Tuesday, March 28, 2023
  • Login
Gazeta Mapo
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport
No Result
View All Result
Gazeta Mapo
No Result
View All Result

Fetë e shqiptarëve i harmonizon Shqiptaria

by mapo.al
10/05/2019
in Kryesore, Op Ed
1

Nga Ndriçim Kulla

Mjaft të huaj që kanë patur prirjen për ta gjykuar realitetin shqiptar me shabllone, e kanë parë praninë e disa feve në Shqipëri, si një problem dhe si një katalizator të konflikteve në shoqërinë shqiptare. Kështu, studiuesi amerikan Bernd J. Fischer, në librin e tij “Shqipëria gjatë Luftës: 1939-1944” thotë: “Ndoshta pengesa më e madhe për krijimin e një shteti-komb modern në Shqipëri ishte struktura johomogjene fetare dhe shoqërore e vendit, si dhe niveli primitiv në fushën e arsimit. Përveç dasisë toskë-gegë, shqiptarët ishin të ndarë mes katër fesh kryesore”.



Fjalët e mësipërme të Fischer janë një provë se autorët të cilët kanë tezën se dallimi toskë-gegë përbën një shkak të konfliktit ndërmjet shqiptarëve, janë po ata të cilët thonë të njëjtën gjë për ndarjen e shqiptarëve në disa fe. Fischer nuk është i pari që e ka thënë këtë tezë. Shumë të tjerë e kanë thënë atë para tij. Megjithëse koha ka treguar se ky ka qenë një gjykim i përciptë dhe i gabuar, megjithatë shumë të huaj vazhdojnë të dalin me këtë tezë edhe sot, siç është rasti me Fischer. Të gjithë këtyre iu ka kthyer një përgjigje Fan Noli në 1926, e cila vlen edhe për Bernd J. Fischer dhe të tjerët si ai: Fanatismë fetare të vërtetë në Shqipëri s’ ka. Këtë gjë e kanë dëshmuar të gjithë të huajtë që na njohin mirë. Këtë gjë e kemi parë edhe vetë me sy. Po të huajt që s’ na njohin mirë, nuk mundin ta kuptojnë qysh mund të bashkohet kombi shqiptar i ndarë në fe të ndryshme, dhe këtë argument e përdorin armiqtë tanë për të mbrojtur thezën e coptimit të Shqipërisë. Fan Noli këtu tërheq vëmendjen te fakti që ndarja fetare në Shqipëri nuk ka prodhuar fanatizëm fetar. Askush nuk e mohon që në Shqipëri ka ndarje fetare, thotë Noli. Shqiptarët janë të ndarë në fe të ndryshme ky është fakt. Por a mjafton ky fakt që të pranohet teza se Shqipëria për shkak të ndarjes fetare do të copëtohej në mënyrë të pashmangshme, pasi nga ndarja fetare do të vinte konflikti? Që ndarja fetare të sillte konfliktin, thotë Noli, duhet të prodhonte fanatizëm fetar, gjë që nuk kishte ndodhur. Këtë nuk e thoshin vetëm shqiptarët, por edhe të huajt që i kishin njohur nga afër shqiptarët. William Martin-Leake, në 1814 i përshkruan kështu marrëdhëniet ndërfetare mes shqiptarëve:

Sot të krishterët janë jo të barabart në numër me myslimanët; porse është e qartë që ata shqiptarë, të cilët kanë hequr dorë prej krishterimit, e kanë bërë tërësisht për arsye politike dhe për të gëzuar titujt e nderimit të Turqisë e për leverdi të tjera që vijnë nga ndjekja e besimit sundues. Ashtu si dhe në Kretë, ata martohen me gra të krishtera, djemtë shkojnë në xhami dhe vajzat në kishë, ndërsa burri ha në të njëjtën tryezë e shpesh po nga ajo enë, në anën përballë të së cilës një pjesë e familjes së tij po ushqehet me mish që për të është e ndaluar.

Nuk kishte pra asnjë gjurmë fanatizmi fetar mes shqiptarëve, as mysliman, as të krishterë. Në qoftë se në 1814, gjërat ishin ashtu siç thoshte Martin-Leake, duhej menduar se gjërat nuk mund të ishin më keq një shekull më vonë. E megjithatë, pikërisht një shekull pasi Martin-Leake shkruante kështu, në Shqipëri ndodhi rebelimi i Haxhi Qamilit, mund të thotë dikush. Kjo është e vërtetë, por ky rebelim ishte vetëm pjesërisht rezultat i fanatizmit fetar të një pjese të popullsisë myslimane.

Në qoftë se kryengritësit ishin të motivuar vetëm nga feja islame, atëherë përse ata i luftonin me kaq ashpërsi bejlerët të cilët ishin myslimanë si ata? Nuk ka ndonjë rast që kryengritësit të kenë bërë masakra ndaj të krishterëve, as që të kenë djegur kisha, por ata kur mundnin bënin masakra ndaj bejlerëve dhe digjnin kullat e tyre.

Fan Noli, i cili thoshte se në Shqipëri nuk ka fanatizëm fetar, shprehej megjithatë se në Shqipëri kishte anarki fetare. Fjalimin e famshëm që Fan Noli mbajti në parlamentin shqiptar në vitin 1923, ku foli për pesë anarkitë që mbretëronin në Shqipëri, e nisi me anarkinë fetare:

E para. Anarkia fetare: Katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

Noli e shihte kështu multireligjionizmin si anarki, por thoshte se për fat të mirë fetë nuk kanë hyrë aq thellë në shpirtin e shqiptarit. Atë që thotë Noli më lart për shqiptarët, një studiues i mëvonshëm francez, Jacquez le Goff e thotë për europianët e Mesjetës së hershme, kur shkruan në librin e tij “Qytetërimi i Perëndimit mesjetar”:

Predikimi i krishterë qe pothuaj gjithmonë një dështim kur kërkonte t’ u drejtohej popujve paganë dhe të bindte masat. Në përgjithësi ai arriti sukses vetëm kur bëri për vete krerët dhe grupet shoqërore sunduese.

Diçka e ngjashme kishte ndodhur edhe me shqiptarët, veçse këtu sipas Nolit paganizmi kishte qenë në një masë më të madhe i pranishëm në shpirtin e këtij populli më shume se te popujt e tjerë europianë. Ky është një fenomen që ka nevojë për studime të mëtejshme, për të kuptuar përse ka ndodhur kështu. Por fakti është se ky shpirt pagan që kundërbalanconte fetë monoteiste iu shërbeu mirë shqiptarëve si antidot ndaj fanatizmit, që ndryshe mund të kishte qenë i pashmangshëm nëse fetë monoteiste do të kishin hyrë thellë në shpirtin e shqiptarit. Arsyeja kryesore për të cilën Noli e shihte multireligjionizmin si anarki ishte për shkak të ndërhyrjes së të huajve për ta keqpërdorur ndarjen fetare në Shqipëri, gjë së cilës Noli i trembej shumë.

Mungesa e fanatizmit fetar në Shqipëri, ka bërë që ndarja fetare në Shqipëri të harmonizohet nëpërmjet Shqiptarisë, identitetit shqiptar, sipas asaj që ka thënë Noli:

Në vetëdijen e shqiptarëve feja dhe kombësia janë dy gjëra të ndryshme. Për gjithë popullsitë e tjera në Perandorinë Turke ato kanë qenë e njëjta gjë.

Si pasojë e kësaj, fetë e shqiptarëve i harmonizon Shqiptaria. Nga kjo ka lindur harmonia dhe toleranca ndërfetare e shqiptarëve. Këtu e ka origjinën prirja e shqiptarëve që pavarësisht se koha i ndau në fe, duke marrë fe të ndryshme, t’ i festojnë bashkërisht në harmoni festat fetare të njëri-tjetrit, Bajramin, Pashkët, Krishtlindjet, Sulltan Nevruzin, Ditën e Ashures. Shqiptarët kanë shumë dëshirë që pjesën festive të këtyre riteve, drekën dhe darkën që shtrohet, ta festojnë bashkërisht dhe kjo gjë ndodh në mënyrë masive. Dhe kjo gjë nuk ndodh aspak për shkak se shqiptarët janë materialistë, dhe duan që t’i shijojnë drekat dhe darkat e të gjitha festave fetare në vend, sipas rastit që u jepet me miqtë e tyre të feve të ndryshme, duke shkuar te njëri-tjetri. Në këtë zakon ka një filozofi shumë të thellë, që e ka origjinën te kohët shumë të vjetra, pagane, kur njerëzit u faleshin shumë perëndive, duke mos qenë gjithmonë dakord për këtë gjë, dhe kur festimet e përbashkëta fetare qenë një mënyrë për të shmangur konfliktet fetare.

Shqiptarët, të cilët nuk kanë trashëguar një Panteon të perëndive pagane nga Lashtësia e tyre, ndonëse sigurisht që kanë pasur hyjnitë e tyre në atë kohë, megjithatë, në kohën e feve monoteiste, kanë krijuar çuditërisht një Panteon unik në llojin e vet, të festimit të përbashkët të ditëve të shenjta të feve monoteiste që ekzistojnë në vend. Ndoshta panteonit pagan te shqiptarët u harrua që t’i bënte vend këtij panteoni shumë të veçantë dhe të çmuar. Që kjo është një traditë shumë e vjetër, kuptohet nga fakti se te shqiptarët ky festim i përbashkët i ditëve të shënuara të feve monoteiste bëhet në një lidhje të fortë me natyrën. Dihet se lidhja me natyrën ka qenë shumë e fortë në Lashtësi, te njerëzit paganë, për të cilët feja ishte një mënyrë për të krijuar harmoninë e tyre me natyrën. Filozofia e këtij panfetarizmi shqiptar është se Zoti shihet si një at i përbashkët i besimtarëve, ndërsa ditët e shënuara të feve të ndryshme si një rast, jo për t’ i ndarë njerëzit e feve të ndryshme, por për t’ i bashkuar ata në një lloj riti unik ndërfetar, që në fund të fundit është tregues i asaj marrëdhënieje që kërkohet të krijohet në botën e sotme mes feve të ndryshme.

Ismail Kadare në librin e tij “Mosmarrëveshja: Shqipëria përballë vetvetes”, ku flet për mosmarrëveshjet e shqiptarëve me vetveten, harmoninë dhe tolerancën ndërfetare e shikon si një marrëveshje të shqiptarëve me vetveten, si një pakt të tillë. Ai shkruan:

Koha sa vente i jepte të drejtë këtij pakti. Myslimanët shqiptarë vriteshin e priteshin me osmanët, pa u penguar aspak prej fesë së njëjtë. E, si të mos mjaftonte kjo, kur Europa nisi të rishfaqej në horizont, ata u magjepsën prej saj, njëlloj si të krishterët. Të krishterët, nga ana e tyre, iu përgjigjën me të njëjtën hapje monumentale. Për asnjë çast të vetëm nuk u shkoi ndërmend se mund ta bënin ata vetë, pa myslimanët, Shqipërinë.

Gjithë shekulli i 20-të dukej se s’do të bënte gjë tjetër veç ushtrimit të kësaj aventure që shumëkujt i ngjante e pamundur e shumëkujt e marrë: Një Themelues mysliman shqiptar, me zëvendës një katolik, do të shpallte Shqipërinë e pavarur. Një princ protestant gjerman, i emëruar prej Fuqive të Mëdha, do të bëhej sovrani i parë i vendit tribesimsh. Një peshkop ortodoks, përkthyes i “Hamletit” e i “Don Kishotit”, do të zgjidhej kryeministër i së parës qeveri republikane, një mbret mysliman, por me mbretëreshë katolike do të hipte pas tij në fronin mbretëror.

Secili shqiptar, mysliman, i krishterë katolik, ortodoks, bektashi, laik, ka bërë një marrëveshje fillimisht me vetveten për tolerancë dhe harmoni fetare, e pastaj me të shqiptarët me të cilët janë të ndryshëm prej tij sa i përket fesë. Ismail Kadare këtu e ka përshkruar të fshehtën e harmonisë trifetare, apo nëse llogarisim edhe bektashinjtë, katërfetare, por nuk e ka emërtuar këtë të fshehtë. E fshehta është: Tre (katër) fe, por një kulture e harmonisë dhe tolerancës, produkt i Shqiptarisë. Tradicionalisht, fetë kanë qenë baza e kulturës. Këtu e ka bazën edhe teza e famshme e Samuel Huntingon e luftës ndërmjet qytetërimeve, si njësi kulturore me bazë fetare. Sipas teorisë së Huntington Shqipëria duhet të ishte një torn country, një vend i çarë, midis vijave tektonike të qytetërimeve dhe që do të vuante konfliktet për shkak të kësaj. Por, në rastin e Shqipërisë, falë një tradite popullore të tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, dhe të disa njerëzve të mëdhenj nga të tre (katër) fetë, të cilët i kuptuan këto premise dhe i zhvilluan ato, lindi një kulturë unike multifetare e bashkëjetesës harmonike dhe tolerancës. Si arritje kjo i përket gjithë popullit shqiptar, si vepër intelektuale i përket një elite intelektuale ndërfetare, ku bëjnë pjesë myslimanët Naim e Sami Frashëri, Faik Konica, Mehdi Frashëri, Mithat Frashëri etj., të krishterët ortodoksë Jani Vreto, Mihal Grameno, Fan Noli, Branko Merxhani etj., katolikët Pashko Vasa, At Gjergj Fishta, At Shtjefën Gjeçovi, At Anton Harapi, Krist Maloki etj. Por kjo kulturë që ishte baza e harmonisë ndërfetare, nuk do të mund të mbijetonte në qoftë se nuk do të bëhej një konstrukt i fortë, themelet e të cilit shkonin thellë në truallin kulturor europian.

Në qoftë se kjo marrëveshje e shqiptarëve me vetveten do të kishte qenë diçka propagandistike, retorike, atëherë ajo do të ishte shkërmoqur nën sulmet e fundamentalistëve.

Dhe sulmet e fundamentalistëve ndaj këtij pakti kishin qenë të shumta dhe dinake, siç e tregon edhe viti 1914, kur kauza islamike u maskua me dinakëri me kauzën shoqërore, me aspiratën e fshatarësisë për tokë, për t’u çliruar nga tirania e bejlerëve.

Që kemi të bëjmë me një mrekulli për këtë edhe pa u mburrur ne shqiptarët, na mburrin të huajt, që e kanë jetuar atë. Johanna Neumann (Gerechter) shkruan se si e përjetoi këtë mrekulli shqiptare si një adoleshente hebreje në Shqipërinë e vitit 1941, ku kishte ardhur bashkë me familjen nga Gjermania për t’ i shpëtuar përndjekjes naziste ndaj hebrenjve:

Atë vit Ramazani ra në fillim të pranverës. Është një periudhë një mujore agjërimi për myslimanët, e cila mbyllet me festën e Bajramit që zgjat dy ose tre ditë. Ma ha mendja se quheshim të varfër, prandaj të gjithë fqinjët na dërguan ushqime dhe dhurata. Ndoshta kjo është hera e parë që hëngrëm pilaf dhe bakllava që na erdhën me shumicë. Fqinjët tanë myslimanë gjithashtu na ftuan të shkojmë me ta në xhami dhe ne nuk ua prishëm. Njerëzit tregoheshin shumë të dashur me ne. Shqiptarët në përgjithësi janë shumë mikpritës.

Shembuj të tillë mund të sillen shumë, nga të huajt që e kanë përjetuar harmoninë dhe tolerancën ndërfetare në Shqipëri, por them se ky është një shembull shumë domethënës pasi rasti është shumë i veçantë, pasi është dëshmia e një familjeje hebreje, së cilës i rrezikohej jeta dhe që ishte strehuar midis një popullsie myslimane. Harmoninë dhe tolerancën ndërfetare, Ismail Kadareja e quan “vegla e fshehtë” e shqiptarëve dhe madje shikon për të një të ardhme si një model që shqiptarët e ofrojnë për harmoninë dhe tolerancën mes kombeve ballkanase me fe të ndryshme dhe me traditë të gjatë armiqësish historike me njëri-tjetrin.

Tanimë që shqiptarët e kanë kapërcyer me kohë dhe sukses sfidën e rregullimit të marrëdhënieve ndërfetare me harmoni dhe tolerancë, ata gjenden para një sfide tjetër, si ta përdorin në mënyrë konstruktive këtë arritje, gjë që me të vërtetë do të na ngrejë në lartësinë e kombeve të qytetëruar, të cilët rrezatojnë vlerat e tyre dhe nuk i kanë ato vetëm për përdorim të brendshëm. Për të realizuar këtë mrekulli të dytë, duhet të punojnë shumë mendimtarët shqiptarë, të cilët duhet t’ua ofrojnë këtë model kombeve të tjerë ballkanike, që janë skeptike ndaj shqiptarëve, sa u përket modeleve kulturore që mund të huazojnë prej tyre. Dhe për të bërë këtë mendimtarët tanë duhet të kenë parasysh fjalët e Alexis de Tocqueville, i cili ka thënë se raporti optimal i fesë me shoqërinë është kur:

Feja sheh në lirinë qytetare një ushtrim fisnik të aftësive të njeriut; në botën politike, një fushë të cilën Krijuesi ia ka lënë përpjekjeve të mendjes. E lirë dhe e fuqishme në sferën e vet, e kënaqur me vendin që i është dhënë, ajo e di se pushteti i saj është i vendosur aq më mirë kur ajo sundon vetëm me fuqitë e veta dhe mbisundon pa mbështetje në zemra. Liria sheh te feja shoqëruesen e luftërave dhe të fitoreve të veta, djepin e fëmijërisë së vet, burimin hyjnor të të drejtave të veta. Ajo e vështron fenë si shpëtuese të dokeve; doket si garanci të ligjeve dhe dëshmi të qëndrueshmërisë së vet.

Por ne shqiptarët duhet të kemi parasysh se për t’ju ofruar një model kulturor kombeve ballkanike duhet që më parë ta paraqesim atë si kontributin tonë në zhvillimin e kulturës europiane. Kështu do të jetë Europa ajo që do t’i nxitë ballkanasit e tjerë që ta përqafojnë këtë model shqiptar. Pra, ne duhet të gjejmë mënyrën që të integrohemi në Europën kulturore, me një peshë më të madhe se sa na bën të mundur madhësia jonë si shtet dhe fuqia jonë ekonomike. Ne duhet të veprojmë në atë mënyrë që Europa kulturore të na shohë si një fuqi e madhe kulturore, që ofron një model kulturor që është zgjidhje e përhershme për problematikën ballkanike. Për këtë vlen një krahasim me Greqinë, të cilën Europa e shikon si një fuqi të madhe kulturore, për shkak të trashëgimisë së saj kulturore antike dhe për këtë arsye e ndihmon financiarisht shumë më tepër se ç’do të bënte nëse Greqia do të kishte qenë thjesht një shtet i vogël ballkanik me dhjetë milionë banorë.

Në këtë këndvështrim Europa e bashkuar dhe vetë Eurozona do të ishte e mangët pa Greqinë, rëndësia e së cilës për trashëgiminë kulturore europiane është e njohur. Eurozona pa Greqinë ndoshta mund të ishte më viabël, gjë që nuk ishte e sigurt, por Eurozona pa Greqinë nuk do të ishte Europë e mirëfilltë e lidhur me trashëgiminë kulturore europiane. Si të thuash, Banka Qendrore Europiane, ka nevojë për shtyllat e Akropolit të Athinës që të mbahet. Europa financiare nuk mund të mbijetojë pa Europën kulturore. Grekët dinë ta përdorin mirë rëndësinë që ka për Europën trashëgimia kulturore e tyre.

Këtë duhet të mësojmë ta bëjmë edhe ne shqiptarët dhe këtu e kam fjalën para së gjithash për institucionet shtetërore nga të cilët varet performanca jonë në procesin e integrimit europian. Ne kërkojmë të përfitojmë nga Europa ekonomike, por që të ndodhë kjo në masën e duhur ne duhet t’i tregojmë Europës se përbëjmë një pjesë të kulturës së saj, e cila është aq e rëndësishme për të, sa nuk mund të na lërë jashtë për një kohë të gjatë. Kjo kërkon një reflektim të thellë për atë se kush jemi ne shqiptarët, në ç’kuptim jemi ne pjesë e Europës kulturore. Ne kemi thënë vazhdimisht se nuk e vëmë në diskutim këtë, pasi jemi një nga kombet më të vjetra në Europë, me një gjuhë shumë të vjetër, e kështu me radhë. Por kjo nuk do të thotë se jemi pjesë e domosdoshme e Europës kulturore. Baskët janë po aq të vjetër sa ne, si komb e si gjuhë, megjithatë nuk kanë as të drejta kombëtare as gjuhësore, as shtet. Prandaj ne duhet ta shohim edhe në një këndvështrim tjetër vetveten, në raport me Europën. Çfarë kemi ne që na bën pjesë të pashmangshme të Europës kulturore të sotme.

Sigurisht që ne nuk kemi Akropolin, nuk kemi Aristotelin dhe Platonin, nuk kemi Eskilin dhe Safon, por diçka kemi dhe këto asete kulturore e shpirtërore ne duhet t’i rishqyrtojmë e identifikojmë në tërë përmasat e tyre, si dhe t’i ekspozojmë në mënyrë që të evidentohen plotësisht vlerat e tyre. Këtë duhet ta bëjmë duke pasur parasysh evoluimin e Europës kulturore sot, kur trashëgimia kulturore europiane po rivlerësohet nga këndvështrimi i parimeve të lirive dhe të drejtave të njeriut e bashkëjetesës multikulturore. Sot Europa, midis të tjerash, është duke ndërmarrë një proces emancipimi të myslimanëve europianë, të komunitetit mysliman europian, që është krijuar nga disa breza emigrantësh me tendencën që t’ i bëjë ata të përkushtuar ndaj idesë së tolerancës dhe harmonisë ndërfetare në një shoqëri multikulturore laike. Europa do të ishte e interesuar që këtyre njerëzve t’u tregonte një model europian të suksesshëm të një shoqërie shumëfetare tolerante dhe harmonike në një shtet laik, si dhe që t’u tregonte gjithashtu sekretin e arritjes së kësaj.

Për këtë qëllim ne shqiptarët, si pjesë e reflektimit intelektual për atë se kush jemi ne, duhet të meditojmë më shumë për këtë sekret të tolerancës dhe harmonisë fetare, e kam fjalën për meditim intelektual, kërkim akademik etj. A mund të themi ne se e njohim sekretin e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare që mbisundon në shoqërinë tonë? Ne flasim për tolerancën dhe harmoninë ndërfetare dhe këto veti ia veshim natyrës së popullit tonë, sikur kanë qenë pjesë e natyrës së popullit tonë në shekuj. Sigurisht që ka patur një ndjenjë tolerance dhe harmonie ndërfetare në mentalitetin e shqiptarëve të të gjitha feve, por kjo ndjenjë ishte si një farë që çel një filiz spontanisht, por nga ku nuk mund të dalë një pemë, që të japë frute, nëse për të nuk tregohet kujdesi i duhur.

E vërteta është se kanë qenë disa breza mendimtarësh dhe intelektualësh, që së bashku formojnë një plejadë të mendimit shqiptar, të cilët e kanë edukuar popullin shqiptar me vetinë e tolerancës dhe harmonisë fetare. Myslimani Naim Frashëri thoshte se drita lind andej nga perëndon, duke i bërë myslimanët shqiptarë të shikonin nga Perëndimi, duke u bërë më të hapur, jo fanatikë. Katoliku Pashko Vasa e shikonte Shqiptarinë si “fe” të shqiptarëve, duke bërë thirrje me këtë jo për ateizëm, por për të mos e tepruar me besimin fetar deri në fanatizëm. I krishteri ortodoks Branko Merxhani shkruante me shumë entuziazëm për modelin e Atataturkut, të reformimit të një vendi mysliman, sipas parimeve perëndimore të shtetit laik dhe sugjeronte zbatimin e tij në Shqipëri. I krishteri ortodoks Fan Noli, duke qenë peshkop, shkruajti edhe një biografi të shkurtër të Muhametit, në shenjë vullneti të mirë për të njohur më mirë fenë e bashkëkombasve muslimanë, dhe për t’ i bërë të krishterët e tij ta njohin më mirë këtë fe. Në “Lahutën e Malcis” të At Gjergj Fishtës, të krishterë e myslimanë luftojnë krah për krah për mbrojtjen e atdheut, pa treguar asnjëra palë, asnjë shenjë sado të vogël ngurrimi e fanatizmi fetar, në rastet kur armiku i huaj është i krishterë apo mysliman. Dhe këta nuk ishin të vetmit sigurisht. Nëse do të kishin qenë kaq pak nuk do të kishin arritur atë rezultat madhështor. Përveç tyre janë të tjerë mendimtarë si Sami Frashëri, Mihal Grameno, Sali Nivica, Krist Maloki, Mehdi Frashëri, Josif Bageri, Hafiz Ali Korça, Vangjel Koça, Hasan Prishtina, At Anton Harapi, Mit’ hat Frashëri etj.

Këta mendimtarë, të marrë së bashku përbëjnë një Akademi të një lloji të veçantë, të mendimit shqiptar. Arritja e tyre përbën kontributin tonë më të madh në kulturën europiane, që shumë kohë para se Europa të shndërrohej në një realitet multikulturor dhe të niste shqetësohej për multikulturalizmin. Sot shtetarët shqiptarë kanë kënaqësi të flasin me partnerët e huaj për tolerancën dhe harmoninë fetare që mbisundon në vendin tonë, dhe të huajt janë dakord me këtë. Për tolerancën e harmoninë ndërfetare në Shqipëri flitet në simpoziume e konferenca, kombëtare e ndërkombëtare. Toleranca dhe harmonia jonë fetare prodhon edhe simbole si ecja të kapur krah për krah e katër klerikëve shqiptarë të feve të ndryshme, në Paris, në marshimin e solidaritetit me rastin e atentatit terrorist ndaj “Charlie Hebdo”. Por ky ekspozim i kësaj vetie të mirë të shoqërisë sonë, është i mangët pa ekspozimin e dimensionit intelektual të tij, e asaj plejade të mendimit shqiptar që kontribuoi në rritjen e atij filizi në mendësinë kolektive popullore deri në një pemë me rrënjë të fuqishme që iu rezistoi dhe iu reziston akoma me sukses, stuhive të fanatizmit fetar që kanë dashur ta shkulin atë.

Ligjërata e mbajtur nga autori në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore: “Integrating Societies through Religious Harmony and Coexistence. The Albanian Model!” zhvilluar në datë 8 Maj 2019 në Muzeun Historik Kombëtar 

Tags: AnalizafeteNga Ndriçim Kullashqiptaria

JU SUGJEROJME

25 VITE MË PARË/ Turqit marrin Pashalimanin, 7 mln $ për bazën e nëndetëseve shqiptare
Arkiva

25 VITE MË PARË/ Turqit marrin Pashalimanin, 7 mln $ për bazën e nëndetëseve shqiptare

27/03/2023
Parandaloni më mirë se të kuroni! NOVAL Diagnostic mendon për shëndetin tuaj
Kryesore

Parandaloni më mirë se të kuroni! NOVAL Diagnostic mendon për shëndetin tuaj

27/03/2023
NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ Të jesh fotoreporter në Shqipëri; Armando Babani, fotografi i ngjarjeve
Arkiva

NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ Të jesh fotoreporter në Shqipëri; Armando Babani, fotografi i ngjarjeve

24/03/2023
NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ PD ka zhvatur 1 miliard
Arkiva

NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ PD ka zhvatur 1 miliard

24/03/2023
Next Post
Shqiptarët dembelë?! 31 % e popullsisë i ka thënë “Jo” punës

Shqiptarët dembelë?! 31 % e popullsisë i ka thënë “Jo” punës

Comments 1

  1. ILIRI says:
    4 years ago

    Monotoni, pralla me mbret! ku ka armoni ne mes islamit e kristianismit?

No Result
View All Result

     








Më Të Lexuarat

  • 25 VITE MË PARË/ Turqit marrin Pashalimanin, 7 mln $ për bazën e nëndetëseve shqiptare
  • Parandaloni më mirë se të kuroni! NOVAL Diagnostic mendon për shëndetin tuaj
  • NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ Të jesh fotoreporter në Shqipëri; Armando Babani, fotografi i ngjarjeve
  • NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ PD ka zhvatur 1 miliard
  • NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ PR kundër demokratëve



Editorial: [email protected]
Synimi: Ndikimi në debatin dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Editorial: [email protected]
Synimi:
Ndikimi në debatin shoqëror dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Marketing

Drejtor Marketingu
Ledio Trungu
Tel : +355683673191
Email : [email protected]

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

No Result
View All Result
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In