Kryesore

Fenomeni që lindi me “Rilindjen”: Bie edhe kryebashkiaku i Vorës





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:33 - 29/10/19 |
mapo.al

Prokuroria e Përgjithshme mbyll hetimet për kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku dhe del në konkluzionin se ka qenë i arrestuar dhe proceduar në Greqi në emrin Jorgo Tota. Kryebashkiaku i Vorës nuk heq dorë, i shkruan kryeprokurores Marku… Sekretari i Përgjithshëm i PD-së: “Edi Rama nuk ka vullnet për ta luftuar krimin, pushtetin e tij e ka të lidhur me krimin”. Dekriminalizimi “gjymton” të tjerë emra në bashkitë e drejtuara nga socialistët.


Nga Sebi Alla



Një tjetër kryebashkiak i bie Partisë Socialiste nga procesi i dekriminalizimit. Zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Vorës Agim Kajmaku, pasi nga hetimet ka rezultuar se ka gënjyer me formularin e dekriminalizimit dhe ka qenë i arrestuar dhe proceduar në Greqi në vitin 2003. Konkluzionet përfundimtare të hetimit i publikoi dje sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi. Duke iu referuar dosjes hetimore, konstatohet se “Nga informacioni i zyrës së Interpol Greqi, rezulton se nga krahasimi daktiloskopik i gjurmëve të gishtave të shtetasit Agim Kajmaku me gjurmët daktiloskopike që ndodhen në bazën e të dhënave kriminale të Greqisë, rezulton se këto gjurmë përputhen me gjurmët e gishtave të shtetasit Jorgo Toto. Nga verifikimet e kryera konfirmohet se Agim Kajmaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin se ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor në zhvillim”. Më shumë se një rast, ky është fenomen. U nis me deputetët, vazhdoi me drejtues të lartë të administratës dhe po mbyllet me kryebashkiakë të cilët kanë pasur probleme serioze me ligjin në vendet e BE-së, para se të përzgjidhen nga kryeministri Edi Rama. Por Kajmaku nuk ka qëndruar në heshtje, sepse i ka nisur një letër kryeprokurores të cilën e “informon” se është vënë në dijeni të dënimit nga autoritetet greke pasi është zgjedhur kryebashkiak i Vorës. “Si subjekt i interesuar menjëherë jam paraqitur pranë autoriteteve përkatëse greke dhe kam kërkuar informacion lidhur me pretendimet e mësipërme. Nga informacionet e marra ka rezultuar se në ngarkimin tim ekzistonte një çështje penale e pezulluar nga autoritetet përkatëse të distriktit të Artës, Greqi, lidhur me një ngjarje të datës 13 janar 2003, për të cilën unë nuk kam pasur dijeni më parë”, thekson Kajmaku. Përtej këtij pretendimi, i cili duket se nuk do të ketë vlerë ligjore, Kajmaku mund të konsiderohet zyrtarisht i rënë. “Çdo alibi e krijuar nga Edi Rama dhe përfaqësuesi i tij në Bashkinë e Vorës, është rrëzuar. PD e ka të qartë se Edi Rama nuk ka vullnet për ta luftuar krimin dhe se pushtetin e tij e ka të lidhur me krimin. Mirëpo shkarkimi i menjëhershëm nga detyra i Agim Kajmakut, nuk është me një çështje e vullnetit në dorë të Edi Ramës”-shprehet Bardhi në reagim.


Fenomeni që lindi me “Rilindjen”

Një nga akuzat të cilat kryeministri Edi Rama nuk ka mundur që ta mbulojë dot ka qenë se në Parlament, në bashki dhe në administratën e lartë ka ofruar persona me të shkuar kriminale. Shumë prej tyre të akuzuar për trafik droge, trafik prostitucioni, madje edhe për vrasje. U desh ligji i Dekriminalizimit që të dilnin në skenë emra të cilët ndonëse mbanin veshur kostumin e deputetit apo të drejtuesve të lartë lokal fshihnin të shkuarën e tyre të errët. “Nuk dija gjë për të shkuarën e tyre”-është ky justifikimi që kryeministri Edi Rama ka për çdo emër që i del se ka qenë i dënuar apo proceduar në një nga vendet e Bashkimit Europian. Nuk janë pak por 117 të shkarkuar dhe larguar që janë prekur nga dekriminalizimi, ku mbi 90 për qind e tyre vijnë nga radhët e PS-së. Më i fundit është kreu i Bashkisë së Vorës të cilin Partia Demokratike e akuzoi se ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit pasi ishte arrestuar dhe më pas proceduar në Greqi për akuzën e falsifikimit dhe përdorimit të parave. Për kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku pritet që të merret vendimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili ligjërisht nuk ka të drejtën e verifikimeve, por i duhet të votojë shkarkimin e tij, sipas kërkesës së mbërritur nga sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Megjithatë çuditë në KQZ nuk kanë fund dhe duhet pritur votimi kur çështja të mbërrijë zyrtarisht në këtë institucion.

PD, një tjetër betejë e fituar

Emri i parë që PD lakoi si i dënuar dhe dëbuar për akuzën e mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike ishte ai i Valdrin Pjetrit, i cili kishte “fituar” mandatin e kryebashkiakut nga zgjedhjet (votimet) në Shkodër, por ende nuk ishte betuar për të marrë detyrën. Në fillim ai i mohoi akuzat, por dosja për të ishte e plotë. Partia Demokratike publikoi dokumentat ku vërtetonin se Pjetri gjatë kohës kur kryente studimet në Itali ishte arrestuar dhe më pas dëbuar për akuzën e mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Vetë Pjetri i ndodhur para dokumentave që nuk mund t’i mohonte u detyrua të largohej duke dhënë dorëheqjen. Padyshim që kjo ishte një goditje e rëndë për kryeministrin Edi Rama i cili edhe i vetëm në zgjedhje vendosi si kandidatë për bashkitë e vendit personazhe më të shkuar kriminale, por që gëzonin mbështetjen e tij, duke u dhënë më parë edhe poste të rëndësishme në administratën shtetërore. Por Valdrin Pjetri nuk ishte i vetmi. Tashmë është vërtetuar zyrtarisht nga hetimet e prokurorisë se edhe kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku ka qenë i arrestuar dhe proceduar në Greqi, nën emrin tjetër Jorgo Tota, çka këtë fakt e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit. Nëse nuk do të ishte denoncimi nga PD, Kajmaku do të vijonte të mbante pa u shqetësuar postin e kryetarit të Bashkisë Vorë, të cilin e fitoi pa asnjë mund, nga votimet njëpartiake të 30 qershorit, ku nuk kishte as rival fiktiv për të “mposhtur”. Në fillim Kajmaku i mohoi akuzat, madje kaloi në kundërpërgjigje të ashpër duke deklaruar se do të padiste për shpifje sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazment Bardhi. Nga ana tjetër, PD nxori dokumentat ku faktonte se Kajmaku ishte arrestuar në Greqi me emrin Jorgo Tota dhe ndaj tij kishte nisur procedimi penal. As këto të dhëna nuk e stepën kreun e bashkisë Vorë, i cili lëshonte batuta dhe shantazhonte në distancë drejtuesit e PD-së se do i padiste, e madje me paratë e fituara nga “shpifjet” do të ndërtonte kopshte e çerdhe për komunitetin e Vorës. Një tjetër emër i cili është denoncuar nga PD, por që pritet të hetohet më tej është ai i Mark Babanit, kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës. Edhe për të PD shprehet se disponon dosjen ku ai ka qenë i arrestuar dhe dëbuar në Itali dhe vende të tjera për akuza të ndryshme.

 


Etiketa: , , , ,

Pas