Deputeti socialist Fidel Ylli u shpreh në seancën e sotme plenare se duhen ligje më të ashpra për dhunën në sport. Ai tha se për këtë iniciativë nevojiten politika të caktuara në nivel europian. Më tej, Ylli u ndal edhe tek standarti i stadiumeve vendase.
“Ligjet jo vetëm të shkruhen, por edhe të zbatohen. Duke qenë se vij nga bota e sportit, do të ndalem te dhuna në sport. Dhuna në sport duhet të ndalet. Konventa Europiane e miratuar në parlament garanton një mjedis të qetë në sporte të ndryshme. Konventa Europiane kërkon që agjencitë ligj-zbatuese të mund të sigurojnë rend e siguri për një ndeshje futbolli apo tjetër aktivitet sportiv. Lojtarët, trajnerët dhe të tjerët duhet të veprojnë me tolerancë dhe në mënyrë të ndershme. Loja me dhunë nuk duhet më që të tolerohet.
Vetëm dy stadiume, Elbasan Arena dhe “Loro Boriçi” në Shkodër janë brenda standardeve, kurse të tjerat nuk plotësojnë kushtet. Qeveria jonë do të vazhdojë që të insistojë në miratim ligjesh që dënojnë dhunën. Duhen politika të caktuara në nivel europian. Duhen masa parandaluese për dhunë dhe fenomene të tjera shqetësuese. Ne si maxhorancë duhet të vazhdojmë të insistojmë për mospasje dhune në stadiume. Ne kemi investuar në stadiume dhe në fusha të tjera të sportit. Maxhoranca e ka parë sportin si fushë të rëndësishme kombëtare”- u shpreh Fidel Ylli nga foltorja e parlamentit, ku sot po diskutohet për ndryshimet në Kodin Penal.