Fermerët e fshatit Daullas në Fier kanë dalë sot në protestë, për të kundërshtuar ndërtimin e spitalit të ri të Fierit nga bashkëpunimi i Shqipërisë me Turqinë.
Ata u shprehën për “Fax News” se për qëndrimin e tyre të palëkundur, kanë marrë kërcënime të ndryshme gjatë këtyre ditëve. Megjithatë, fermerët theksuan se duan vetëm tokën e tyre, sepse falë saj ushqehen.
“Ne duam vetëm tokën tonë, ne me atë ushqehemi, nuk ka ardhur askush që të bisedojë me ne. Ne nuk duam të japim tokën, është i vetmi burim që ne kemi për të jetuar”, – thanë fermerët.
Fundjavën e kaluar, kryeministri Edi Rama ishte pikërisht në fshatin Daullas në Fier, dhe i dha ultimatum kryebashkiakut Armando Subashi që të zgjidhte çështjen me pronarët e tokës, ku do të ndërtohet spitali i ri.
Godina është marrë përsipër për t’u ndërtuar nga Turqia. Delegacioni turk pritet që të mbërrijë në Shqipëri përgjatë kësaj jave.
“Spitali rajonal i Fierit do t’i shërbejë të gjithë jugut të shqipërisë, është transferim dijeje, për një periudhë kohe do administrohet nga burimet shëndëetësore të Turqisë. Menaxheri, shefi i burimeve njerëzore, shefat e pavionëve, do të jenë të gjithë turq. Do të jetë spital publik, do të shërbejë pa asnjë ngarkesë financiare për qytetarët, do të jetë falas.
Në vend që të shkojnë në Stamboll ata që e kanë fiksim, të vijnë këtu dhe të marrin shërbim falas. Zona ku do të ndërtohet duhet të jetë në anë të autostradës, të ketë ujë dhe drita, e javën tjetër fillon puna. Javës tjetër do të vijnë personat e caktuar nga Turqia, asnjë zvarritje, ne duhet t’i vëmë në dispozicion gjithçka, këtë punë bëje sa hap e mbyll sytë. Cakto një grup pune me tre veta.
Nuk kanë punë ata që të vinë këtu e të kërkojnë leje, këto do t’i bëjmë ne. Ministrja ka caktuar një person vetëm për këtë, kjo është sfida e atyre, nëse e bëjnë për tre muaj është puna e tyre, nuk është puna jonë. Kjo është detyra jote, cakto një grup pune me tre veta, do të jetë një spital shembëlltyrë i qeverisjes sonë”, – tha Rama të shtunën.