ta mohuar faktin se kjo periudhë e shkurtër e historisë së tyre, megjithatë, kishte edhe pikat e saj të ndritshme, ndoshta më të ndritshme se shumë kohë të tjera edhe më të lavdishme se kjo. Për shumë arsye, përfshirë edhe shkaqet që lidheshin drejtpërdrejt me Kosovën, shumica e intelektualëve të Shqipërisë të kësaj kohe mbeten disi të stepur ndaj atyre zhvillimeve dramatike, duke mos krijuar alternativë tjetër: ose fashizmin, ose komunizmin. Në këtë ngushticë idesh dhe zgjedhjesh pragmatike, një numër syresh gjetën mënyrë ta braktisnin skenën publike, ndërsa një numër jo i vogël u pozicionua qartë në anën e kuislingëve.
Sado që kjo rrethanë u duk e favorshme për Kosovën, pasojat e angazhimit të padiferencuar ndaj ideve dhe praktikave nazifashiste do t’i kthehen asaj si bumerang në vitet që erdhën pastaj. Dëmi do të jetë i madh dhe i pariparueshëm. Hija e errët e asaj Shqipërie të Madhe, që e bënë nazifashistët, do të shtrihet përgjatë gjithë shekullit XX dhe do të kapë edhe fillimin e shekullit XXI, duke stigmatizuar deri në përfytyrim të përbindëshit çdo vizion politik ose ide integraliste shqiptare. Një Shqipëri e zgjeruar përtej kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, në të cilën nuk përfshiheshin një pjesë e konsiderueshme e trojeve etnike shqiptare, e sajuar nga të tjerët në rrethanat e një lufte botërore, do të bëhet një tmerr i vërtetë për vetë shqiptarët. Idetë e nacionalizmit shqiptar do të marrin një ndëshkim që nuk e mor asnjë nacionalizëm tjetër pas Luftës së Dytë Botërore, as në Ballkan, as në Europë. Për shkak se një Shqipëri etnike, një Shqipërie deri diku gjithëpërfshirëse ishte bërë dhe kishte funksionuar nën pushtimin nazifashist, nacionalistët e Shqipërisë të kohës së komunizmit, edhe nëse kishte mbetur ndonjë i tillë pas përvetësimit në masë të ideve të internacionalizmit proletar, bashkë me kufizimet e tjera ideologjike, u privuan edhe nga çdo e drejtë për t’u shprehur dosido për çështjen e Kosovës.
Një dëm i madh iu bë Kosovës edhe në anë të tjera, në marrëdhëniet ndërkombëtare, sikundër edhe në vetë Kosovën e mbetur peng, madje u krijua një deformim i pashembullt në perceptimin e ideve nacionale. Për shkak të kësaj stigme nuk do të mund të përpunohet as të avancohet pothuajse asnjë program nacional i shqiptarëve, sepse për shumë kohë të gjithë do t’i druhen identifikimit me fantazmën e Shqipërisë së Madhe nazifashiste. Të paktë do jenë ata që do të marrin guximin ta sfidojnë këtë kufizim në fushën e ideve dhe akoma më të paktë ata që do të guxojnë të përballen me pasojat praktike të mbështetjes së një ideje të këtillë. Me anë tjetër, bërja e njëfarë Shqipërie etnike në kohën e pushtimit nazifashist do të shërbejë edhe si alibi për Shqipërinë e periudhës komuniste, që me çështjen e Kosovës të mos merrej si me një çështje të rëndë politike, bie fjala territoriale, por duke e reduktuar atë në çështje periferike, minoritare, siç ishte ruajtja e identitetit, gjuhës, kulturës etj.
Së këndejmi, kapërcimi i temës së Kosovës në rrafshin e trajtimeve ideologjike shënon fazën më të rëndë të degradimit të saj në mendimin politik shqiptar. Në Shqipërinë komuniste Kosova bëhet pjesë e luftës së klasave, bëhet torturë më vete për ata që duan të merren me të. Kjo ndodh për dy arsye themelore: e para, për shkak se Kosova në Shqipërinë diktatoriale konsiderohet pjesë e mendimit të lirë, që domethënë del jashtë skemës së kufizimeve ideologjike, pra bëhet e sanksionueshme; dhe, e dyta, Kosova bëhet objekt i propagandës ideologjike në raport me konfliktin e përbotshëm, real ose të perceptuar si të tillë nga bartësit e diktaturës në Shqipëri, siç është ndarje në blloqe, lufta e ftohtë etj., të gjitha këto të hedhura në rrafshin e ideve si luftë kundër imperializmit dhe revizionizmit.
Në të dy rastet trajtimi i çështjes së Kosovës rrëshqet nga objekti i saj i vërtetë dhe vetvetiu bëhet i frikshëm për të gjithë njerëzit, si për njerëzit e zakonshëm, si për ata që këtë çështje duan ta analizojnë në mënyrë më të thelluar. Prandaj, në kohën e diktaturës në Shqipëri nuk ka më mendim për Kosovën, ka vetëm zbatim të politikave që i përcakton partia dhe shteti. Deri në vitin 1981 këto politika janë “dërdëllitje nën zë”, që domethënë janë të mbyllura dhe konfidenciale, të tilla që nuk kalojnë pragun e institucioneve më të larta të shtetit dhe nuk u bëhen të ditura as kosovarëve, as vetë njerëzve të Shqipërisë, e aq më pak bashkësisë ndërkombëtare. Kjo periudhë është e mbushur me konspiracione nga më të çuditshmet, si në opinionin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm. Lëvizjet politike në Shqipëri janë të thuash tektonike: dalja nga Traktati i Varshavës, dilemat se nga do të shkojë Shqipëria, a do të ndodhë me të si me Hungarinë dhe Çekosllovakinë, kush do të jetë aleati i saj i ri dhe, mbi të gjitha, si do të reflektohen këto lëvizje në raport me Kosovën. Lidhja me Kinën bëhet qetësuese për të gjithë ata që supozojnë tronditje të mëdha, sikundër që prishja me të paraqet njëfarë lehtësimi, por nuk davarit të gjitha mjegullat dhe nuk i fashit të gjitha dilemat.
Pas vitit 1981 politikat e Shqipërisë ndaj Kosovës bëhen më të hapura, gati-gati publike. Duket sikur shteti nuk fsheh më asgjë për Kosovën, madje edhe ndonjë dyndje të tankeve të vjetruara në kufirin verior e bën në pikë të ditës, me shumë tym dhe zhurmë. Shteti tani ka nevojë të identifikohet me Kosovën dhe të luajë një kartë kombëtare, pasi i ka shpenzuar të gjitha të tjerat, politike dhe ideologjike. Edhe kësaj radhe Kosova përdoret nga pushtetmbajtësit, por asaj i krijohen disa favore: çështja e saj masivizohet në opinionin e Shqipërisë dhe politikat ndaj saj bëhen popullore, sikundër që edhe shtrëngesat e mëhershme ideologjike hiqen në njëfarë mase. Vetëm se kosovarët tani janë larguar nga skena, nuk janë të pranishëm në Shqipëri, sepse bashkëpunimi kulturor me Kosovën ishte ndërprerë. Kjo i krijon një favor Shqipërisë: të merret me Kosovën dhe kosovarët në distancë, përmes valëve të radios ose frekuencave televizive, pa i pasur nëpër këmbë, pa e helmuar ambientin me praninë e tyre revizioniste. Prandaj periudha 1981-1991 në Shqipëri është periudha më idilike për Kosovën. Përfytyrimi për kosovarët është fantastik: ata janë trima, të moralshëm, të dinjitetshëm, patriotë të mëdhenj, liridashës, arsimdashës. Në këtë e sipër, duhet treguar edhe fytyrën e vërtetë të socializmit revizionist jugosllav, për të gjithë ata që brenda dhe jashtë Shqipërisë kanë pasur iluzione rreth tij. Të gjitha këto ambalazhohen me kujdes brenda një pakoje propagandistike, e cila iu dërgohet kosovarëve përmes eterit, pa asnjë kontakt fizik me ta.
Pas vitit 1991 fillon një fazë e re e trajtimit të çështjes së Kosovës në Shqipëri. Është periudha më e komplikuar e këtyre marrëdhënieve dhe njëkohësisht periudhë e sqarimeve dhe mosmarrëveshjeve të mëdha. Nuk ka më iluzione dhe fshehtësi, por ende ka shumë konfuzion. Del në shesh se raportet Kosovë-Shqipëri janë shumë komplekse, se demokratizimi i mendimit shqiptar nuk sjell vetvetiu favorin e shpjegimit adekuat dhe të argumentuar të të gjitha çështjeve të mjegulluara prej shumë kohësh. Në situatat e caktuara, nëpër të cilat kalon Shqipëria pas vitit 1991, Kosova përdoret dhe keqpërdoret ndonjëherë, por ajo nuk funksionon më si dikur, nuk gëzon kurrfarë reputacioni, pra është demistifikuar. Në të vërtetë, kjo është kohë e rinjohjes së Shqipërisë me Kosovën, pas një ndarjeje të gjatë, një takim i serishëm, që nxjerr në sipërfaqe dallimet e mëdha dhe pikëtakimet e vërteta në mentalitet, në botëkuptime, në etnopsikologji, në filozofinë jetësore, në nivelet kulturore dhe arsimore, në dije, në të gjitha. Në këtë ritakim dhe rinjohje ka jashtëzakonisht shumë hatërmbetje, keqkuptime, mosmarrëveshje, por ka edhe komunikim normal dhe afri reale dhe të qëndrueshme.
Mbështetur në një realitet të ri, në koncepte dhe ide të reja, çështja e Kosovës në Shqipëri tani fillon të trajtohet me një plotëni më të madhe. Edhe kjo periudhë ndahet në dy faza, para vitit 1999 dhe pas këtij viti. Deri më 1999 Kosova e kërkon Shqipërinë vetëm si mbështetje, si Vëlla të Madh, si Shtet Amë, i cili duhet t’i rrijë pranë në të gjitha të papriturat, lëndimet dhe pësimet. Krahas kësaj, kosovarët duket sikur kërkojnë edhe privilegjet e tyre në këtë Shqipëri të sapo njohur, të cilën e konsiderojnë disi të përbashkët, sikur është edhe e tyre, po aq sa është edhe e shqiptarëve të Shqipërisë. Shqipëria, e lënduar dhe e traumatizuar nga diktatura e gjatë, bën shumë, jashtëzakonisht shumë për Kosovën, shpesh më shumë se vetë Kosova për veten e saj. Por tanimë shihet qartë një gjë: Kosova dhe Shqipëria janë dy realitete që kanë arritur deri te një pikë ndarjeje. Ato nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por nuk do të munden kurrë t’i tejkalojnë dallimet që i kanë. Nëse deri atëherë, në të gjitha trajtimet, çështja e Kosovës kishte atribute lokale në kuadër të çështjes shqiptare, tani, veçmas pas vitit 1999, ajo sikur fillon ta rivalizojë Shqipërinë dhe, duke ndërtuar identitetin shtetëror, të supozojë se është duke ndërtuar edhe një identitet kombëtar. Deri në këtë kohë, që nga viti 1912 e prapa, identiteti kombëtar ka qenë privilegj i Shqipërisë dhe ajo ka pasur monopolin e tij, ndërsa identiteti kosovar i ka pasur të gjitha karakteristikat e identitetit lokal. Pas vitit 1999 dhe veçmas pas shpalljes së plotfuqishme të pavarësisë së Kosovës më 2008, identiteti kosovar përpiqet ta tejkalojë këtë kufizim provincial dhe të futet në konkurrencë me identitetin shqiptar. Por, a thua do t’ia dalë?
Çështjet që deri më 1999 mund të diskutoheshin vetëm si teori, pas këtij viti përnjëherësh marrin një kuptim tjetër: Kosova bëhet realitet i ri politik, pra bëhet shtet i pavarur, me njohje ndërkombëtare dhe me gjasa serioze që të konsolidohet si e tillë. Me pavarësinë u zgjodhën dhe pritën të zgjidhen shumë çështje politike të mbetura pezull, vetëm se çështja e identitetit duket se do të mbetet e fundit, jo për të marrë ndonjë zgjidhje, sepse ajo nuk kërkon diçka të tillë, por një shpjegim për të qenë, i cili nuk interferon, ose nuk bie ndesh, ose nuk shkon kundër rrjedhës, ose nuk u bën dëm, ose nuk është në kundërshtim me zhvillimet bashkëkohore ndër shqiptarët.