fbpx

Kryesore

Filmi dokumentar i Luan Hajdaragës, mikut të të gjithëve (Foto)





               Publikuar në : 10:40 - 10/10/19 |
mapo.al

Nga Alessia Selimi


Në përvjetorin e ndarjes nga jeta, personaliteti i njohur i skenës politike shqiptare, Luan Hajdaraga u përkujtua pasditen e djeshme në kinema “Millenium” me një film dokumentar. Prodhimi i Radiotelevizionit shqiptar, “Luan Hajdaraga-Miku i të gjithëve”,  bëri bashkë miq, të afërm, personalitete e kolegë, të cilët e kanë bashkëshoqëruar përgjatë gjithë karrierës së tij si pedagog, politikan, diplomat, legjislator e shtetar.



Në vazhdën e tyre u pikas presidenti Ilir Meta, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, zv/kryeministri Erjon Braçe, deputeti Anastas Angjeli, ish-deputetja e Partisë Socialiste Valentina Leskaj, si dhe ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj. Të ulur në radhët e para të sallës së kinemasë, u rikthyen shumë vite pas në kohë, teksa shihnin njëri-tjetrin në fotografi të bëra bashkë, e ku fokusi mbetej tek eksponenti i lartë i Partisë Socialiste, Luan Hajdaraga.


<
>
_G1_6121 _G1_5997 _G1_6077 _G1_6093 _G1_6114

Dokumentari përmbante po ashtu figura të njohura politike, si ish-ministrja e Jashtme Arta Dade, e cila nuk ngurronte ta cilësonte Hajdaragën një njeri profesionist, të komunikueshëm dhe me vlera të larta njerëzore.

E megjithatë, ai erdhi në ekranin e madh edhe si një baba e gjysh i devotshëm dhe i përkushtuar. “Dikur babai na thoshte se pasuria më e madhe që do të na linte ishte biblioteka madhështore që ai kishte ndërtuar gjatë 70 viteve të jetës së tij. Por sot e them me krenari se ai ka lënë shumë më tepër se kaq; na ka lënë miq shumë të mirë, emrin dhe kontributin e tij në shumë fusha, si dhe një dashuri njerëzore të pakufishme”-u shpreh vajza e tij, Luela Hajdaraga, duke i dhënë kështu një shpjegim titullit të dokumentarit, ku s’kish se si të mungonte edhe i biri.

Megjithatë, Ervin Hajdaraga preferoi të fliste dhe për gazetën Mapo. Nuk ngurroi aspak të ndalej në rastet kur është ndjerë nën hijet e të atit. Duke u munduar të qëndrojë larg fjalëve superlative të miqve dhe kolegëve të tij, Ervini u shpreh: “Unë i kam shfrytëzuar të gjitha rastet kur jam ndjerë nën hijen e tij në mënyrën më të mirë të mundshme, më të njerëzishme. Jam ndjerë gjithmonë krenar, ndonëse jam i sinqertë kur them se nuk e kam tepruar me emrin dhe mbiemrin e tim ati.”

Mapo iu drejtua edhe zv/kryeministrit Erjon Braçe. Ky i fundit, i cili ishte ndër ata të rinj që Hajdaraga përkrahu në rrugëtimin e vështirë politik, u shpreh me një fytyrë të qeshur se së bashku me të dhe deputetin socialist Anastas Angjeli kanë qenë ngahera një treshe e pandarë, por që fatkeqësisht e njohën ndjesinë e ndarjes në korrik të vitit të kaluar, kur Hajdaraga ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë tre ditë përpara se të mbushte 70 vjeç.

Dokumentari kushtuar Luan Hajdaragës u mbyll me duartrokitje të forta, të ndjera dhe të sinkronizuara, të cilat ridëshmuan se njeriu nuk largohet nga jeta nëse emri i tij vazhdon ende të jetojë.

<
>
_G1_5828 _G1_5866 _G1_5889 _G1_5892 _G1_5907 _G1_5929 _G1_5948 e0ed4567-beb3-4692-99ec-6065b6e956fc 31ddcab0-a97c-4312-811c-a034968baf26 1c9adfc6-0770-4086-8419-feaf10723dab aeac7b46-a95f-4a8d-a588-fb643bedcdb9


Etiketa: , ,

Pas