Korçë- Vajza e Gaqo Dumkës ka tërhequr në Tiranë kufomën e babait, ndërsa ceremonia mortore për 84-vjeçarin do të zhvillohet në vendin e lindjes. Ka vendosur t’i japë një varr dhe një ceremoni mortore vajza dhe familjarët e tjerë 84-vjeçarit Gaqo Dumka, i cili ndërroi jetë mesditën e së shtunës në spitalin e burgut në Tiranë. I moshuari që u bë i njohur për masakrimin e Liljana Arapit rreth 5 muaj më parë, ka vdekur si pasojë e problemeve kardiake. Ai nuk ka mundur të përballojë dot të ftohtin e acartë që kishte mbërthyer ambientet e burgut të Drenovës, ku gjendej në pritje të vendimit të drejtësisë ndaj tij. Gaqo Dumka akuzohej se masakroi 42- vjeçaren Liljana Arapi dhe po gjykohej për këtë krim, të cilin e pati pranuar. Autori i dyshuar i krimit ishte në procesin gjyqësor të Gjykatës së Shkallës së Parë në qytetin juglindor, ndërkohë që kjo e fundit pezulloi për afro dy javë këtë proces, ndërsa gjatë ditës së sotme do të zhvillohet dhe seanca e radhës e parashikuar për pretencën, megjithëse tashmë procesi mund të mbyllet tërësisht. Pas lajmit për vdekjen e Dumkës, i cili në grahmat e fundit të jetës kishte kërkuar fëmijët e vet, ka qenë vajza e tij e cila jeton në Greqi me familjen e saj, që ka udhëtuar me urgjencë drejt Korçës për të marrë informacionin zyrtar tek drejtuesit e burgut të Drenovës. Këta të fundit i kanë bërë të ditur se Dumka ishte transferuar në spitalin e burgut në Tiranë prej afro dy javësh dhe ka ndërruar jetë aty. Pas informacionit të marrë për mënyrën se si procedohej në këto raste, familjarët e Dumkës kanë udhëtuar drejt kryeqytetit për të tërhequr trupin e të ndjerit. Familjarët e Dumkës nuk kanë bërë të ditur se ku do ta varrosnin të ndjerin, ndërkohë që kanë dashur që gjithçka të mbetet sekret dhe të mos bëhet publike. Ndërkaq edhe procesi ndaj tij mbyllet, ndërkohë që nga ana tjetër vetë i ndjeri kishte kërkuar gjykim të shkurtuar për të mos u endur gjatë në dyert e gjykatave. Me vdekjen e Gaqo Dumkës mbyllet dhe një nga krimet më të padëgjuara të ndodhura në Korçë, ngjarje e cila shkaktoi një horror të vërtetë tek opinioni publik për mënyrën e zgjedhur për të masakruar një grua të pambrojtur, në një kohë që autori i saj ishte një burrë shumë i moshuar.