Një nga influencueset më të njohura në botë, Chiara Ferragni është pro projektligjit të propozuar nga deputeti italian Luigi Marattin, se duhet t’i kërkohet një mjet identifikimi a kod fiskal kujtdo që do të regjistrohet në një platformë online. Ajo u shpreh në një intervistë për Sky T24 se do të ishte një zgjidhje e mirë për të stepur njerëzit negativë. Më tej, nuk ngurroi të jepte një këshillë mjaft të vlefshme për të gjithë ata persona që hasen me mërinë dhe mllefin e të panjohurve nëpër rrjete sociale.
“Ngaqë do të jenë lehtësisht të arritshëm dhe të identifikueshëm, do të stepen pak dhe nuk do të përhapin më negativitet. Do të ishte një zgjidhje e mirë. Ka dhe do të ketë gjithmonë njerëz negativë. Shpresojmë që projektligji t’i pakësojë si numër, por është e pamundur të eleminohen tërësisht. Është me rëndësi të jetojmë sikur këto komente s’ekzistojnë. T’u japësh vlerë këtyre njerëzve, do të thotë t’u japësh arsye. Nëse s’ekzistojnë në mendje, s’ekzistojnë në jetë. Le të mos mposhtemi nga negativët. Nëse do të isha mposhtur prej tyre ne fillim të karrierës, s’do të kisha bërë asnjë nga gjërat që kam realizuar këto vite”- u shpreh blogerja italiane.