Mapo Letrare

Filozofi më atipik i Francës, a u tradhëtua At Zef Pëllumbi, dhe Ontologjia e imazhit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:00 - 02/03/20 |
Nga Mark Simoni

Me filozofin dhe përkthyesin e njohur Orgest Azizi, punonjës në Muzeun Kombëtar francez “Picasso” në Paris, (Francë).


Orgest Azizi është diplomuar në Paris dhe jeton atje prej 25 vitesh. Ka familjen e tij, (bashkeshorten dhe dy fëmijët).


Bashkëbisedoi Mark Simoni


***


PYETJE: “Erotizmi” është vepra e parë që keni përkthyer, (për të cilin unë atëherë pata bërë dhe shkrimin e parë në shtyp), ku ju takuat kështu në këtë libër një nga filozofët më interesantë francezë, Georges Bataille. A mund të na flisni për atë eksperiencë zanafillore?

PëRGJIGJE: Ishte një përkthim i porositur. Libri m’u propozua mua, mbasi me dy a tre përkthyes të tjerë porositësit nuk kishin mbetur të kënaqur. Duhej të paraqisja një ekstrakt rreth 15 faqe përkthim. Fitova, dhe e mora veprën ta përktheja. Një paradoks. Ishte hera e parë dhe përktheja veprën më të vështirë që më ka rënë në dorë. Tensioni si rishtar, teksti tepër i vështirë, fusha jo shumë e njohur. Me këtë rast u njoha më thellë dhe me autorin.

Vetë Bataille është mjaft i komplikuar, dhe shumë i veçantë në kompleksitetitn e tij. Bataille është një fenomen mes letërsisë dhe filozofisë, i afërt me surrealizmin dhe André Bretonin në fillim, por edhe Walter Benjaminin psh, dhe qe mjaft i njohur në Francë.

Michel Foucault ka shkruar një ese të gjatë për Bataille me titull “Préface à la transgression”. Sa ç’ushqehej nga eksperiencat e veta, po aq dhe ushqente të tjerët me teoritë dhe esetë apo librat e tij. Bataille qe njeriu i famshëm më atipik që kishte Franca: joinstitucional, i pakategorizueshëm. Botonte revistën “Kritikë” dhe frymëzoi filozofët francezë të pasluftës si Foucault, Jacques Derrida.

Deri atëherë nuk e kisha njohur aq thellë. Ai nxirrte në diskutimin publik eksperiencën e vet, plagën e vet më private, i shpallej botës, i tregonte asaj pjesët më të errëta dhe të jashtëzakonshme që kish. Dhe tërë këtë privatësi të thellë dhe të fshehtë e përdorte si material teorik për refleksionet e veta. Jean-Paul Sartri (që ishte dhe moshatar me të), e ka cilësuar: “Bataille është një mistik i llojit të ri”.

Dhe vërtetë ai e përjetonte disi jetën e vet si mistikët. Ka shumë analogji me ta. Ka shkruar dhe i njeh mirë mistikët. Qe i dhënë shumë pas historive të feve, mitologjisë, njihte sektet, heretizmat, skizmatikët, Shën Françeskun, Shën Terezën e Avilës.

Kjo gjendje në fillim të punës për përkthimin e Erotizmit më stepte. Por duke punuar konkretisht për librin, aty njoha dhe kapa nënshtresat, pasurinë, tensionin e mendimit të Bataille.

Jo vetëm shoqëria shqiptare, por asnjë shoqëri ne vetvete, nuk është e përgatitur për mendimet dhe propozimet e Bataille. Sepse vetë objekti i librit janë arkanat e çdo ekzistence kolektive. Kur rrëmon në këto nivele, çdo shoqëri gjendet e papërgatitur. Vepra e tij më ka frymëzuar tepër, me valë të gjata dhe të nëndheshme. Edhe kohë më pas vazhdoj të jem në rezonancën e tij.

PYETJE: A mund të shpjegoni para lexuesit tanë termin “Përdorimet politike të trupit” që e keni shpallur si një opsion studimi, dhe është mjaft i diskutueshëm.

PëRGJIGJE: Para ca kohësh organizuam në Korçë një konferencë shkencore me rreth 50 pjesëmarrës nga e Europa dhe Azia Juglindore, për estetikën, antropologjinë dhe filozofinë dhe raportet me politikën, e cila kishte këtë temë.

Më ka interesuar shumë dhe vazhdimisht analiza e politikës nga pikëpamja e trupit dhe trupave: si përdoren, rreshtohen, shfrytëzohen, zhvendosen, qëndrojnë, revoltohen, seksualizohen. Politikë pa trupa s’ka. Parë ne rrafshin metafizik na del se pa trupa s’ka politikë. Po të ishin njerëzit engjëj dhe frymë të kulluara, s’do kishte politikë.

Ndërkohë, ne si shqiptarë e kemi përjetuar ndoshta më shumë se kushdo, ose se paku më gjatë dhe intimisht, (dhe e përjetojmë ende), faktin që politika jonë ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me trupin: kampet e të burgosurve, internimet, zbori, aksionet, paradat, revoltat, përdhunimet masive gjatë luftës së Kosovës, eksodi me anijet, deri te vallëzimi karnavalesk mbi tortën e Pavarësisë! Për mua, stadiumi i Barit i 91-shit, kampi i Bllaces, bulevardi i 21 janarit dhe torta e Pavarësisë janë njësoj skena ku luhet kjo politikë e trupave.

Në këtë shumësi trupash dhe raportin e tyre me politikën është dhe shpjegimi i hulumtimit rreth “përdorimeve politike të trupit”.

PYETJE: Ju para ca kohësh keni bërë një shkrim dhe që u polemizua, me titullin “Vdis vetëm për me u tradhtue”. Një shpjegim të rrethanave dhe të shtysës së këtij shkrimi të veçantë.

PëRGJIGJE: Ky titull i shkrimit tim vjen nga kalku gjuhësor i titullit të librit të famshëm me dëshmi të At Zef Pëllumbit Rrno vetëm për me tregue.

Por shkasi i atij shkrimi, qe botimi në Itali i librit të At Zef Pëllumbit, nën kujdesin, patronazhin zyrtar dhe me parathënie të Silvio Berlusconit. Ishte pra ky lloj montazhi, bashkimi monstruoz i dy gjërave që s’duhej kurrsesi te takoheshin: librit me dëshmi të të mbijetuarit të kampeve e burgjeve komuniste; dhe pornokratit financiar e mediatik të përtejdetit, Silvio Berlusconi.

M’u duk fillimisht një përdhosje e viktimave dhe dëshmisë rreth tyre. Dhe, pastaj, nuk m’u duk aspak rastësore kjo lidhje “e panatyrshme” në pamje të parë e botimit të librit me “kavalierin”. E lexova si një pjesë e pathënë e një sistemi socio-historik, të pavetëdijshëm ndoshta, ku lidheshin bashkë raporti me të shkuarën dhe kujtesën kolektive, statusi i dëshmisë dhe i viktimës, (ne ende s’e kemi përcaktuar se çfarë quajmë viktimë), politika e arkivës, si dhe përmasa autokolonializuese në raportet me fqinjin tonë perëndimor. Sërish një skenë, tekstuale këtë herë, por po aq politike sa me lart, ku vura re se ngjizej një nga nyjet më të forta të inkoshientit politik të shoqërisë shqiptare në situatën historike aktuale të saj.

Këtë agregat, që m’u duk i pistë, (dhe që m’u desh ta emertoja brutalisht: imanenca e ndyrë), ishte me rëndësi për mua që ta denoncoja me dhunën konceptuale dhe retorike që ma impononte objekti. Ky qëndrim i parë publik, i vetmi mesa di në kundërsens të kremtimit të përgjithshëm, u pasua nga një përgjigje “polemikë” e Aurel Plasari, që përveç që i dha jehonë paradoksale shkrimit, e konfirmonte edhe më pozicionin tim fillestar.

Ju falenderoj veçanërisht që ma bëni pyetjen, sepse mendoj se shkrimi nuk pati asnjë efekt, sepse kjo makineri prek disa nga interesat simbolike më të forta që strukturojnë jetën publike shqiptare. Për mua është, deri tani, prononcimi im më politik.

PYETJE: Kemi diskutuar dhe herë tjetër bashkë për ontologjinë e imazhit dhe për kinemanë, jo vetëm franceze. A mund të na flasësh më gjerësisht për këtë temë?

PËRGJIGJE: “Ontologjia e imazhit” është term i përdorur nga kritiku dhe teoricieni francez i kinemasë André Bazin, i cili ka shkruar dhe librin Ç’është kinemaja? (botimet Zenit).

Unë vetë jam shumë i dhënë pas kinemasë, pasion që, për hir të së vërtetës, unë ia zbulova vetes në Francë. Pasion individual por që është bërë tendencë e imja për lexime dhe reflektime. Përpiqem të përziej bashkë filozofinë dhe kinemanë.

Në vazhdën e mjeshtrave tanë të famshëm Gilles Deleuze, Jacques Rancière apo amerikani Stanley Cavell mendoj se kinemaja është një medium shumë special, ku regjistrohet dhe arshivohet kujtesa historike e popujve, ndoshta në shumë raste edhe më tepër se sa tek letërsia.

Mirëpo, sa më shumë më rritet mua pasioni për kinemanë, aq më tepër vërej me dhimbje se në Shqipëri zhduket çdo ditë e më tepër vetë mundësia e kinemasë. Këtë gjendje e cilësova si “humbje e vetë mundësisë për të pasur përvojë kolektive”.

Për mua kinemaja ishte modeli i asaj se çfarë mund të quajmë përvojë, për pasojë zhdukja e saj sjell këtë rrënim dhe këtë rroposje. Kështu që ne bëhemi definitivisht një popull pa përvojë. Pata bërë një shkrim për këtë, mbasi kisha përkthyer një ese të semiologut francez Roland Barthes, që titullohej “Duke dalë nga kinemaja”. Barthes trajton eksperiencën e njeriut në sallën e errët. Një lloj anti-shpelle e Platonit! Për ta prezantuar tekstin e Barthes bëra një lloj komentari parathënës, të cilin e titullova “Syri i Historisë / Historia e Syrit”, duke nënkuptuar tanimë “syrin kolektiv”, por edhe duke iu referuar sërish Georges Bataille dhe librit të tij Histori e syrit. Dhe kështu dhe u kthyem bashkë në pikën nga ku u nisëm!

Faleminderit Orgest!

Faleminderit Mark!

 


Etiketa:

Pas