Festohen Krishtlindjet në kishat dhe famullitë e Kosovës
Në të gjitha kishat dhe famullitë e Kosovës po kremtohen krishtlindjet apo siç i quajnë këtu kërshëndellat. Kremtet po përshkohen nga urimet për mbarësi, paqe e mirëkuptim ndërmjet njerëzve. Mesha kryesore është mbajtur mbrëmë në katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, gjatë së cilës Ipeshkvi i Ipeshkvis së Kosovës Dodë Gjergji foli për padrejtësisë me të cilat përballen qytetarët e vendit.
Imzot Dodë Gjergji tha se Krishtlindja është festë e paqes dhe e dashurisë ndërsa bëri thirrje që qytetarët të mos heqin dorë nga vendi i tyre.
“Pasi ne jemi njerëz të kësaj kohe, ne jemi njerëz të këtij vendi le të duam vendin tonë, le të duam jetët tona, te ta duam të ardhmen tonë dhe mos të hezitojmë për të sakrifikuar sepse vetëm frikacakët ikin nga realiteti kurse trimërat shpirtërorë dhe burrërorë përballen me realitetin e jetës së vendit të vete”, tha ai.
Udhëheqës fetarë e politikë, përgëzuan besimtarët katolikë me rastin e Krishtlindjeve duke vënë theksin tek thirrjet për paqe, tolerancë e solidaritet.
Presidentja Vjosa Osmani tha se Krishtlindja është simbol i fitores së jetës mbi vdekjen, ndërsa bëri thirrje për inkurajim për jetën, tolerancën e harmoninë ndërnjerëzore, virtyt që sipas saj e kanë traditë shqiptarët.
Urime e përgëzime kanë dërguar edhe përfaqësues të institucioneve tjera, të partive politike dhe institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.