KMR

Filmat horror për adoleshentë, minierë ari për kinematografinë






               Publikuar në : 20:55 - 25/08/19 |
mapo.al

Historitë e frikshme popullore dhe legjendat urbane gjithmonë kanë nxitur imagjinatën e njerëzve, veçanërisht tek të rinjtë. Tani, “Histori të frikshme për t’u treguar në errësirë”, një koleksion tregimesh të shkurtra horrori për fëmijë nga autori Alvin Schwartz dhe karikaturisti Stephen Gammell është përshtatur për ekranin e madh nga fituesi i Oskarit Guillermo Del Toro dhe regjisori André Ovredal.


Gjatë fundjavës së tij të hapjes, filmi fitoi mbi 20 milionë dollarë duke dëshmuar edhe një herë se filmat horror për adoleshentët janë fitimprurës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelope Poulou sjell hollësitë.

Në adaptimin filmik të librit “Histori të frikshme për t’u treguar në errësirë”, të producentit Guillermo Del Toro, përbindëshit ringjallen nga faqet e një libri historik me fantazma dhe u marrin jetën adoleshentëve.

Producenti dhe regjisori i filimit, fitues i Oskarit, i ka krahasuar këto përralla me historitë që tregohen rreth zjarrit nëpër kampe. “Ekzistojnë dy lloje të filmave horror: njëri është trazues, të trazon shpirtin përgjithmonë, ndërsa lloji tjetër është argëtues dhe emocionues.”

Regjisori Andre Ovredal e bazon filmin në antologjinë e tregimeve horror për fëmijë të autorit Alvin Schwartz. “Është një lloj përzierje mes një filmi modern horror dhe filmave Amblin nga fëmijëria ime”. Andre Ovredal i referohet ndikimit të viteve 1980 të filmave të regjisorit Spielberg si “Poltergeist”, “Goonies”, “E.T. the Extraterrestrial”, ku horrori përzihet me momentet emocionuese të adoleshentëve.

Por kjo histori huazon gjithashtu elemente nga filmat horror të viteve 70, bazuar në romanet e preferuara të Stephen King-ut, ku forcat mbinatyrale përdoren nga personazhet e pafuqishëm, zakonisht fëmijët dhe adoleshentët, për të realizuar hakmarrjen ndaj atyre që ushtrojnë bulizëm dhe korporatave keqdashëse.

Zakonisht, personi i pafuqishëm shfaq superfuqi ose u hap portën forcave të panjohura, si në rastin e Stelës, një vajzë e drojtur por e zgjuar nga një qytet i panjohur në qendër të vendit.

Histori të Frikshme për t’u treguar në Errësirë, nuk është filmi i vetëm horror që ka shënuar sukses në kinema. Sipas kompanisë Netflix që transmeton filma dhe seriale në internet, “Stranger Things”, një serial i frikshëm me personazhe të moshës adoleshente hapi sezonin e tretë me dyzet milionë shikues që e panë atë brenda katër ditëve pas debutimit.

Kjo nuk është vetëm një prirje e brendshme. Serialet ndërkombëtare tani po kopjojnë këtë formulë, ashtu siç është rasti me serialin indian “Typewriter” të zhanrit horror për adoleshentët, të cilët zgjidhin probleme misterioze në përpjekjet e tyre për të dalë nga një shtëpi me fantazma.

“Tmerri dhe ankthi janë elemente të mrekullueshme që ekzistojnë vetëm në filmat horror”, thotë regjisori Andre Ovredal. /VOA/


Etiketa: , ,

Pas