Editorial

Firma të zbehta pa solemnitet





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:31 - 22/07/20 |
Mapo.al

Mbrëmë në skenën politike shqiptare ndodhi një prej akteve më pak solemne të historisë së këtyre 3 dekadave pluralizëm, ku përfaqësuesit e një parlamenti të gjymtuar dhe të goditur në legjitimitet, vendosën të ndryshojnë Kushtetutën përpara zgjedhjeve që po vijnë me disa firma të zbehta dhe hileqare.


Zgjedhjet që po vijnë shihen si shansi i madh jo vetëm për ecjen përpara në rrugën e integrimit, por si një mundësi për të rikthyer normalitetin dhe nderin e politikës në vend, pas krizës së rëndë e të gjithanshme.


Dhe për këtë nuk ka më asnjë dyshim.


Por problemi është se këto zgjedhje që me gjasë janë pas disa muajsh, pra në fillim të vitit tjetër, u atakuan që tani, u sulmuan ende pa lindur, me ndryshimet e njëanshme të rregullave të lojës, dhe me prishjen e rëndë të atmosferës politike.


Edi Rama siç edhe pritej u zhyt deri në fund kryengulthi në kursin e tij, përkundër këshillave të partnerëve ndërkombëtarë e miqve të Shqipërisë, madje, duke neglizhuar edhe kërcënimet e tyre të drejtpërdrejta për ndërprerjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, nëse do të ndodhë, ajo që u firmos mbrëmë.

Konsensusi me Opozitën dhe fryma e 5 qershorit, ishte mesazhi i tyre i përsëritur.

Rama nuk pati asnjë kompleks për të ndjekur interesin vetjak, për ruajtjen e pushtetit, duke lënë mënjanë interesin dhe të ardhmen e vendit.

Ndryshimi i ligjit themelor, i Kushtetutës me synimin e vetëm, ndalimin e koalicioneve, nuk ka asnjë këmbë ku të mbahet si parimor, dhe ulëret bindshëm se është thjesht një makinacion për të dëmtuar kundërshtarin, kjo pasi të dhënat dhe sondazhet tregojnë se ai nuk ka asnjë shans në betejën elektorale, përballë bashkimit të PD, LSI, PDIU dhe forcave të tjera aleate.

Ndërhyrja në garë dhe prishja e rregullave, është unike në llojin e vet. Gjithnjë kanë qenë qeveritë që kanë lëshuar për opozitat. Sot, është qeveria që bën një lëvizje për ta vënë opozitën në qoshe.

Në mungesë të bilancit, në mungesë të fabulës, në mungesë të një motivi për të kërkuar sërish besimin e qytetarëve, Rama ka hyrë në rrugën e prapaskenave, kalkulimeve, dhe manipulimit që tani.

Vetëm se kësaj radhe është më i vetmuar se kurrë. Partnerët e rinj që ka gjetur në këtë shtegtim, deputetët e opozitës parlamentare, nuk do ta ndihin dot në objektivin që ka.


Etiketa:

Pas