Elsa Bita, një qytetarë nga Divjaka ndodhet në urgjencën e spitalit Lushnjë dhe ka denoncuar se është dhunuar nga shefi i komisariatit Divjakë.
Sipas saj, Altin Shehu, shefi i komisariatit e ka dhunuar sepse po filmonte një takim elektoral të PS ditën e sotme në Divjakë, kur sot i gjithë vendi është në heshtje zgjedhore.
“S’po bëja asgjë. Thjesht po filmoja. Isha drejtëpërdrejtë dhe po bënim miting brenda në lokal. Njoftuan policinë. Erdhi shefi dhe më goditi vetë. Më mori telefonin, më tërhiqte me forcë, më pas më shuku…”, rrëfen e dhunuara.
Elsa Bita njihet si mbështetëse e Partisë Demokratike. Në momentin e incidentit ajo ka qenë duke transmetuar live në Facebook, në profilin e saj. Gazeta MAPO siguroi ekskluzivisht pamjet e incidentit, kur një grup militantësh të PS, mes të cilëve edhe shefi i policisë, i drejtohen gruas dhe tentojnë t’i marrin telefonin nga dora.
Ndërkohë, kandidati i PD, Hekuran Korreshi ka denoncuar se përfaqësues të PS kanë zhvilluar takime sot në Divjakë, duke shfrytëzuar ambientet private, ndonëse vendi duhej të ishte në heshtje zgjedhore.
Ai i bën thirrje SPAK të hetojë, ndërsa SHÇBA të arrestojë shefin e komisariatit që ka dhunuar qytetaren.
“Sot me urgjencë të arrestohet shefi i komisariatit. Ka kamera që e filmuan. Nëse nuk ndërhyni jeni bashkëpunëtorë dhe pjesë e krimit jeni të lidhur kokë e këmbë me Erion Braçen“, tha ai.
LEXO EDHE:
MAPO siguron videon/ Momenti kur shefi i policisë i thyen krahun qytetares