Gruaja që humbi jetën sot në Fier, quhet Roza Deliu dhe punonte mësuese në shkollën “Mark Dashi”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:50, në lagjen “ 29 Nëntori” Fier, ku 50-vjeçarja ka rënë nga kati i dytë i pallatit, teksa po lante xhamat. Policia tha se gruaja humbi jetën aksidentalisht.
Postimi i kolegëve të 50-vjeçares është mjaft prekës. Ata shprehin ngushëllimet dhe dhimbjen për humbjen e Rozes, duke e përshkruar si “mësuesja që kurrë s’u lodh e dha më të mirën, kolegia e dashur e gjithnjë fjalëëmbël”.
“Faqja e shkollës në fb ka gjithnjë qëllimin të shpërndajë më të bukurën, më pozitiven e më argëtuesen që në shkollën tonë ndodh e, kur hapëm këtë faqe, nuk e kishim menduar kurrë se një ditë do të na duhej ta përdornim për t’ju dhënë edhe lajmin më dramatik. Sot me zemrën që na dridhet dhe mendjen që nuk e beson e nuk e rrok dot lajmin që s’do të donim t’a merrnim kurrë, ju bëjmë me dije se kolegia jonë e shtrenjtë, mikja jonë e çmuar, gruaja e vlerë dhe mësuesja e palodhur, Roza Deliu, u largua nga jeta duke na lënë një zbrazëti të madhe. Nuk është e lehtë për ne, stafin e shkollës të ndajmë me ju këtë lajm të zi e të rëndë sepse Roza për ne ish dhe është e shtrenjtë dhe e pazëvendësueshme. Ngushëllimet tona më të ndjera familjes së saj të mrekullueshme dhe gjithë të afërmve të tjerë. Lamtumirë, gruaja me sytë e bukur, të qeshur e të gjallë, mësuesja që kurrë s’u lodh e dha më të mirën, kolegia e dashur e gjithnjë fjalëëmbël! Lamtumirë, e bukura dhe e mira Roza që qysh tani na mungon e të ardhtë e lehtë lëndina!
🙏🙏😢😢🖤🖤”.