4 mijë fidanë kanabis paska sekuestruar sot policia në malësitë e Tiranës. Gati për t’u mbjellë. Aksione ka patur dje edhe në zonën e Niklës. Raportohet ngado, se sezoni i kultivimit të hashashit, është intensiv.
Çfarë ka ndrydhuar në krahasim me një vit më parë, apo dy vite më parë? Klima vallë, mos është moti më i përshtatshëm?
Duhet kuptuar qartë një gjë. Rrënjët e kësaj bime fitimprurëse, por me shumë pasoja të rënda për shoqërinë, për rendin, për stabilitetin, kësaj radhe vijnë nga ideja e kryeministrit për legalizimin e kanabisit medicinal.
Qysh se e artikuloi për herë të parë këtë vizion, rezulton se ka një hov në gjithë vendin. Rama nuk është tërhequr. E tha edhe një ditë më parë, se projektin do ta çojë deri në fund, pasi tani janë pjekur kushtet.
Janë të njëjëtat grupe, të njëjtët persona, që kanë edhe insfrastrukturën gati, që duket se janë inkurajuar, dhe mendojnë se dielli doli sërish për ta. Ekspertiza është e bollshme, profesionistë gjenden sa të duash.
Në mandatin e parë të rilindjes, Shqipëria ishte një narkoshtet, me kulmin në vitin 2016, 12 muaj para zgjedhjeve parlamentare. Raportimet e Guardia di Financa dhe alarmet e antimafias italiane, tregonin për dhjetëfishim të sasisë së drogës që hynte atje nga Shqipëria.
Mediat më të rëndësishme të botës zbarkuan dhe bënë reportazhe, duke sjellë dëshmi të punëtorëve të hashashit, të magazinave, dhe duke filmuar thasë me kanabis. Kupola e policisë rezultoi e përfshirë. Ndërkohë, nuk ka patur ndalime dhe dënime të rrjeteve të organizuara dhe kapove.
Pra terreni është gati. Jemi në situata shumë të ngjashme. Trafikantët janë aty, etja për para të shpejta është aty, lidhjet me politikën dhe me shtetin janë aty. Dhe sërish, jemi një vit para zgjedhjeve.
Si mundet që nisur nga kjo përvojë e hidhur një kryeministër, të dalë me idenë e legalizimit të kanabisit. Si mundet, të qarkullojë kjo teze, kur është fare e freskët se si kjo bimë e mallkuar zbriti deri në shkolla. Kur të rinj pa fund, u zhytën në një botë toksike e dembelizmi, me idenë se do të bëhej më mirë, e do ta rregullonin jetën me një ngarkesë mall.
Përveçse është nxitje e një modeli të papranueshëm, me pasoja të freskëta për shoqërinë tonë, ku një valë krimesh që ende nuk është ndalur, u përhap nga Vlora në Mirditë, nga Shkodra në Korçë, nga Dukagjini në Memaliaj, e kudo, shkendija e legalizimit të kanabisit është një shkelje syri për bandat. Një mundësi e fuqizimit sërish të këtij biznesi kriminal. Dhe padyshim, përfshirja më tej e tij, në zgjedhjet që do vijnë. Kështu që çdo fidan i kapur sot nëpër male, rrënjët i ka në Bulevard, tek ideja e legalizimit.
Mapo.al