Gjykata Kushtetuese, ende pa u krijuar ka sjellë përplasje të fortë jo vetëm me deklarata, por me akte politike dhe ligjore nga Presidenti i Republikës dhe qeveria nëpërmjet Parlamentit. Në përplasje duket se janë dy emra Vorpsi dhe Xhaferllari, ku presidenti njeh Xhaferllarin, ndërsa mazhoranca Vorpsin. A është kjo një përplasje ligjore, apo mirëfilltas politike? Cila palë ka të drejtë në këtë nismë, në aspektin ligjor? Kujtojmë që edhe Parlamenti në mesditë votoi një rezolutë edhe me votat e “opozitës së re” kundër kreut të shtetit.
Nuk ka asnjë diskutim që kemi të bëjmë me një përpjekje krejtësisht kundër Kushtetutës dhe parimeve themelore të saj nga ana e shumicës qeverisëse për të mos lejuar krijimin e një Gjykate Kushtetuese të pavarur. Tërë thelbi i sistemit tonë politik, i demokracisë, ka të bëjë me faktin që pushtetet janë të ndara dhe kontrollojnë njëra-tjetrën. Ligjvënësi shqiptar kur miratoi ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi por edhe kur miratoi ligjin për Gjykatën Kushtetuese përcaktoi një radhë të qartë të mënyrës se si do të plotësoheshin vendet në këtë gjykatë. Radha dhe përfshirja në emërime e të gjitha pushteteve është gjithë thelbi i ruajtjes së pavarësisë së kësaj gjykate. Partia Socialiste dhe kryeministri Rama po tregojnë se ata nuk mund të bashkëjetojnë me një Gjykatë Kushtetuese të pavarur. Në vitin 1929, një nga teoricienët më të mëdhenj në botë dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, Hans Kelsen u largua nga Austria dhe nga detyra. Në Austri erdhi në pushtet një regjim fashist. Kelsen tha se Gjykata Kushtetuese dhe fashizmi nuk rrinë bashkë, nuk mund të bashkëjetojnë. Këtë po tregon plotësisht edhe Rama. Në fund të fundit konstitucionalizmi si doktrinë ka vetëm një synim, ka atë të garantimit të kufizimit dhe të ndarjes së pushteteve. Në momentin që Parlamenti dhe qeveria bëjnë gjithçka që presidenti të mos emërojë një anëtar që i takon me Kushtetutë në Gjykatën Kushtetuese, kemi dalë nga konstitucionalizimi. Nuk e kuptoj se si e bën këtë gjë znj. Arta Vorpsi. Ajo në fakt po tregon se nuk meriton të jetë as gjyqtare e thjeshtë në një gjykatë rrethi. Në fakt, në seancën dëgjimore të mbajtur në komisionin e ligjeve pak ditë më parë u pa qartë se ajo kishte një nivel të thellë mediokriteti. Ajo nuk tha asgjë mbi ndarjen e pushteteve, mbi detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, mbi kufijtë e qeverisë, mbi mënyrën se si lexohet ligji dhe Kushtetuta në botë. Kandidatët për këto gjëra flasin ndërsa znj. Vorpsi foli marrëzira mbi nevojën për të neutralizuar debatin publik apo atë politik. Ndërsa rezoluta e parlamentit është thjesht një dëshmi e faktit që qeveria nuk bashkëjeton dot me një gjykatë të pavarur.
Si pritet të përfundojë kjo situatë kur palët në konflikt pretendojnë se kanë të drejtë, ndërsa absurdi është se pikërisht për Gjykatën Kushtetuese që do i jepte përgjigje shteruese shumë konflikteve institucionale, presidencë-qeveri, ka konflikte që në ngritjen e saj?
Përfundimi i kësaj çështjeje do të varet nga mënyra se si do të ndikojnë faktorët ndërkombëtarë besoj. Kjo është në fakt për të ardhur shumë keq. Ndërkombëtarët nuk mund ta duan kurrë Shqipërinë më shumë se sa ne dhe ata janë burokratë që ndjekin politika skematike të cilat jo domosdo kërkojnë që konstitucionalizmi të mbretërojë. Ajo që dua të them është se nuk mund të kemi kurrë Kushtetutë dhe institucione që garantojnë liritë politikë, pronën, garën, të drejtat, në qoftë se qeveria dhe parlamenti nuk zbatojnë atë që quhet luajalitet kushtetues. Kjo do të thotë se Parlamenti dhe qeveria duhet të dinë që emërimet në Gjykatën Kushtetuese të bëhen sipas radhës dhe që presidenti të caktojë numrin që parashikon Kushtetuta. Nëse pushteti më i madh që është qeveria dhe parlamenti nuk duan, nuk e kanë këtë luajalitetkushtetues, atëherë flasim kot. Luajaliteti Kushtetues është kusht për gjithë funksionimin demokratik të sistemit tonë. Nëse nuk kemi luajalitet kushtetues, për shembull Gjykata Kushtetuese mund të vendosë gjithnjë 3 me 3 ose 4 me 4 dhe nuk merr vendime, atëherë do të jemi sikur nuk kemi gjykatë fare. Askush nuk detyron një anëtar të gjykatës të shprehet me zor apo të marrë pjesë me zor në një çështje. Pra, i bie të rikthehemi sërish te Kelsen dhe te fashizmi, atje nuk ka luajalitet kushtetues. Edhe këtu te ne, kryetari i KED, një njeri që vjen paturpësisht nga organet e regjimit të Enver Hoxhës nuk ka luajalitet kushtetues por përkundrazi përpiqet ta shtyjë presidentin që të mos zgjedhë dhe përpiqet të shtyjë kryeministrin që të zgjedhë më shumë se sa ia lejon Kushtetuta.
Institucionet e “Drejtësisë së re” ende pa u formësuar po përplasin palët, a rrezikojmë tashmë që të futemi në një ngërç të fortë institucional dhe kushtetues edhe në vijim? Nga ana tjetër, është lënë të kuptohet se nëse konflikti vijon kreu i shtetit mund të shpërndajë Parlamentin cilat janë bazat ligjore, por edhe politike dhe nëse ndodh cili institucion do e “gjykojë” vendimin?
Jemi padyshim në një krizë të rëndë. Kjo në fakt nuk është krizë kushtuese por krizë organike e cila ka kapur të gjithë qelizat e institucioneve, të jetës politike dhe sociale të vendit. Një krizë e tillë njihet në politologji si krizë organike ose si krizë e gjithanshme. Ajo herë shfaq më fort përmasën kushtetuese, njëherë atë ekonomike, një herë atë të policisë, një herë atë të zgjedhjeve etj. Shpërndarja e parlamentit duhet të ishte bërë me kohë dhe një nga rrënjët e krizës gjendet aty. Ai parlament po bën votime dhe po merr vendime me mbi 100 vota në një kohë që ata që quhen si deputetë të opozitës së re nuk janë rezultat i zgjedhjeve të qershorit të 2017. Atanuk kanë dalë nga ato zgjedhje dhe kaq mjafton që vendimet e tyre të mos jenë legjitime në kuptimin politik. Nga ana tjetër, ai Parlament nuk përfaqëson të gjithë shqiptarët nga pikëpamja numerike. Ai nuk ka aq deputetë sa thotë kushtetuta dhe në këtë mënyrë mjaft shqiptarë nuk janë të përfaqësuar. Kaq do të mjaftonte për ta shpërndarë përsëri. Çështja është se në një regjim fashist ti nuk mund të shpërndash një Parlament që i shërben fashizmit. Regjimi fashist që e ka vënë në shërbim atë parlament do ta mbajë në këmbë me zor. Pra nëse presidenti nxjerr një dekret për ta shpërndarë, parlamenti do të miratojë një rezolutë dhe nuk shpërndahet. Jemi në këtë absurd.
Lexo edhe: