Nabil Fekir do të largohet nga Lyon në fund të këtij sezoni, duke parë momentin negativ që po kalon klubi francez sulmuesi i majtë ka vendosur prej kohësh të vijojë karrierën në një klub të madh.
Kalimi i tij tek Liverpool në sezonin e shkuar dështoi në çastet e fundit, ndërsa përflitej se do të kompletohej këtë merkato vere.
Gjithsesi gazeta franceze “L’Equipe” ka bërë me dije se për 25-vjeçarin është interesuar Juventus prej disa kohësh. Agjentët e klubit italian e kanë ndjekur nga afër autorin e 12 golave dhe 7 asistimeve në Ligue 1 këtë sezon.
Ende nuk flitet për shifra konkrete, por agjenti i Fekir është takuar me drejtuesit e klubit francez dhe ua ka bërë të qartë se nuk do e rinovojë kontratën që i skadon në fund të sezonit tjetër. Për këtë, Lyon do të nxitojë ta shesë që të mos e humbasë me parametër zero në vitin 2020.