Aktualitet

Fillimi apo fundi i shkollës!







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:48 - 21/09/20 |
Lulzim Omuri

Një javë pas fillimit të vitit të ri akademik, ku mijëra fëmijë u ulën për herë të parë në bankat e shkollës, në çdo qytet e fshat të Shqipërisë. Kjo javë dëshmoi dhe një herë vështirësitë me të cilat po përballen nxënësit dhe mësuesit.


Arsimi është përballur me sfida të mëdha, duke nisur nga tërmeti i rreth 1 viti më parë (ai i 21 shtatorit) për të vazhduar me tërmetin shkatërrues të 26 nentorit, i cili dëmtoi me dhjetëra shkolla në të gjithë vendin. Dëmet e shkaktuara nga tërmeti në objektet e banimit dhe mungesa e ndihmës së shtetit vuri në vështirësi mijëra familje për plotësimin e kushteve të nevojshme për ndjekjen normale të mësimit për fëmijët e tyre.


Për më tepër, në mes të një krize të tillë, të shndërruar në katastrofë totale në disa zona, për shkak të keqmenaxhimit nga qeveria, përballja e radhës është ajo e Covid-19.



1 në 7 qytetarë është sot në kontakt me shkollat, në kushtet kur së pari jo të gjithë nxënësit kanë një ambjent/ godinë për të ndjekur mësimin (si pasojë e shembjes apo mbylljes nga shteti të shumë prej tyre). Shumica e shkollave nuk ofrojnë kushte minimale qoftë të higjenës personale, as sot pas rreth 1 vit nga krizat e vazhdueshme në sistemin arsimor për shkak të tërmetit, e pas 6 muaj nga gjendja jo e zakonshme e krijuar nga pandemia, Ministria vendosi fillimin e vitit të ri akademik pa një plan të detajuar për procesin e zhvillimit të mësimit.


Familjet shqiptare sot e kanë më të vështirë se kurrë të përballojnë kostot e rritura të jetesës, nuk mund të sigurojnë shpenzimet për femijët e tyre, me qindra biznese janë mbyllur, me mijëra familje janë pa të ardhura, (për shembull vetëm librat për nxënësit e vitit të parë të shkollës së mesme kushtojnë 110 mijë lekë të vjetra) e për më tepër familjet shqiptare janë totalisht të pasigurta për shëndetin e fëmijëve të tyre.


Ndërkohë që kjo qeveri çdo barrë ia adreson çdokujt tjetër, duke u “vetëshkarkuar” nga përgjegjësite e saj. Në ditën e parë të fillimit të shkollës, ndërkohë që të gjithë nxënësve dhe mësuesve, duhet t’ju prezantohej plani i zhvillimit të mësimit dhe t’ju ofrohej siguria e nevojshme në fillimin e shkollës. Ministrja e Arsimit jep dorëheqjen nga posti, duke lënë në mes të paqartësive dhe pa asnjë strategji reale sistemin. Një shembull i pastër i dështimit të drejtimit të arsimit në vend.

Mësuesit, në të gjithë vendin nisën përballjen më të vështirë, përveç procesit të mësimit tejet të ngarkuar. Zhvillimi i mësimit me disa turne totalisht të çorganizuara dhe pa efikasitet. Për sa kohë në 2 orë mësim është thuajse e pamundur të jepet i plotë informacioni për 20 nxënës dhe akoma më e pamundur të kuptohet nga nxënësit lënda. Duke u përballur gjithashtu me mungesën e sigurisë në zhvillimin e mësimit (ende nuk është bërë testim i të gjithë mësuesve, kur në këtë javë disa prej tyre kanë rezultuar pozitivë, duke rritur rrezikun e infektimit nga Covid-19) mos bërja e trajnimeve paraprake për të përshtatur mësimdhënien në kushtet e pandemisë Covid-19 me protokollet e sigurisë shëndetësore. Për ta nuk është konsideruar asnjë ndihmë financiare (rritje apo shtesë në pagë) për hir të gjithë kësaj situate të krijuar në vend.
Fillimi i shkollës këtë vit që duket më shumë si “fundi” i saj, në të gjithë këtë vorbull paqartësish e problemesh.

Nxënësit dhe mësuesit janë përplasur me një “ortek” vështirësish, të gjendur midis krizës së shkaktuar nga tërmeti, pandemisë Covid-19 dhe sigurisë shëndetësore. Ashtu si në 7 vite kjo qeveri nuk ka ofruar asnjë mbështetje reale apo një strategji për t’u zbatuar dhe ndjekur, përveçse është kujdesur për propagandën.

Arsimi është çelësi i të ardhmes. Të rinjtë e arsimuar do të jenë profesionistët, drejtuesit, udhëheqësit e vendit nesër. Ka ardhur koha që të rikthehet vëmendja dhe të ofrohet një arsim cilësor për të gjithë.
Kostot e këtyre politikave gjysmake sot, nuk duhet të jenë pasqyrë e pasojë e qytetarëve shqiptarë nesër!


Etiketa: , ,

Pas