Ekonomi, Kryesore

Financat në BE: Vjedhja e madhe e bankave me rimbursimet fiskale

Një grup bankash dhe operatorësh financiarë kanë krijuar një sistem me të cilin sigurojnë rimbursime fiskale të pajustifikuara. Duke u vjedhur miliarda euro vendeve të ndryshme europiane


Në komisariatin e Düsseldorf, dhoma e marrjes në pyetje është rreth 8 metra katrorë, ka hekura në dritare dhe xhamat aq opakë sa është e pamundur të shikohet jashtë. Në qendër të dhomës ndodhet një tavolinë e madhe në të cilën ulen 2 komisarë dhe 3 prokurorë. Po presin Benjamin Frey. Po hetojnë mbi mashtrimin më të madh fiskal të të gjitha kohërave, goditjen e shekullit, që i ka kushtuar miliarda euro vetëm Gjermanisë. Frey, një njeri tejet inteligjent me pamje të rreptë, është një prej të hetuarve kryesorë. I përkiste rrethit të mashtruesve. Bizneset e tij i kanë shkaktuar rreth 50 milionë euro dëm shtetit gjerman.

Skandali

Që në vitin 2017 Die Zeit, Zeit online dhe Panorama, një program i televizionit publik gjerman ARD, kishin folur për operacionet cum-ex e cum-cum, duke përshkruar plaçkitjen 10-vjeçare të shtetit të pafuqishëm gjerman nga ana e bankierëve, avokatëve dhe konsulentëve. Skandali ka shpërthyer kur një punonjëse kokëfortë e Agjencisë së të Ardhurave ka refuzuar që të miratojë rimbursimet. Në vijim janë bërë të gjallë disa gazetarë danezë, duke shpjeguar se edhe në vendin e tyre kishte ndodhur një gjë shumë e ngjashme. Ka nisur kështu një hetim ndërkombëtar, që ka demonstruar se akrobatët e financës nuk kanë plaçkitur vetëm arkat e shtetit gjerman, por iu kanë shpëtuar tatimeve të gjysmës së Europës. 19 gazeta nga 12 vende, midis të cilave Die Zeit, Zeit online, Panorama, agjencia e shtypit Reuters, e përditshmja franceze Le Monde, italiania La Repubblica, revista spanjolle online El Confidencial dhe televizionet publike të Danimarkës, Suedisë e Finlandës janë bashkuar nën drejtimin e qendrës kërkimore Correctiv për të hetuar lidhur me ngjarjen. Së bashku kanë shqyrtuar më shumë se 180000 faqe me email-e, dokumente të rezervuara, kontrolle të brendshme bankash dhe studiosh ligjore, përveçse kanë intervistuar persona në dijeni të fakteve dhe kanë bërë hetime nën koperturë në botën e financës. Rezultatet e hetimit janë botuar me titullin Cum-ex-files. Mashtruesit kanë goditur në të paktën 10 vende europiane. Në disa, ngjarja është ende e panjohur për opinionin publik. Dëmi i shkaktuar nga operacionet cum-exdhe cum-cum është me të paktën 55.2 miliardë euro. “Është mashtrimi më i madh fiskal i historisë europiane”, thotë Christoph Spengel, pedagog i së Drejtës Tributare në Universitetin e Mannheim.

Mashtruesit

Si kanë arritur t’i plaçkitin gjithë këto vende pa i ndaluar asnjeri? Cilat operacione mundësojnë që të spostohen para e prapa aksione që vlejnë miliarda euro në harkun e pak ditëve? Eksplorimi i botës së mashtrimeve fiskale është paksa sikur të zhytesh në thellësitë e oqeaneve: sa më shumë i afrohesh tabanit, aq më të pabesueshme bëhen krijesat që hasen. Të ashtuquajturat operacione cum-cum mundësojnë që të sigurohen rimbursime fiskale jo të duhura. Njerëzit që i realizojnë ngjajnë me peshqit grabitqarë që të kafshojnë një herë të vetme dhe për t’u ngopur me kaq. Më poshtë ndeshen krijesa akoma edhe më agresive, ato të operacioneve cum-ex, me të cilat sigurohet një rimbursim i dyfishtë: mund të themi se të kafshojnë dy herë. Rrëfimi i Frey fillon në provincë. Në vendin ku është rritur, çdo fëmijë kur rritet “do të bëjë punëtorin, fshatarin apo të papunin”. Duke mos dashur ta pranonte fatin, regjistrohet në Jurisprudencë dhe diplomohet shkëlqyeshëm. Më pas një studio e madhe ligjore e fton në zyrën qendrore të saj në Queen Victoria and Albert Museum të Londrës dhe Frey shkon. Është viti 2001, i duket se ka kapur qiellin me dorë. Menjëherë nis të punojë për studion ligjore dhe ditët e tij të punës zgjasin 12 dhe nganjëherë deri 14 orë. “Motoja jonë ishte: armiku është shteti”, shpjegon Frey. Nëse rastësisht i vjen në mendje se ka qenë pikërisht shteti ai që i ka financuar studimet e tij, e zhduk me shpejtësi mendimin. E di se dyshimet nuk i bëjnë mirë karrierës. “Isha shumë lakmitar”, -thotë ai. “Sigurisht që nuk do të ishin konsideratat morale ato që do të më frenonin”. Më pas, në 2004, Frey takohet me Hanno Berger, që në Gjermani konsiderohej magjistari absolut i mashtrimeve fiskale. Frey do t’i admirojë inteligjencën, formimin humanistik dhe njohjen e greqishtes e latinishtes. Frey përfshihet menjëherë në operacionet cum-ex të cilave Berger, sipas hetuesve, u kushtohet që herët. Të dy punojnë krah për krah në katin e 32-të të Skyper, një kullë prej xhami në lagjen financiare të Frankfurtit. “Prej aty, njerëzit në rrugët të dukeshin mikroskopikë”, tregon Frey. “Ata njerëz ishin bota, ajo botë normale të cilës nuk i përkisnim më. Ne ndodheshim lart. Prapa dritares mendonim: “Ne jemi më dinakë, jemi gjeni dhe të gjithë ju të tjerët jeni budallenj”.

Gjeografi europiane

Nga këndvështrimi i tyre, cum-ex është një goditje gjeniale. Nuk kufizohet në fshehjen apo mos pagesën e taksave, shkon shumë më tej: zhvat paratë e atyre që janë aq budallenj sa i paguajnë. Fillimisht, shteti gjerman as nuk e kupton plaçkitjen. Në vitin 2007 tenton për herë të parë që ta pengojë mashtrimin fiskal, por Berger dhe Frey e mundin në dinakëri dhe gjejnë një mënyrë të re për t’ia futur. Sistemet e tyre bëhen gjithnjë e më kompleksë, deri kur në fundin e 2011 vendosin që të përdorin fonde amerikane pensionesh, që menaxhojnë aksione për miliarda euro. Është një plan i çmendur. Berger dhe Frey grumbullojnë miliona pas milionash. Por ka një ngecje: në Gjermani, operacioni cum-ex mund të kryhet vetëm një herë në vit, kur paguhen dividendët, zakonisht në ditët e para të vitit. “Kishim krijuar një makinë diabolike”, thotë Frey, “ama funksiononte vetëm në janar”. Shumë pak për mashtruesit. “Kështu që vendosëm të shpikim një që të funksiononte gjithë vitin”, shpjegon Frey. “Dhe për ta bërë u drejtuan në vende të tjera, ku dividendët paguhen 4 herë në vit. Kërkimet e gazetarëve ndërkombëtarë kanë zbuluar mashtrimin në nivel europian. Autoritetet e Belgjikës, Danimarkës, Austrisë, Norvegjisë dhe Zvicrës kanë konfirmuar, zyrtarisht ose gjysmëzyrtarisht, se vendet e tyre kanë qenë viktima të operacioneve cum-ex. Dokumentet dhe deklaratat e dëshmitarëve demonstrojnë se edhe në Spanjë e në Finlandë kanë qenë planifikuar operacione cum-ex. Por në Spanjë autoritetet as e konfirmojnë, as e hedhin poshtë, ndërsa autoritetet finlandeze nisen nga bindja se në vendin e tyre operacionet cum-ex nuk përfaqësojnë ndonjë problem. Por si në Spanjë, ashtu edhe në Finlandë, rimbursimet e thjeshta (domethënë operacionet cum-cum) gëlonin. Termi “rimbursime të thjeshta” ka një pamje të padëmshme, por në realitet këto operacione kanë prodhuar dëme të konsiderueshme edhe në Francë, Itali dhe Vendet e Ulëta.

Operacionet

Në thelb, cum-cum funksionon kështu. Aksionerët rezidentë në një vend kanë të drejtën e një rimbursimi fiskal pasi përveçse paguajnë taksa mbi fitimet, paguajnë edhe ato mbi dividendët. Kurse aksionerët e huaj nuk e kanë të drejtën e rimbursimit. Bankat kanë fituar me të dyja duart: blejnë aksionet e klientëve të huaj pak përpara pagimit të dividendëve dhe ua rishesin menjëherë më pas. Kështu, banka dhe klienti ndajnë rimbursimin e siguruar me mashtrim dhe shteti bëhet më i varfër. Në vetvete, operacionet cum-cum nuk janë të paligjshëm. Por në qoftë se kanë objektivin e vetëm e sigurimit të avantazheve fiskale, atëherë përbëjnë shkelje. Lidhur me këtë autoritetet gjermane, franceze dhe italiane e mendojnë në të njëjtën mënyrë. Spengel, pedagog i të drejtës tregtare, mendon se cum-ex dhe cum-cum janë operacione pastërtisht tregtare. “Për të kuptuar sesi veprohet, bankat, operatorët financiarë dhe juristët kanë studiuar sistemet fiskale e vendeve të ndryshme dhe më pas i kanë zhvilluar teknikat sipas vendit”. Spengel ka llogaritur se midis viteve 2001 e 2016 tatimet gjermane kanë humbur të paktën 31.8 miliardë euro. Nga cum-ex-files rezulton se duhen shtuar të paktën 14.5 miliard të humbura në Francë, 4.5 miliardë në Itali,1.7 miliard në Danimarkë, 201 milionë në Belgjikë. Për sa u përket vendeve të tjera të përfshira, nuk ka as të dhëna zyrtare, as të dhëna të mjaftueshme të tregjeve. Është e vështirë të rindërtohet sesi dhe kur këto operacione janë përhapur në Europë. Qysh në vitet ’90 u realizuan operacione cum-cum në Gjermani, Francë dhe Itali, ndërsa operacionet cum-ex regjistrohen në Gjermani qysh nga 2001, në Zvicër qysh nga 2006 dhe në Danimarkë qysh nga 2012. Veç kësaj, reagimet e autoriteteve kanë qenë të ndryshme nga vendi në vend: Zvicra i ka penguar operacionet cum-ex qysh nga 2008, ndërsa Gjermania ia ka arritur vetëm në 2012 dhe në Danimarkë regjistrohen raste deri më 2017. Në një mënyrë apo në një tjetër, thuajse të gjitha bankat kanë marrë pjesë në operacionet e mësipërme, përfshi bankat e mëdha amerikane të investimeve. Shumë kishin në degët e tyre punonjës që në komunikimet e brendshme quheshin tax trader: me pak fjalë nuk bëhet fjalë për pak drurë të shtrembër, por për një fenomen që prekte të gjithë sistemin. Frey flet për “krim të organizuar me xhaketë e kollare”: të gjithë e dinin se objektivi ishte të nxirrej një fitim nga xhepat e kontribuuesve. 

Indiani i fëlliqur

Ndër protagonistët e kësaj vjedhjeje janë edhe një grup operatorësh financiarë londinezë. Njëri prej tyre quhet Salim Mohamed. E ka nisur duke punuar për bankën amerikane të investimeve Goldman Sachs. Më pas ka kaluar në një fond spekulativ dhe, në një moment të caktuar, ka nisur të bashkëpunojë me Berger dhe Frey. Në fillim ishim bashkë, tregon Frey, por më pas, në vitin 2009, Mohamed ka dalë më vete, duke tentuar që të mbajë për vete pjesën më të madhe të fitimeve, dhe të tre janë zënë keq. Që nga ai moment, Berger i është referuar gjithmonë Mohamed duke e quajtur “indiani i fëlliqur”. Ky është të paktën version që Frey i ka dhënë hetuesve. Kurse Berger e mohon në fakt që të ketë bashkëpunuar ndonjëherë me Mohamed dhe thekson se ka folur me të vetëm “një apo dy herë”. Aktet e hetimeve dhe dokumente të tjera tregojnë që EQI, kompania e Mohamed, nuk trajtonte ekskluzivisht aksione gjermane, por edhe aksione spanjolle, austriake, belge dhe finlandeze. Për shembull, në vitin 2010, nëpërmjet një kompanie malteze, EQI ka blerë 6.9 milion në aksione të Endesa, kompani elektrike spanjolle, dhe një vit më pas, nëpërmjet një fondi irlandez, ka blerë 10.6 milion në aksione të Telekom Austria. Fondi irlandez ka kërkuar rimbursime fiskale në Gjermani, Spanjë, Austri, Belgjikë e Finlandë: pse vallë të plaçkitet një vend nëse mund të bëhet më shumë?

Siguria dhe reagimi

Kur bëhet fjalë për të identifikuar emigrantët apo për të ndarë informacione lidhur me terroristët, databaza e Bashkimit Europian mbulon të gjithë territorin europian, kurse për operacionet fiskale nuk ka asgjë të ngjashme. Kur gazetarët i kërkuan Komisionit Europian nëse ka pasur diskutime në nivel komunitar lidhur me operacionet cum-ex, cum-cum apo të ngjashme, përgjigjja ka qenë: “Fusha në fjalë është kompetencë e shteteve të veçanta”. Por autoritetet fiskale e vendeve të veçanta mendojnë para së gjithash për vetveten dhe praktikisht nuk komunikojnë midis tyre: kush di diçka, sigurisht që nuk shkon ta tregojë andej këtej. Nëse nuk bëhen pyetje eksplicite, nuk mësohet asgjë. Akoma sot, Berlini mendon se operacionet cum-ex janë një problem ekskluzivisht gjerman. Sipas Michael Sell, që sot është në pension, por verën e kaluar drejtonte Departamentin Fiskal të Ministrisë së Financave, këto operacione janë dukshëm të paligjshme, aq sa të flitet për “krim të organizuar”. Por nga pikëpamja e tij, një modifikim legjislativ i futur në 2012 në Gjermani e ka zgjidhur problemin, duke paraqitur një sistem të ri pagesash të tatimit mbi të ardhurat nga kapitali në mënyrë që të bëhen të pamundura operacionet cum-ex.

Marrë me shkurtime nga bota.al