Edhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve ka përshëndetur vendimin e Presidentit Meta për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të Paketës “Antishpifje”.
Ajo e cilëson si një sukses të Shoqatës së gazetarëve profesionistë në Shqipëri dhe shton se ligjet kundër shpifjes nuk duhet të përdoren si mjete për të kufizuar lirinë e shtypit.
“Një sukses për Shoqatën e Gazetarëve profesionistë të Shqipërisë. Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka vënë veton ndaj një pakete të diskutueshme të ligjit “anti-shpifje”, që do të ngulfasë mediat në internet. Kjo vërteton se sindikatat kanë fuqinë për të mbrojtur #Lirinëeshtypit!”– thotë Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve.
Presidenti Meta dekretoi kthimin për rishqyrtim të paketës antishpifje me pretendimin se cënon të drejtën kushtetuese të lirisë së fjalës dhe medias, duke radhitur dhe argumentat ligjorë.
Mazhoranca ka paralajmëruar se do ta rrëzojë dekretin e Metës në Kuvend.