Jetët e futbolliistëve të kontaktuar apo implikuar nga mafia e basteve, janë në rrezik. Është vetë FIFA, organizata më e madhe futbollistike në botë, që shpreh hapur shqetësimin e saj për pasojat që mund të derivojnë nga bastet ilegale. Shumat e luajtura në qendrat e krijuara në juglindje të Azisë kapin shifrat e një miliard dollarëve, ndaj janë pikërisht këto shuma që shndërrohen në rrezik për jetën e lojtarëve apo zyrtarëve të klubeve.
Ai që e bën paralajmërimin është Kris Eaton, shefi i sigurisë në FIFA. “Ne jemi shumë të shqetësuar për sigurinë e futbollistëve dhe zyrtarëve. Kemi prova ende të paverifikuara se disa futbollistë janë vrarë. Trukimet bëhen me synimin e vetëm për të përfituar para në mënyrë të paligjshme. Ato shkatërrojnë jetët dhe karrierat e shumë njerëzve. Qeveritë duhet të fokusohen më tepër pasi shumat e parave që gjeneron kjo veprimtari po rriten në mënyrë marramendëse”. Paralajmërimi i Kris Eaton nuk kufizohet vetëm në aspektin e dëmit që shkaktojnë trukimet në futboll dhe protagonistët e tij, por shkon edhe më tej duke vënë në dukje se manipulimi i ndeshjeve sjell dhe fuqizimin e krimit të organizuar. “Çfarë bëjnë organizatat kriminale me paratë e fituara? Ato i investojnë në të tjera aktivitete kriminale. Ato i përdorin paratë për të rritur akoma më shumë pushtetin e tyre. Për fat të keq, për vetë natyrën e fenomenit organizatat mund të akumulojnë në një hark të shkurtër kohor sasi të mëdha parash.”
FIFA,do të hapë në muajin shkurt një linjë telefonike pë rata që duan të denoncojnë aktet ilegale të trukimeve të ndeshjeve denoncimesh si dhe do të ofrojë një amnisti më hark kohor të kufizuar për lojtarët që pranojnë përfshirjen në manipulimin e ndeshjeve duke dhënë prova. FIFA ende po përpiqet të kontaktojë me gjyqtarin e një miqësoreje mes Nigerisë dhe Argjentinës në qershor. Gjyqtari Ibrahim Chaigoi dha dy penallti në fitoren e dyshimtë 4-1 të Nigerisë por institucioni botëror i futbollit nuk ka pasur mundësinë të flasë me të. Rreth 50 futbollistë u arrestuan vitin e kaluar ndërsa skandali i basteve goditi kampionatin koreano-jugor K-League, duke sjellë dhe kërcënimet e qeverisë se mund ta mbyllte fare kompeticion. Ish-trajneri i klubit koreano-jugor , Sangmu Feniks u gjet i vdekur në tetor, teksa dyshohet se kishte vrarë veten, tre muaj pasi ishte akuzuar si i përfshirë në trukime. “Ne kemi prova se lojtarë në Korenë e Jugut kryen vetëvrasje si pasojë e turpit për përfshirjen në trukime. Ka lojtarë që paguajnë çmimin më të shtrenjtë pasi i rezistojnë trukimeve, ose prej trupit që janë përfshirë në to. Ja pse është një prerogativë për FIFA-n dhe shoqërinë globale për të kufizuar aksesin e kriminelëve në sport. Sigurisht që ne kemi informacion se në vende të ndryshme ka pasur kërcënime ndaj lojtarëve që kanë denoncuar. Ne na duhet t’i mbështesim këta njerëz”. Iton tha se ai nuk ka dijeni për ndonjë kërcënim ndaj italianit Simone Farina, i cili refuzoi të pranonte 200 000 euro për të trukuar një ndeshje të kupës së Italisë mes skuadrës së tij Gubio dhe Çezenës nëntorin e kaluar. Megjithatë, shefi i sigurisë në FIFA ka bërë të ditur se “pjesa më e madhe e qendrave të basteve ilegale është në Azinë Juglindore, të cilat qarkullojnë 500 milionë deri në 1 miliardë dollarë”. Ndërkohë, FIFA ka publikuar emrin e Uilson Raj Perumal, një shtetas nga Singapori me banim në Londër, i cili dyshohet për ngritjen dhe menaxhimin e një prej qendrave më të mëdha të basteve të jashtëligjshme.