Stenda e UET PRESS dhe Mapoedition është një ndër më të vizituarat në Festivalin Ditënetët e Librit që ka hapur siparin në Muzeun Historik Kombëtar. Autorë si Ben Blushi, Mustafa Nano, Blendi Fevziu, Alfred Peza, Ilir Ikonomi, Preç Zogaj apo Roger Scruton, Friedrich Hayek, etj vijojnë të ngjallin kureshtjen e lexuesve për vetë tematikat dhe vlerat që mbartin
Stenda e UET PRESS dhe Mapoedition është një ndër më të vizituarat në Festivalin Ditënetët e Librit që ka hapur siparin në Muzeun Historik Kombëtar. Autorë si Ben Blushi, Mustafa Nano, Blendi Fevziu, Alfred Peza, Ilir Ikonomi, Preç Zogaj apo Roger Scruton, Friedrich Hayek, etj vijojnë të ngjallin kureshtjen e lexuesve për vetë tematikat dhe vlerat që mbartin. “Për vetë profilin që UET PRESS ka krijuar në tregun e librit tashmë prej një dekade, si një shtëpi botuese me bibliotekën më të pasur përsa i përket librave që i duhen curriculiumeve universitare, ajo është stenda e vetme ku studentët apo njerëzit e auditorëve mund të gjejnë librat shkencorë, botimet studimore, apo emrat më të njohur të mendimit filozofik. Përgjatë kësaj dekade ne kemi punuar që kjo bibliotekë të jetë e pasur dhe bashkëkohore, e njëjtë me bibliotekat e shtëpive të njohura universitare në botë”, thotë Alda Bardhyli, drejtore e botimeve UET PRESS. Sipas saj, kolanat e UETPRESS janë ndër më interesantet për prurjet që posedojnë. Por në vite UET PRESS e ka zgjeruar hapësirën e saj ku krahas kolanave në shërbim të universitetit ka krijuar dhe kolana të tjera të cilat i kanë shërbyer gjenerimit të ideve dhe njohjes sa më mirë të historisë dhe filozofisë. E tillë është dhe kolana Ese, ide debate, ku përgjatë këtyre viteve kanë sjellë botimet e tyre emrat më të njohur të mendimit shqip. Por cilët janë librat e rinj që do të gjeni në stendën e UET PRESS?
Sipas Bardhylit, një ndër librat e ri që nuk duhet humbur është libri i ri i një prej njohësve më të mirë të ekonomisë, presidentit të Universitetit Europian të Tiranës, Ardian Civici “Anatomia e një krize financiare”. Libri është një vështrim dhe një analizë e thellë e një dekade financiare, periudhës 2008-2018, si edhe leksionet që kanë dalë nga kjo krizë. Siç shfaqet edhe në kopertinën e tij, ky libër paralajmëron përgjigjen e një pyetjeje themelore se pse kriza u shfaq në formën e një ndeshjeje mes ariut dhe demit, që në simbolikën e Wall Street i pari simbolizon frikën ndaj tregjeve të mëdha, ndërsa i dyti optimizmin dhe shpresën se çdo risk mund të na çojë drejt fitimeve më të mëdha. “Intuicionet e tranzicionit” një libër dëshmi i realitetit politik në Shqipëri përgjatë dy dekadave shkruar nga Preç Zogaj është një libër i rëndësishëm për këdo që e ka politikën pasion. Mustafa Nano me “Sandëich” na jep një vështrim historik ndërtuar mbi pyetjen: A është mirë me qënë shqiptar? Mustafa Nano i ka sjellë publikut të gjerë një paraqitje kritike të problematikës bazë të shkencave që trajtojnë historinë e kulturën e popullit shqiptar. Faktet e shumta, të përzgjedhura posaçërisht për të lënë gjurmë tek lexuesi, si dhe stili dinamik, prodhojnë tek ky i fundit adrenalinën e nevojshme për të ndjekur syhapur e me interes shtjellimin e çështjeve të ndërlikuara, gjë që nuk arrin ta bëjë gjuha e ftohtë, e mbingarkuar dhe e lodhshme e një studiuesi të mirëfilltë. Dy prej emrave më të njohur të mendimit ekonomik Ludwing von Mises dhe Friedrich Hyaek gjenden në stendën e UET PRESS me libra themeltarë. “Politikat Ekonomike” dhe “Mendimi Antikapitalist” , janë libra të shkruar nga Mises i cili vlerësohet si një nga ekonomistët më të rëndësishëm dhe referencë e liberalizmit klasik, edhe pse te shkruara 50 vite me pare, i shërbejnë edhe sot mendimit ekonomik. “Antropologjia etnike e shqiptarëve” nga studiuesi Aleksandër Dhima është një tjetër vepër e rëndësishme e ardhur kohët e fundit nga botimet tona. Roger Scruton një nga filozofët më bashkëkohorë sot, është në stendën e UET PRESS nën përkthimin e Spartak Ngjelës me librin “Filozofia moderne, nga Aristoteli te filozofia analistike”. Historia e dashurisë së mbretit Zog me gruan më të bukur të Tiranës së atyre viteve, shkruar nga Alfred Peza në romanin “Sarah” është një histori që të grish ta lexosh.
“Pjesë e rëndësishme e stendës sonë është dhe kolana mapoedition ku një lexues i lidhur me letërsinë apo me leximet letrare mund të gjejë autorët më të njohur të letërsisë shqipe. Mimoza Ahmeti, Ben Blushi, Preç Zogaj, Vera Bekteshi, Rudolf Marku, Musa Ramadani, Alfred Peza, Kim Mehmeti, Maks Velo, Klara Buda etj janë emra që ia kanë besuar letërsinë e tyre botimeve tona”, thotë Bardhyli.
Rrëfimi letrar përmes historisë
Dorian Koçi drejtori i Muzeut Historik Kombetar, njeherazi studiues dhe njohës i mirë i historisë, në një bashkëbisedim me të rinje e të ftuar të fushës tregoi rolin e letërsisë në përcimin e ngjarjeve historike. Historia në antikitet kishte muzën e vet të njohur me emrin Klio që ishte një nga nëntë muzat që respektohej në botën antike, tha ia. Origjina etimologjike e kësaj fjale vinte nga greqishtja që do të thotë të tregosh të rrëfesh dhe në të njëjtën kohë të bësh të famshëm ngjarjen apo personazhin që rrëfen. Herodoti, historiani i parë i njohur i botës antike në veprën e vet “Historia” kur përshkruan vende, popuj dhe zakone të tyre, mbretër dhe heronj duket sikur e respekton muzën e vet se pasi e shpall Historinë si nënën e dijeve, rrëfimet e veta i transmeton në formën e rrëfenjave dhe sigurisht duke bërë të famshëm gjithkënd që përmend. Që nga ajo kohë e deri në kohët e sotme ka rrjedhur shumë ujë dhe historia është bërë një shkencë që rrëfen të kaluarën përmes dokumentave, burimeve historike dhe rrënojave arkeologjike, ndërtesave, fotografive etj. Ajo e ka humbur tiparin e fiction, proza e saj është e thatë dhe pa emocione dhe vetëm si një dëshmitare e paanshme rrëfen sekuencat e së shkuarës. Si e tillë ajo ka audiencë më të pakët, kryesisht mes profesionistëve ndaj dhe një tendencë moderne e shkrimit të historisë është dhe kombinimi i saj me historinë sociale për të krijuar vepra që nuk përshkruajnë vetëm ngjarjet historike dhe personazhet historikë por dhe impaktin e tyre në jetën sociale.
Leximet e historisë tha ai, bëjnë të mundur që të krijojnë dhe ndihmojnë nxënësit në arsyetimin dhe analizën logjike të ngjarjeve dhe të kuptojnë më mirë dukuritë shoqërore që ndodhën në atë kohë. Këto lloj leximesh dhe shkrimesh të historisë i tejkalojnë historitë panegjerike të shkruara në mesjetë përreth herojve dhe ngjarjeve historike, të tipit alla Plutarkian, pasi janë një kombinim i mirë multidisiplinar i dijeve shoqërore. Gjithësesi lexuesi i ri apo dhe i maturuar edhe në këtë lloj librash historikë mund të bëjë zgjedhjen e vet. P.sh historianët prej kohësh kanë gjetur egzagjerime apo pasaktësi në veprën e Marin Barletit, “Historia e Skënderbeut”, por vëmendjes së tyre nuk i ka shpëtuar “Kronika e Muzakajve”, e Princit arbër Gjon Muzakës, botuar në Napoli në 1510, një kryevepër historike e shkruar me stil lakonik por gjithë informacion për botën mesjetare arbëre dhe Motin e Madh. Një variant i mirë i historisë sociale të kësaj epoke është dhe libri i Oliver Shmid “Arbëria Venedikase”, një përmbledhje e gjithë burimeve për qytetet shqiptare që ishin nën Venedikun duke përshkruar jo vetëm historinë administrative por edhe ekonominë, rrugët, ndërtesat, kishat etj. Leximet historike vazhdojnë të jenë po aq magjepëse sa dhe më parë kur kombinohet me rrëfenjën e fabulën në vetvete për fëmijë e të rritur. Përkthimet e hershme nga letërsia greke të ‘Eskilit në Prozë”, “Sofokliut në prozë” dhe “Euripidit në prozë” në fund tw viteve 80’ duket se dhanë një model që u ndoq në botimin e poemave të mëdha të Rilindjes Kombëtare në prozë. Edhe pse në pamje të parë duket sikur humbnin origjinalitetin, botime të tilla në fakt bënë më mirë të mundur të shpërndanin mesazhin e tyre. Një përvojë e mirë në këtë drejtim janë disa botime të shkrimtarit për fëmijë Odhise Grillo, si “Historia e Skënderbeut nga Naim Frashëri” : roman i rikrijuar për fëmijë apo “Erdhi ditë e Arbrit” : ritregime, sipas poemave të De Radës. Botimi dhe pajisja e bibliotekave të shkollave me koleksione të tilla librash do të bëjë të mundur që emra emblematikë të kulturës sonë si Naim Frashëri, Jeronim De Rada, Gjergj Fishta, Gavril Dara i Riu, Zef Skiroi të njihen dhe të citohen, të lexohen dhe shijohen duke i dhënë lexuesit tharmin e duhur identitar. Bota e madhe e Arbërit që shpaloset në toponiminë e vendeve në poemat e De Radës pasqyron shtrirjen e etnosit arbër në mesjetë, të ardhur përmes kujtesës kolektive të arbëreshëve. Një hap i tillë mund të ndërmerret me shkrimin në prozë të “Ali Pashaidës” së Haxhi Shehretit, e cila mund të qëndrojë përkrah romanit të Sabri Godos “Ali Pasha”. Kjo poemë, madhësia e së cilës shkon deri në 15.000 vargje, nga të cilat u përkthyen në greqishten e re rreth 10.000 vargje, qëndron në fakt si apogjeu i gjithë kësaj periudhe, pasi me korpusin e vet letrar jo vetëm përfaqëson një shije estetike të lartë për kohën, por është dhe një dëshmi e shumë ngjarjeve të vërteta, që ndodhën në Pashallëkun e Janinës. Leximet historike nuk duhen dhe nuk mund të shmangen nga kurrikulat e shkollave sepse nëse duhet të kujtojmë fillimin e një shprehje të Oruellit , “kush kontrollon të shkuarën kontrollon dhe të ardhmen”, besoj se nuk e kemi luksin që të humbasim një monopat të rëndësishëm të njohjes të së shkuarës përmes historisë dhe leximeve historike dhe t’u privojmë të ardhmen brezave të rinj, theksoi Koçi.